Ditët zvarriteshin këmbëve të njëra-tjetrës mbi truallin brazdor të asaj lagjeje të sajuar shtëpish të bardha njëkatëshe. Bari i egër ia cimbiste kallot e duarve sa herë e tërhiqte me forcë për ta shkulur, paraditeve kur pastronin kopshtin. Shëtitjeve të pasdites, vëmendja e pakërkuar e të tjerëve ia cingëriste qetësinë. Kafeja e racionuar e mëngjesit – tepër e ëmbël, tepër e mielltë. Çdo proces i ditëve në atë vend ndihej tepër i përsëritur dhe i shkëputur, si brazdat në truallin e betontë të oborrit.
Brendinë e shtëpisë së tij, e cila në fakt ishte një dhomë tepër e vogël për të mbajtur gjashtë krevate, një dollap të madh rrobash dhe një televizor, e kishte mësuar përmendësh qysh javën e parë kur kishte hyrë në atë institucion për ekzekutimin e vendimeve penale. Nëse e pyesje si dukej nga jashtë ajo ngrehinë primitive, mund të të tregonte vetëm se ishte e bardhë, rreth njëzetë metra katrorë. Pavetëdija e tij kishte refuzuar që ai të mbante mend detaje të përbashkësisë së asaj lagjeje për burra që kishin kryer krime të rënda kundrejt grave. Gjithçka kishte mundur të fiksonte ishin këllëfët e bardhë me dantella të nënkresave të veta dhe cilindrat metalikë me veshje të bardhë që ishin këmbët e krevatit marinar ku flinte. Prandaj, kur pa se në sipërfaqen e jashtme të derës së bardhë të shtëpisë kishte mbetur pa hequr një ngjitëse e lëvizjes guerrile ku qe shkruar me të zeza: “Father’s World” kushedi qysh prej sa vitesh, u ndje disi më pak i vetmuar nga mendimi se mbase, të gjithë aty druheshin për të treguar kujdese të vogla që e shndërrojnë një vend të çfarëdoshëm në një shtëpi.
Nëse të gjithë bashkëvuajtësit tregoheshin gjithaq të pavëmendshëm, atëherë s’kishin pse t’ia çanin kryet Arlind Deliut se nuk merrte pjesë nëpër veprimtaritë e përbashkëta. Disa herë kishte ngrënë dru vetëm prej natyrës së tij të heshtur dhe të painteresuar. Kjo natyrë nuk e kishte ndihmuar as për t’ia shkurtuar sadopak vetes zvarritjen e vetvetishme të secilës prej 1,826 ditëve që i takonte t’ia falte enklavës në këmbim të krimit të kishte kryer. Ai nuk luante basketboll me të tjerët dhe as nuk përfshihej në bisedat mbrëmësore mbi trimëritë e gjithsecilit gjatë luftës për ndërtimin e rendit të ri. Arlind Deliu kishte interesa të ndryshme prej të gjithë të tjerëve.
Fiku tre cigare, përpara se roja shoqërues të vinte për ta marrë. Kushëriri i tij i parë kishte kërkuar ta takonte në orën tre, por kur mbërriti tek salla e takimeve ora kishte shkuar tre e njëzetë e pesë. Në këto raste, edhe nëse vonesa kishte ndodhur për fajin e tyre, rojat e quanin sikur takimi kishte nisur në kohë dhe e mbyllnin sipas orarit të njoftuar. Kur pa fytyrën e rreshkët të kushëririt për herë të parë pas pothuajse pesë vitesh, Arlindit i erdhi mirë që kishte hyrë me vonesë në atë takim. Ilioni i buzëqeshi kursyer, siç e kishte pasur zakon gjithmonë. Si fis, nuk ishin shquar ndonjëherë për të shprehurit të ndjenjave. Ishin rritur bashkë, por me kalimin e viteve marrëdhënia e tyre prej vëllezërish ishte ftohur në një marrëdhënie mirësjelljesh sipërfaqësore, sepse jetët e tyre kishin marrë rrugë shumë të ndryshme. Arlindi ishte diplomuar për shkenca kompjuterike, Ilioni nuk kishte mbaruar as gjimnazin. Arlindi kishte gjetur një punë të mirëpaguar në filialin e një korporate ndërkombëtare, Ilioni ishte marrë për ca kohë me veprimtari të paligjshme, derisa i ati kishte arritur t’ia ndalonte në mënyrë kategorike. Ishte ironike, mendoi Arlindi, të shikoje kush po e vizitonte tjetrin në burg tani.
