Ish një mbrëmje e ftohtë marsi
Njerëzish të strukur në drithërima habie
A thua s’e dinë se dimri e bën çdo vit një “ta” të fundit para se të largohet
Dhe unë po prisja verën
Unë po prisja radhën në një supermarket
Shtrëngoja në duar një pako çamçakëzash me mente
Jashtë derës prej xhami që hapej e mbyllej si Sesam i pathërritur
Shkëmbeheshin shpërfillje ngjarjesh të vockla jetësore
Një shpërfillje bjonde një barkmadh
Një shpërfillje kokulur një me këpucë me takë
Dhe unë po prisja verën
Në fakt, unë po prisja radhën dhe pse kishte ardhur radha ime
Gjithë ajo shpërfillje të gdhendet në vetëdije
Kasieri më shikon në sy i hutuar
Unë nuk e kam kartën e klientit
Unë nuk jam klient këtu tek ju
Unë kam ardhur deri këtu vetëm sepse po pres verën
Qindarkat tringëllojnë mbi njëra- tjetrën si zile
Dera prej xhami u hap përpara këmbëve të mia
Dhe unë isha gati për të notuar mes acarit
Vetëm sepse po prisja verën
Do të vijë vera, kjo është e sigurt si dielli
Unë kam kohë që e pres por ndonjëherë më tepër rrallë se ndonjëherë
Më duket sikur s’ka për të ardhur asnjëherë
Fundja, kam kaluar gjithë këto vera pa e vënë re se vera kishte ardhur
Sepse unë isha mësuar të prisja verën