“Artist i Popullit”: Figurë e shquar e shkollës muzikore shqiptare!
Lindi më 1927 dhe u edukua ne qytetin Shkodër e herët u njoh si një nga përfaqësuesit e denjë në shkollën e Muzikës Shqiptare. Rrjedh nga një familje atdhetare. Me mbarimin e Kolegjit të Jezuitëve të këtij qyteti, ku kishte fituar bazat e kulturës europiane perindimore, ai arriti të zotëronte italishten dhe gjermanishten të cilat i hapën horizont të mjaftueshëm për jetën. Po vazhdimi i shkollës për Zefin ishte një “mollë e ndalueme” për motive politike të kohës. Tregoi talent të rrallë në fanfarën e atij Kolegji, duke qenë zotërues virtuoz i klarinetës dhe veglave të tjera frymore.
Kur me fanfarën e Kolegjit punoi kompozitori i talentuar Prek Jakova, i sapokthyer nga studimet e larta në Itali, ndër talentet e reja që zgjodhi, qe muzikanti i ri e shumë premtues, Zef Gruda. Ndër shokët e tij, po thuaj të një niveli, qenë të mirënjohurit Tonin Rrota, Çesk Zadea. Tonin Arapi. Tish Daia, Simon Gjoni, Pjetër Dungu, Abdulla Grimci, Lekë Kaçaj e Gjon Kujxhin të njohur si kontribues të shquar të muzikës shqiptare, të gjithë këto ish-nxënës të At Martin Gjoka (1890 – 1940), kompozitori i Simfonisë dhe Operës së parë shqiptare.
Me krijimin e Filarmonisë Shqiptare, fill pas çlirimit, një nga më të mirët në përzgjedhjen e bërë ndër muzikantët e vendit, ishte edhe Zef Gruda që zuri vend si oboist i parë i orkestrës. Duke parë aftësitë e tij profesionale, atij iu besua edhe drejtimi i orkestrës së Estradës së Shtetit si dhe një formacion orkestral, ku këndonin të gjithë këngëtarët lirik të shkolluar jashtë shtetit si: sopranoja Marie Kraja, Kristaq Antoni, Zihni Berati, Isuf Pelingu, Jorgjia Truja, etj. Zefi mori pjesë edhe në Bandën Frymore të ushtrisë si instrumentist dhe si asistent dirigjent i saj. Në këto detyra artistike ai bashkëpunonte me Dhora Lekën, një muzikante e talentuar dhe e përgatitur profesionalisht. Por, në kulmin e krijimtarisë së tyre artistike e krijuese, që të dy këto, në një konferencë të Partisë së Punës për Tiranën u cilësuan si antistalinistë. E për këtë shkak, Zef Gruda u dënua me 10 vjet burg, ndërsa Dhora u internua në Gjirokastër.
Mbas kryerjes së dënimit, Zefi vendoset në Durrës, muzikant, natyrisht, i mbikqyrur si njeri me hije në biografinë politike. Po,r falë aftësive profesionale, aty i ngakrohet detyra e drejtorit të orkestrës dhe hapi një kurs për mësimin e instrumentistëve të veglave frymore. Mirëpo, duke u parë me syrin e njerkës, në atë qytet nuk iu krijuan as kushtet elementare të jetesës. Në këto rrethana, ai iu përgjigj kërkesës për të punuar në rrethin e largët malor të Kukësit.
Kështu, më 1 tetor 1961, Zefi filloi punën si drejtor i orkestrës së Estradës Profesioniste të qytetit të Kukësit. Aty u mirëprit dhe që në premierën e parë që dha kjo trupë e përgatitur nga ai në Kukës dhe në turneun që bëri nëpër Shqipëri, u provua se ajo udhëhiqej artistikisht nga një muzikant i talentuar dhe i aftë për të pregatitur trupën profesioniste e amatore aq të nevojshme për kohën.
Zefi, në Qarkun e Kukësit, ku qëndroi shumë kohë, me pasion mblodhi e njohu në hollësi folklorin muzikor të Kukësit, Hasit e Tropojës si dhe të Kosovës, traditë të cilën do ta vazhdonte edhe kompozitori i talentuar Aleksandër Lalo që edhe ky si Muharrem Fejzo ka punuar pas tij në Kukës. Pikërisht kjo pasuri e madhe burimore me vlera të jashtëzakonshme u bë shkak që Zefit t’i lindëte ideja për krijimin e një formacioni muzikor me instrumente popullor të temperuar. Këtë formacion ai e realizoj me ndihmën e mjeshtrit të punimit të veglave popullore kordofone Mahmut Çeliku dhe instrumentistit Sheqer Ademi.