Ilioni e përshëndeti me fjalë të vobekëta. Nuk e kishte ndryshuar të folurit me kokën ulur, duke i ngrënë shumicën e bashkëtingëlloreve. Arlindi i kaloi kortezitë e përhershme duke tundur vetëm kokën. Kërkesa e Ilionit për ta takuar kishte qenë e papritur, por e kishte bërë gjithashtu kurioz se ç’mund të kishte ndodhur.
“Si të shkojnë gjërat këtu?” pyeti Ilioni, me atë shtrembërimin e kahershëm të turinjve si të kishte ngrënë ndonjë limon.
“Mirë, mirë. Ty mirë? Nuk kam shumë kohë, se u vonuam. Dil në temë.”
Pangeshmëria e Arlindit për të bërë biseda të vogla u duk se e kënaqi Ilionin. Arsyeja kryesore pse Arlindi ishte ftohur me kushëririn ishte ngaqë i kujtonte të gjitha anët e vetes që nuk i pëlqenin.
“Që kur ndodhi ajo që ndodhi dhe hyre këtu, gjërat kanë ndryshuar shumë jashtë,” nisi të thoshte Ilioni.
“Më ka thënë ime më që ke gjetur punë dhe po blen shtëpi. Je fejuar, më duket?”
“E vërtetë. Patjetër. Edhe ndryshimet e mia nuk janë pa gisht në këtë punë, për të cilën kam ardhur të të takoj. Por s’e kisha këtu fjalën. Dua të them se, e gjithë shoqëria po ndryshon…”
“E pritshme. Revolucioni i ndryshoi gjërat shumë. Që kur isha unë jashtë, ndryshimi ishte i dukshëm…”
“Më dëgjo,” e ndërpreu kushëriri, duke iu afruar dhe duke ulur zërin, “revolucioni nuk është ashtu siç dukej. Dhe kjo ka të bëjë edhe me ty dhe me qëndrimin tënd në burg për pesë vite.”
Ilioni e pa rojen të merrte qëndrim më vigjilent. Roja që ishte jashtë vazhdonte ecejaken e zakonshme. Dyshja tjetër, një djalë që ishte dënuar se ia kishte prerë skalpin të dashurës ngaqë nuk donte që të tjerët të shikonin flokët e saj të gjatë bjondë, dhe një i moshuar që dukej të ishte i ati, ishin në cepin tjetër të sallës.
“Njerëzit po zhgënjehen. Burrat po zhgënjehen. Gjithë ato premtimet e bukura për liri dhe drejtësi patriarkale…”
Kur pa se fytyra e rojës ishte anuar kah tavolina e tyre, Ilioni e la fjalën përgjysmë dhe mori frymë thellë, si për të qetësuar nervat e veta. Edhe nervat, dy kushërinjtë dikur i kishin pasur njësoj të brishta. Vuri re se Arlindi ishte tërhequr me trup drejt mbështetëses së karriges. Duhej ta kishte trembur. Pas gjithë atyre që kishte kaluar kushëriri i tij, që e kishin detyruar të kryente krimin për të cilin e kishin kyçur brenda, të sillej si i ndërkryer nuk ishte ide e mire, nëse donte ta rekrutonte. Arlindi përbënte një element shumë të çmueshëm për organizatën e tij dhe, nëse nuk do të arrinte të siguronte anëtarësimin e atij që e kishte kushëri, kushedi sa i paaftë do të dukej në sytë e anëtarëve të tjerë të bazës.
“Më duket se mbahesh mirë,” tha Ilioni kur roja ishte afruar mjaftueshëm sa për t’i dëgjuar qartë, “Edhe sa të mbetet?”
“Edhe pesë muaj.”
“Shtyhen edhe pesë muaj?”
