SECILI ME RRUGËT E RRUDHAT E VETA.

UROJ,

të rritesh në një familje të madhe ku shpeshhërë për të ngrënë gjërat e mira, duhet të vraposh i pari drejt frigoriferit, sepse ndryshe mbarojnë shpejtë e nuk mjaftojnë për të gjithë, ndihmon që të bëhesh i shkathët e siç e dimë mirë të gjithë praktika fillon që fëmijë.

UROJ,

 të rritesh në një familje të thjeshtë, por me aq shume dashuri për ty e cila nuk do të lejoje kurrë të shkelësh mbi veten.

UROJ,

të rritesh në një familje që kthen pamundesin ne mundesi.

UROJ,

që një ditë të provosh fluturat në bark kur lë vendin ku ke lindur e je rritur për të ndjekur ëndrrën.

UROJ,

të ndihesh të paktën një herë të vetme i/e huaj, por krenar/e.

UROJ,

të falenderosh zotin që je ashtu sic je, se përndryshe bota do të të kishte ngrënë.

UROJ,

të mos kesh frikë nga diversiteti, e reja e mbi të gjitha nga e panjohura.

UROJ,

të mos kesh frikë të ndjesh dashuri për botën pavarësisht të gjithave.

UROJ,

të mos harrosh frustracionet, orët e vitet duke studjuar, punuar, ato që shpenzon akoma për të arritur një fraze perfekte, ose një notë akute më shumë.

UROJ,

të mos harrosh studimin kur zëri e mendimet nuk të pergjigjen, por ti vazhdon të këndosh, të studjosh, të luftosh mes lotësh e nervash me insistim të kotë.

UROJ,

të mos harrosh ato momente kur cdo gjë të hedh në humnerë, por ti vazhdon të ndjekësh një dritë jeshile, edhe pse pa vetedije se ku do të të hedhë.

UROJ,

të mos harrosh t’i besosh të mirës që ke brënda dhe forcës jetësorë që ti mbart, pasi është e vetmja shpresë për ty e të gjithë ata që të rrethojnë.

Nësë do t’i provosh të gjitha këto i/e dashur me kujto.

Unë që po të shkruaj i kam provuar të gjitha e vazhdoj të vrapoj dhe të jetoj cdo ditë të jetës sime me të njëjtin insistim e shpejtesi me të cilën vrapoja drejt frigoriferit…

sepse kam ende uri.

© Hersjana Matmuja