Ideja se media është pushtet, është kuptuar disi vonë, por vrullshëm nga personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Veçanërisht muajt e fundit, duket sikur portalet me pronësi- ose të paktën të mbështetur dhe të menaxhuar nga VIP-at- po hapen me shpejtësinë e zjarreve në pyjet shqiptare.

I pari që e nisi këtë punë, qe Ermal Mamaqi, i cili rreth 2016-ës, hapi Xing.al. Ndoshta sepse qe i pari, sajti u mor mjaft seriozisht nga audienca, pasi për një kohë të konsiderueshme u rendit ndër 10 portalet më të lexuar në shqip. Dailyxing.al vazhdon të mbetet një prej portaleve më të lexuara të showbiz-it.

Më tej, në tregun në dukje fitimprurës të portaleve hyri edhe ish-kolegu i Mamaqit, humoristi Julian Deda, i cili hapi portalin Juda.al. Për promovimin e portalit i dha dorë shpërndarja e lajmeve në faqen e tij në Facebook, ku aktualisht numëron mbi 300 mijë ndjekës.

Vitin e kaluar, Luana Vjollca bëri një lëvizje mjaft të zgjuar duke filluar në kanalin e saj në Youtube një cikël intervistash të quajtura “After Party”. Pse e zgjuar? Sepse merr në intervistë të ftuarit e emisionit të saj “Shiko Kush Luan”, pa iu dashur të bëjë punë të dyfishtë për t’i telefonuar, organizuar dhe akomoduar. Ndërkaq, videot After Party kanë me qindra mijëra klikime secila.

Po këtë vit, u hap edhe një portal me këtë emër: Afterparty.al, i cili mund të jetë në pronësi të Luanës, apo të paktën është i promovuar prej saj.

Ngjashëm, paralelisht me emisionin e tij në Youtube “Roped”, Olsi Bylyku ka nisur të shpërndajë në Facebook-un e tij me mbi 100 mijë ndjekës lajme nga portal Tirana1, i cili duket se mund të jetë i vetë Olsit.

Nuk mbeti pas në lojën e portaleve as Evi Reçi. Në faqen e saj në Facebook kanë nisur të shfaqen lajme nga portali Tjerr.com. “Tjerr” është titulli i një prej këngëve të Evit. Duhet thënë se nga gjithë pronarët VIP të portaleve që përmendëm deri më tani, Evi është e vetmja e cila është me të vërtetë gazetare. E njohur në Shqipëri si këngëtare apo moderatore, Evi ka shkruajtur për “La Repubblica” në Itali, ku ka mbuluar çështje të rëndësishme të aktualitetit.

Së fundmi, garës VIP të portaleve i është shtuar Klea Huta. Këtë muaj, në Facebook-un e saj kanë nisur të shfaqen lajme nga portali blablabla.al, i cili duket se është në pronësi të vetë këngëtares, aktores dhe moderatores.

Në 2017-ën, AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare deklaroi se në Shqipëri ishin hapur 650 portale lajmesh. Ndonëse me siguri, një pjesë e mirë e tyre nuk i kanë mbijetuar luftës së egër dhe shpeshherë të padrejtë të informacionit që merret përmes rrjeteve sociale, vështirë që gjysma e tyre të jenë mbyllur. Aq më tepër nëse mendojmë se rreth 10 portale VIP-ash janë hapur dhe do të hapen vetëm këtë vit, t’i hysh lojës së portaleve duket një sipërmarrje e vështirë, për një vend kaq të vogël.