Arlindi psherëtiu pa u përgjigjur. Biseda e lënë përgjysmë e kushëririt mbi gjendjen e gjërave jashtë burgut e kishte bërë akoma më tepër kurioz për arsyen e vizitës së tij. Njëherësh, e kishte mbushur plot siklet. Qëndrimi i tendosur i Ilionit, i prirë drejt tij sikur e gjithë ekzistenca e vet të varej prej Arlindit, por mbi të gjitha ato fjalë, që e kishin lidhur arsyen e vizitës drejtpërdrejt me të: “kjo ka të bëjë edhe me ty dhe me qëndrimin tënd në burg për pesë vite”, kishin qenë të mjaftueshme për t’ia njomur ballin dhe kurrizin me djersë të ftohta.
“Përse ke ardhur?” e pyeti me një ton serioz, kur pa se roja më në fund kishte nisur të kthehej drejt tavolinës tjetër.
Ilioni u mendua gjatë përpara se t’i përgjigjej. Joti, që ishte kryetari i grupit të bazës së organizatës, e kishte udhëzuar të tregohej i qetë, por pa e humbur në asnjë rast bindjen tek fjalët e veta. I kishte thënë se mund të haste kundërshtime edhe nga burrat që kishin vuajtur në burg për vite të tëra, gjë që Ilionit i dukej e pabesueshme duke qenë se pikat më të rëndësishme të manifestit të tyre mbronin pikërisht interesat e burrave që e kishin pësuar në burg pa të drejtë, kur në të vërtetë ishin ata viktimat. Tani që po shikonte tërheqjen e menjëhershme të kushëririt të tij, Ilioni filloi ta besonte se pasiguritë e Jotit për burrat e burgosur mund të ishin të vërteta. “Këtë të bën burgu”, i kishte thënë Joti, “të bën të ndihesh si fundërrinë, edhe nëse faji nuk ka qenë i yti. Kështu që mos u çudit nëse kushëriri yt del nga burgu më trushpëlarë se gratë.”
“Kisha nevojë të flisja me ty për diçka shumë të rëndësishme,” tha Ilioni, kur pa se kushëriri i vet po e humbiste durimin, “Por më parë, dua të kuptoj nëse do të jetë e udhës që të flas me ty për këtë.”
Ilioni vuri re se duart po i dridheshin. I thuri gishtërinjtë me njëri-tjetrin që dridhja të mos binte në sy.
“Do ta çmoja shumë nëse tregohesh i sinqertë me mua për këtë. Tani që do edhe pak të dalësh, a je penduar për atë që bëre përpara gjashtë vitesh?”
Vuri re se Arlindi u ngjesh vetiu pas mbështetëses së karriges, sikur pyetja që sapo i kishte bërë ta kishte trembur. Duke u përpjekur të tregohej i matur, Ilioni ndjeu se po ia këpuste pa dashur të gjithë telat delikate kushëririt të tij. Fytyra e tij u zverdh.
“Të lutem, dil drejt e në temë,” i tha Arlindi prerë, “Nuk kam ndërmend ta vazhdoj këtë bisedë nëse nuk më thua përse ke ardhur.”
Ilioni mori frymë thellë, por u përpoq ta bënte këtë pa u ndier. Mirëpo, ajo çfarë doli qe një duhmë e shpejtë dhe e dridhur. Ndjeu se nuk po e kontrollonte dot më trupin e vet për të mos e shprehur gjithë sikletin që ndiente. Megjithatë, gjithashtu e dinte se kur të dridhurat më në fund e kishin pushtuar të gjithin dhe dihatjet sa vinin dhe i shkurtoheshin, dhe kur i duhej të merrte frymë thellë që të mund të kishte mjaftueshëm oksigjen sa për të thënë fjalinë tjetër, këto ishin shenja që tregonin se i gjithë sikleti po teptisej jashtë tij, për t’iu bashkuar ajrit të rëndë të dhomës. Pas sikletit, do t’i mbetej veç bindja dhe mllefi kundrejt sistemit, ngasjet e nevojshme për ta bindur kushëririn e vet se po të bashkohej me ta, do të ishte duke zgjedhur anën e duhur të historisë.