Kështu, në vitin 1964 hyri ne jetën koncertore muzikore të vendit një formacion i ri orkestral nga temperimi dhe modulimi i instrumentave kordofonë të traditës. Ky novacion i shënuar artistik i Zef Grudës u mirëprit nga publiku artëdashës, kolegët dhe muzikantët në Kukës e në mbarë vendin. U ftua ky formacion për të marrë pjesë edhe në veprimtaritë kombëtare muzikore. Ai ka shoqeruar shumë këngëtare të mirënjohur si: Vaçe Zela, Naile Hoxha, Sali Brari, Qemal Kërtusha e të tjerë. Më 1966 Orkestra e temperuar e Zef Grudës mori pjesë në festivalin e Radio Tiranës e më pas në RTSH. Me 1968 kjo orkestër mori medaljen e artë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, kurse me 1969 mori çmimin e pare si ansambël i Kukësit në takimin e Vlorës, po ashtu më 1970 në Durrës, dhe më 1971 mori pjesë në Festivalin e parë të këngës së ushtarit si dhe në Fastivale dhe takime të tjera në vazhdim. Deri sa Zef Gruda e mbylli punën e tij me këtë formacion muzikor në Festivalin e 16-te ne RTSH.
Veç këtij formacioni instrumental të llojit të veçantë, me vlera të njohura brenda dhe jashtë vendit, Zef Gruda ngriti edhe Bandën Frymore të qytetit Kukës. Gjithashtu nuk mund të lemë pa përmendur se ky formacion muzikor ka kryer me sukses edhe dy veprimtari të rëndësishme vjetore zonale si: Fastivali i Këngës në Radio Kukës më 1970 e më 1974 me pjesëmarrjën e këngëtarëve të rretheve Kukës, Tropojë, Peshkopi, Pukë dhe grupi kosovar i Rrashbullit me të famshmin Dervish Shaqja. Po kështu, Zefi është nismëtar dhe organizator i Festivalit të parë për fatosa e pionerë në Kukës, i cili që nga 1970 u kthye ne traditë e vijon edhe në këto vite.
Pas daljes ne pension, Zefi familjarisht vendoset në qytetin e lindjes në Shkodër. Edhe këtu sedra profesionale e nxit për t’ju vënë punës deri edhe për ngritjen e një formacioni tjetër popullor për këngën qytetare shkodrane. Për këtë orkestroi shumë këngë shkodrane për bandën frymore. Shkodra e mirëpriti. Po jo si më parë, rapotet e komunikimit shoqëror po edhe profesional kishin ndryshuar mjaft me kohën e rinisë së tij. Edhe në këto kushte ai nuk e ndërpreu punën. Por në kulmin e kësaj pune krijuese dhe të shpresës se erërave të demokracisë, për të cilën kishte ëndërruar gjithë jetës, që do të hapnin shtigje të reja edhe në Shqipëri, në prag të agimit të saj, më 9 mars 1989 ai mbylli sytë përgjithmonë, duke i lënë shkollës së muzikës shqiptare gjithë përvojën e krijimtarinë e tij muzikore.
Nuk mund të lëmë pa theksuar se vlera e figurave të kësaj natyre çmohet edhe nga gjurmët, që lanë pas vdekjes në vendet ku kanë punuar. Në këtë kuptim, puna e krijimtaria muzikore e Zef Grudës në Kukës, ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm si kujtim, po veçanërisht në pasurimin arkivor të Shtëpisë Kulturës Qytetit Kukës, në Radio Kukës dhe, më e rëndësishmja, në përgatitjen e një brezi të ri të kualifikuar muzikantësh e instrumentalistësh si: Binak Elezi, Hamdi Gjana, Petrit Sinamati, Din Vukaj, Luan Pëzhita, Bashkim Doda, Islam Beqiri, Shpresa Çurçiali, Kozeta Mezini e tjerë. Dëshmi e kësaj vlere të këtij muzikanti të shquar është edhe krijimi në shkurt të vitit 1991 i Asamblit Artistik “Jehona e Gjalicës” të Kukësit, me bazë orkestrën “Zef Gruda” e regjizurën e Bilbil Herenit, të cilin e ka drejtuar ish-nxënësi i tij, muzikanti i ri e i talentuar, Petrit Sinamati, pasuar nga i nipi Parid Sinamati. Kjo trupë e njohur për disa vite, me veprimtaritë koncertale brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka synuar ta mbaj dhe ta zhvillojë më tej punën që krijoi, vite më parë, kompozitori dhe dirigjenti i paharruar, Zef Gruda.
Për ndihmesë të veçantë në zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor kombëtar, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dha Zef Grudës titullin e lartë “Artist i Popullit” (pas vdekjes). Ky vlerësim është shprehje e shtetit demokratik edhe për ata artistë, të cilët u persekutuan nga regjimi komunist, ndonëse kontribuan me përkushtim e me gjithë forcën e talentit të tyre për kulturën kombëtare.
Nga: Isa Halilaj – studiues,“Mësues i merituar”
Burimi: http://www.zemrashqiptare.net/