Kjo nuk është një odë narciste

Liqeni im është tejmase i trazuar

Për pasqyrime fytyrash të paqta;

Kjo është një odë për trupin tim

Trupi im, që mes shirave të mi fshikullues

Ka stinët e veta të diella e të ngrohta

Priret drejt dritës dimër e verë

Për të qenë i çelur e i plotë kurdoherë

Trupi im ka zërin më të bukur

Por unë ia kam harruar e s’di më t’ia dëgjoj

E përhershmja lodhje e imja m’i shurdhon ninullat

E serotoninës së tij të pashterrshme

Trupi im nuk di të notojë

Por në stuhitë e mia të herëpashershme

Është më i zhdërvjellët se vetë Michael Phelps.

Trupi im është gjithçka do doja të isha,

I fortë, i bindur dhe i duruar

Por unë atij i ngjaj më pak sesa i ngjaj vetes ndonjëherë.