“Arlind, më dëgjo me vëmendje,” i tha me gjysmëzëri. Që tani e ndjeu se shqisat po i ktheheshin pak nga pak ritmit të tyre të përhershëm, “Kur të dalësh që këtu, nuk do të të pëlqejë aspak ajo që do të gjesh jashtë. Do ta shikosh se enklava vërtet është zgjeruar, ama Kryeburri nuk është aq i fuqishëm sa ç’ka qenë. Së pari, sepse shteti i madh ka zgjedhur të drejtohet nga një palo-burrë, i cili vendimet më të rëndësishme duket sikur i merr kur është duke iu derdhur brenda asaj kurvës që ka për grua. Nuk po ia del t’ua heqë të drejtën e votës dhe nuk po ia mbërrin ta miratojë ligjin që nuk i lejon gratë në poste të larta politike. Pse ndodh kjo? Sepse qeveria e tij është plot me gra. Ato sa vijnë e shtohen.”
U kënaq kur vuri re se më në fund, ia kishte dalë t’ia mbërthente vëmendjen Arlindit. Ky ishte vetëm fillimi. Tani nuk do të kishte më gjë që do të mund ta ndalonte. Rojes, i cili po qëndronte buzë dritares duke parë jashtë, ndërsa hidhte herë pas here vështrimin nga llioni gjasme ishte sidoqoftë i vëmendshëm, i dha një vështrim gati-gati shpërfillës. Ai edhe po ta dëgjonte, Ilioni e dinte se nuk po thoshte asgjë të keqe për veshët e tij. Madje, tani po i dukej se do të mund ta bindte edhe atë shërbëtor të bindur të sistemit që t’u bashkohej atyre. Kauza e tyre ishte aq e vërtetë, saqë mund të tërhiqte në radhët e tyre çdo lloj burri.
“Gratë shtohen, ngaqë ai rrota që ka qenë përpara këtij, nuk e mendoi ta shtonte aty te ligji i migrimit se nuk lejohen të hyjnë në shtet as gratë e shteteve të tjera. Se, shiko çfarë ndodh tani: vërtet gratë e enklavës sonë nuk dalin dot, po ndërsa në shtetet e tjera janë në formim e sipër enklava të reja sipas modelit tonë patriarkal, gratë e tyre po vërshojnë brenda kufijve të shtetit tonë të madh, ngaqë shtetet e tyre për momentin po qeverisen nga forca radikale, kurse te ne dominimi i grave nuk po i lë burrat të ngrenë kokë!”
Arlindi po e dëgjonte me vëmendje këtë herë. E kishte njëfarë ideje të përgjithshme se situata jashtë nuk qe edhe aq ideale sa ç’u ishte premtuar burrave në fillim: bisedat e bashkëvuajtësve mbi këto çështje të nxehta i kishte dëgjuar herë pas here për së largu, por pa u bërë ndonjëherë pjesë e tyre. Ata e kishin inat që nuk përfshihej. Me fytyrën e kuqe, sytë e terratisur dhe damarët e qafës të rrëmbushur nga valoma e mllefit që e kishte kapluar gjatë fjalimit të tij, i forti Sokol Mazi i ishte hakërryer përpara disa ditësh se nuk kishte për t’i shpëtuar dot pa e bërë shembull sesi duhet të trajtohet një burracak. Kjo Arlindin e kishte shqetësuar disi atë mbrëmje, sigurisht. Të nesërmen në mëngjes në mensë, kishte futur tinëzisht në xhep pirunin e një bashkëvuajtësi, teksa dorëzonin tabakatë për t’i larë. Sidoqoftë, punën e Sokolit e kishte harruar shumë shpejt. Pas ndodhisë që e kishte shtënë në burg përpara katër vitesh e gjysmë, i qe bërë sikur e kishte humbur krejt aftësinë për t’u nervozuar, për t’u trembur, për të pasur çfarëdolloj ndjenje që të mos ishte kotësi dhe mërziti e thellë, e pashërueshme.
E megjithatë, tani që po e dëgjonte kushëririn e tij duke folur me aq bindje për çfarëdolloj kauze kishte ardhur ta rekrutonte – ishte e qartë se kishte ardhur për ta rekrutuar në organizatën e tij – iu bë sikur shquajti brenda vetes një hije të asaj që mund të quhej frymëzim ose, së paku, një dëshirë të zbehtë për t’u ndikuar prej fjalimit të tij
“Megjithatë, problemi i vërtetë nuk është shteti i madh,” vazhdoi bindshëm Ilioni, “problemi i vërtetë është këtu, te drejtuesit e enklavës. Kryeburri është i zgjuar kështu, të merr gjak ndër vetull. Ama nuk është i zgjuar mjaftueshëm sa për ta kuptuar atë që e ka mu përpara syve: gllabërimin e pushtetit të fshehtë nga gratë. Politikën e vërtetë po e bëjnë gratë e Kryeburrërisë. Nuk e kupton që e shoqja po ia merr dheun nën këmbë. Ka krijuar kanale të fshehta komunikimi me gratë e tjera dhe po e manipulojnë Kryeburrërinë sipas qejfit. Është një konspiracion i djallëzuar, më i djallëzuar nga ç’mund ta mendosh. Ti, besoj e ke parasysh ligjin për të drejtën e vetëmbrojtjes më mirë nga gjithë të tjerët. Po bëjnë ndryshime, kinse për të shtuar disa nene që mbrojnë burrat në familje me shumë gra, ama në të vërtetë duan të ndryshojnë thelbin, që i lejon burrat të mbrohen fizikisht në rastet kur gratë e tyre janë kurva llapaqene që ua hanë kokën natë për natë me kërkesa, që është fiks rasti yt! E kupton, që nëse Kryeburrëria i miraton ndryshimet në këtë ligj – dhe më beso që kanë për t’i miratuar se ato gratë e tyre ua hanë kokën me të butë – ty të takon dënim si prej vrasësi të zakonshëm?”
Arlindi kruajti fytin. Mendoi se kjo që po i thoshte Ilioni nuk do të qe e mundshme, për shkak se ndryshime të tilla nëpër ligje nuk para kanë fuqi prapavepruese. Nëse do të bëhej asisoj, do të shkaktonte me të vërtetë një skandal të madh dhe revoltë.
“E di që po mendon se ky ligj nuk të prek më, po unë s’do isha kaq i sigurt,” iu përgjigj Ilioni mendimeve të tij, me krekosjen e një profeti, “Kur të them që është puna keq, e kam se është vërtet, vërtet keq. Nuk do të çuditesha po t’jua fusin të gjithëve ju që jeni këtu brenda. Gjithsesi, unë kam besim se do ta tjerrin ca, sa të shikojnë njëherë si do jetë reagimi. Mund të shkojë pesë apo gjashtë muaj, kështu që kjo mund të të shpëtojë. Por kjo e bën misionin tonë akoma më të rëndësishëm dhe rolin tënd, të domosdoshëm.”
“E ç’mund të bëj unë?” e pyeti Arlindi, i druajtur prej vrullit të kushëririt të vet.
“Nëse ne nuk bëjmë zhurmë të madhe, do t’i kalojnë këto ndryshime në ligj pa problem. Ne kemi filluar tashmë të lëshojmë ca kapsolla, po jo ndonjë gjë të madhe. Kemi një plan konkret, për të cilin do të na duhesh ti kur të dalësh. Na duhet dikush që e ka pësuar në kurriz paaftësinë e këtij sistemi për të mbajtur fjalën. Ti ke vuajtur dhe nuk e meriton të jesh këtu sot. Ti do jesh zëri i të gjithë burrave që u është hequr e drejta për të qenë vendimmarrësit në shtëpinë e tyre. Ngaqë ti bëre atë që duhet të bëjë çdo burrë: e vrave bushtrën. Ia qepe gojën njëherë e përgjithmonë dhe triumfove. Dhe për këtë, këta të arrestuan. Nuk ka rëndësi nëse është pesë apo njëzetë vjet: nuk mund të arrestohet një burrë se vë në vend nderin e tij.”
Arlindi kuptoi se i qe tharë fare fyti. U përtyp me vështirësi. Ditët e fundit kishte bërë pak fresk, mirëpo drejtoria e institutit nuk i kishte shpërndarë akoma batanijet e vjeshtës. Mund edhe të ishte ftohur: i ndodhte shpesh të ftohej papritur, pikërisht atëherë kur nuk e priste. Dhe pastaj e kalonte gjithë natën pa gjumë, nga kolla e fortë që i buronte ç’prej mushkërive. Bronshit kronik.
Ilioni ia kishte ngulur sytë dhe po priste prej tij një përgjigje, ndonjë fjalë që të shprehte miratim. Por kushëriri i tij s’po kishte ndërmend të fliste. Si ishte puna me të që rrinte kaq i zgërlaqur përballë një çështjeje që e përfshinte aq shumë? Vështroi orën: kishte shkuar katër pa çerek. Nuk i mbetej shumë kohë për ta bindur, ama do të përpiqej. I duhej t’u mëshonte akoma më fort ndjenjave të tij prej kafshe të lënduar, t’ia zgjonte instinktet e fjetura burrërore. Burgu vërtet që s’e kishte marrë për mirë kushëririn e tij.
“Nuk ka qenë e thjeshtë për ty, apo jo? Të dëgjoje ankesa e dërdëllitje nga mëngjesi deri në darkë, vetëm ngaqë ajo i kishte prindërit punonjës në kryesi. Thuhet se ishte e pakënaqur me çfarëdolloj gjëje, dhe se nuk prekte punë me dorë. E lije në gjumë kur dilje në mëngjes dhe nuk e gjeje në mbrëmje. Shtëpia ishte llahtari për t’u parë. Kundërmonte erë këmbësh dhe lulesh të vdekura ngaqë s’i ujiste kurrë. U je futur ndonjëherë enëve se s’ke pasur ç’të bëje, apo jo?”
Arlindi nuk bënte zë, as nuk pohonte me kokë: vetëm sa lëvizte kokën sa nga e majta, djathtas në mënyrë nervoze, edhe pse shikimi i kishte mbetur njësoj i qetë, teksa vazhdonte ia ngulte sytë ndërsa ai i fliste.
“Dilte shpesh dhe nuk të tregonte se ku po shkonte. Dhe ti duroje, duroje e duroje. Vëzhgoje dhe duroje. Dhe durove derisa situata u bë kaq keq, saqë as prindërit e saj s’do të kishin ç’të thonin më. Prisje zgjuar deri në orën 12 të natës, mbaje vesh zhurmën e makinës së saj ndërsa ajo përpiqej të zinte vend në parkim nja gjysmë ore rresht, se nuk dinte as të parkonte. Je shumë i fortë, kështu është puna. Unë s’do kisha duruar dot kaq gjatë.”
Një tis rozë zu t’ia mërtiste fytyrën kushëririt. Arlindi po merrte frymë me vështirësi, por ndryshe prej Ilionit në fillim, ai dukej se po ia dilte ta kontrollonte veten mjaft mirë. Ilioni vuri buzën në gaz. Fjalët e tij dukej se po bënin efekt, po ia rizgjonin ato dëshira të heshtura hakmarrjeje që e kishin shtyrë Arlindin të vriste të fejuarën e përdalë. Kishte shpresë se mund të merrte një përgjigje pozitive brenda këtij takimi. Ishte vetëm çështje kohe. Duhej ta shtynte akoma më shumë, ta çonte kushëririn buzë greminës, që Arlindi të mos kishte zgjidhje tjetër veçse t’ia zgjaste dorën dhe Ilioni t’ia kapte fort e të mos e linte t’u ikte më.
“Viola ta dridhte, apo jo?” i tha, duke e ulur zërin qëllimisht, që akuza e tij e beftë të tingëllonte akoma më tepër fyese, “Yt atë ia ka treguar tim ati atë që ndodhi. Ia tha troç se bridhte me djelmosha më të rinj dhe qihej nëpër varreza makinash. Të pa që ishe djalë me shkollë, i qetë, i respektueshëm, dhe kujtoi se mund të bënte gili-vili sa të donte. Mua mund të ma pranosh, se kjo nuk të ul përpara syve të mi: përkundrazi. E ke shlyer nderin tënd që kur ia këpute kokën me sëpatë. Dhe jam ndier aq krenar për ty, Arlind. Ta dish, prej teje eci me kokën lart sot e kësaj dite.”
Shikimi i Arlindit u egërsua befas dhe ai u ngrit në këmbë. Kaq ishte, tani mjaftonte t’i zgjaste dorën. Edhe Ilioni u ngrit në këmbë, pa ia shqitur vështrimin ngadhënjyes për asnjë çast. “Jepi, nxirre inatin!” i thoshte përmes atij vështrimi. Roja i hoqi sytë prej dritares dhe u vendos menjëherë në gatishmëri. Ilioni e pa gjithë kapardisje, që ta siguronte se nuk kishte ndonjë problem. Ishin thjesht çështje mes kushërinjsh.
Arlindit i qenë shpeshtuar dihatjet dhe zemra po i trokiste aq fort, saqë iu duk se Ilioni mund t’ia dëgjonte. Vështrimi i tij i mprehtë vetëm sa ia shtonte mllefin. Më në fund, ai instinkti i dikurshëm i sulmuesit, ai që e kishte kujtuar vazhdimisht se ishte gjallë dhe se ishte vetvetja, po i rikthehej. Fjalët e kushëririt të tij e kishin mbushur me urrejtje, një urrejtje sa gërryese aq edhe e ëmbel, aq edhe e njohur. Futi dorën nën rripin e pantallonave dhe kapi pirunin që e kishte fshehur atë mëngjes në ushkurin e brekëve. Sapo preku ftohtësinë e metalit, iu rishfaq përpara syve e gjithë skena e pesë viteve më parë, së bashku me atë zhdërvjelltësinë dhe efikasitetin që ia kishin behur në ato çaste si nga hiçi. Vërviti armën e tij të ftohtë dhe ia nguli Ilionit mu në qafë. Çura gjaku në vishnjë të thellë vërshuan mbi jakën e pahekurosur të kushëririt. I kishte çarë fiks venën kryesore. Ndjeu t’ia kapnin duart dhe ta vinin për poshtë, në dyshemenë me pllaka prej qeramike të lëmuar dhe të ftohtë. E zuri kolla: ishte ftohur vërtet këto netë, me vetëm një çarçaf në dhomë.
“Çfareu beun o Arleeennn,” dëgjoi të murmuriste kushëriri i tij, ndërsa binte losh mbi karrigen e vizitorit.
Dëgjoi rojen të thërriste përforcime. Shpejt, në sallë u shfaqën dy roja të tjera, që rendën për të ndihmuar Ilionin. Tjetri, ai që ruante jashtë derës, iu hakërrye Arlindit me shkopin e gomës.
“Do të shqyej copash, more vesh?! Kaq po të them,” i tha dhe ia fshikulloi një të fortë në fytyrë.
Arlindi ndjeu lëkurën e fytyrës t’i nxehej dhe pastaj t’i mpihej pak nga pak, derisa të nxehtët ia lanë vendin një dhembjeje therëse që ia përloti sytë. Kur e ngritën në këmbë për ta shoqëruar në qelinë e ndëshkimeve, pa se fytyra e kushëririt ishte bërë e bardhë si prej dylli. Ai ia nguli sytë gjithë frikë dhe Arlindit iu duk se ai më në fund e kishte kuptuar, pa qenë e nevojshme t’i shpjegonte asgjë prej gjëje. Violën e kishte vrarë se ashtu ia kishte dashur qejfi, jo ngaqë ajo e kishte tradhtuar apo ishte sjellë keq me të. Në fakt, ajo kishte qenë aq e urtë dhe aq e dëgjuar, saqë Arlindi nuk kishte ditur ç’të bënte me gjithë atë pushtet të porsagjetur, me epërsinë e beftë fizike, përveçse ta kopaniste mirë e mirë çdo mbrëmje përpara gjumit. Pastaj një ditë, kur mamaja e tij i kishte vënë re nxirjet ngjyrë vjollcë në krahët e Vjolës, ai e kishte rrahur mirë e mirë edhe atë. I ati kishte ardhur ta merrte të shoqen i heshtur dhe i dorëzuar. Megjithatë, Vjola nuk guxonte të ankohej. Në përpjekie për të ngrënë sa më pak dru, ajo përpiqej t’i bënte të gjitha gjërat ashtu siç mendonte se i donte ai. Mirëpo, sa më shumë nënshtrohej Viola, aq më i fortë bëhej ai, aq më të vështirë e kishte për të mos rënë pre e tundimit për ta vënë forcën e vet në lëvizje. Dhe një mbrëmje, një mbrëmje të gjatë e të flladitur marsi, ai i kishte zënë pritë në kuzhinë ndërsa ajo gatuante supë, ia kishte vërvitur sëpatën në ajër nja dy herë dhe e kishte goditur mu në mes të kokës, pastaj, pasi ajo kishte rënë, ia kishte këputur për fare atë kokë të vogël e të bukur, me një dëshirë të beftë për të mos e parë atë të plakej si fytyra e zhubravitur e të ëmës.