Era

Në qytet nuk para kishte ndonjë aktivitet të veçantë për të shtyrë pasditet. Përveç rasteve të festave kur bashkia organizonte ndonjë koncert me këngëtarë dhe valltarë të dorës së dytë, i vetmi argëtim për të rinjtë mbetej shëtitja në pedonalen e vogël, e cila ishte projektuar për të mos ndenjur jashtë më shumë se dy- tri orë. As birra, as verë të nxehtë dhe madje as kokoshka sa për të mbllaçitur diçka teksa dëgjonte bisedat e mërzitshme të shoqes, nuk kishte në atë shëtitore. Ndaj, kur më në fund arriti të shkëputej nga Viola dhe rastësisht i pikasi syri një afishë nga ato të fotokopjuarat me mililitrat e fundit të bojës, Era i ndali hapat edhe pse pa kurrfarë kurreshtjeje prej vërteti.

“Treni i lojërave për të rritur”- shkruhej me gërma të zbehta të mëdha. Më poshtë, me një shkrim të imët italik që mezi dallohej, vijonte shpjegimi më gjenerik që mund të kishte lexuar ndonjëherë, i shoqëruar nga një numër telefoni.

“Përvoja që do t’ju shndërrojë në mënyrë të pakthyeshme. Krijuar për ata që ndihen më të vegjël se vetja dhe shumë më të rritur se të tjerët.

Nisja bëhet të hënën në 5 të mëngjesit, tek stacioni më i afërt i shtëpisë suaj.

Mendohu mirë para se të telefonosh; mos harro se konsiderohesh i paralajmëruar.”

Kushdo ta kishte përpiluar këtë reklamë, qartas i dukej vetja mjeshtër i manipulimit përmes psikologjisë së kundërt, por harronte se njerëzit kishin parë boll filma sa për të mos rënë pre. Pikërisht prej ripërsëritjes së klisheve të tilla, Erës i kishin ardhur në majë të hundës filmat horror, sepse nuk e trembnin më.

Kur shkoi në shtëpi, u zu përsëri me të vëllanë e vogël, sepse atë e kishte prapë gjumi mbi krevatin e saj.

“Futu në dush dhe fërkohu me tel!”,- i ulëriti.

Ai u ngrit rëndë- rëndë dhe me një përtesë memece, shkoi e ia futi gjumit duke gërhitur mbi krevatin e vet protativ. Era e vështroi një copë here, duke vrarë mendjen për të njëmijtën se përse prindërit kishin vendosur të bënin një fëmijë të dytë, kur e dinin se do ta kalonin gjithë jetën në punë, nga mëngjesi në darkë dhe atëherë, ktheheshin të lodhur sa për të mos pyetur as se në ç’shtrat i zinte nata kalamajtë.

Joana

Teksa qëronte në heshtje patatet, në kokë i kumbonin fjalët e mesazhit të fundit:

“Jam shumë i zënë këtë javë. Flasim nga java tjetër.”

Pasi kishin kaluar dy ditë e dy net në shtëpinë e tij, duke gatuar e duke bërë dashuri pa pushim saqë një herë patatet i ishin bërë shkrumb në tigan, Ernesti ishte zhdukur nga faqja e dheut.

Me shijen e fjalëve të tij të ëmbla në buzë, Joanës i ish’ prerë oreksi një javë rresht, derisa një mëngjes teksa shikonte veten në pasqyrën e tualetit, e kuptoi: e kishin mashtruar. Aty për aty, vendosi të merrte hak: do ta telefononte, do t’i linte takim tek apartamenti i tij, do ta lidhte pas krevatit me pranga dhe, si nëpër filma, do ta braktiste si qyqar një natë përpara fillimit të leksioneve të tij në universitet.

Mirëpo, Ernesti jo vetëm nuk i ishte përgjigjur në telefon, por ishte kujtuar t’i kthente përgjigje mesazhit të saj pas tri ditësh. Në këtë pikë, plani i saj dilte jashtë loje. Do të mbetej përgjithmonë një shushkë budallaçkë që kishte shkuar me profesorin, i cili për më tepër një vit më parë e kishte ngelur.

S’kishte fytyrë të shkonte në universitet për të marrë datat e provimeve të vjeshtës, kështu që e ndau mendjen të mbyllej në shtëpi për javët e ardhshme. Mirëpo, teksa ishte përhumbur në mendime vetëvrasëse, kundërmimi mbytës i patateve të djegura i çau flegrat e hundës.

“Derr muti!”, shau dhe pasi hapi dyer e dritare, doli me vrap të hidhte në kosh të plehrave provat e pakujdesisë që me siguri do ta çmendte babain nevrik.

Teksa kthehej në shtëpi e hutuar, u pengua dhe desh u plas pas shtyllës së korrentit. Mirëpo, s’qe e thënë të vdiste aq thjesht dhe teksa përpiqej të rifitonte ekuilibrin, i tërhoqi vëmendjen një afishe bardh’ e zi e ngjitur në shtyllë:

“Treni i lojërave për të rritur”, arriti të deshifronte mes lotësh.

Si e lexoi të tërën pa kuptuar kurrfarë gjëje, u mundua të fiksonte numrin e telefonit, tanimë e vendosur të ikte diku larg, ngado ta degëdisnin.

Olti

Gjithë siklet, po vëzhgonte me bisht të syrit bjonden tek tavolina ngjitur. Ajo rrinte vetëm, pinte cigare, lexonte një libër dhe herë pas here, shkëputej prej tij për t’i ngulur sytë diku tej. Ishte tamam varianti i tij femër, duke qenë se edhe atij i pëlqente të vriste kohën vetëm, duke pirë cigare dhe ndonëse s’lexonte kurrë një libër, shkruante skenare filmash të shkurtër në kërkim të subjektit të përsosur për të marrë pjesë në festivalin e filmit që zhvillohej çdo vit në kryeqytet.

Kjo e fundit, i dukej historia më e mirë që kishte krijuar deri më tani. Ndonëse kishte mbaruar vetëm dy skenat e para, e kishte të qartë sesi do të zhvilloheshin personazhet e tij dhe vajza ngjitur dukej si e gdhendur me dorë për rolin protagonist. Në pamje e ftohtë si një skandinave, e pavarur dhe e mendueshme; Olti i kish’ rënë në të përse Alfred Hitchcock zgjidhte vetëm bjondinat për filmat e tij horror.

Aq e sigurt në vetvete dukej, sa atij nuk po i vinte në mend asnjë frazë që të tingëllonte e denjë për të hyrë në bisedë me të. Babai dikur i pat’ treguar se xhaxhai, që ishte regjisor me nam në kryeqytet, fiks kështu e kishte gjetur protagonistin e filmit që mori çmim në një festival në Zvicër. E kishte pikasur në një kafene dhe i qe ulur në tavolinë pa e pyetur fare. Mirëpo, s’ishte aq e thjeshtë sepse në këtë rast hynte në mes edhe ndrojtja e Oltit përpara femrave në pergjithësi, aq më tepër me një bjonde aq simpatike.

Si s’e gjeti që s’e gjeti një mënyrë për të mos u dukur si përndjekës pervers, vendosi t’i ulej në tavolinë dhe t’ia bënte të qartë qysh prej fillimit qëllimin e tij: “Unë jam regjisor. Do të bëhesh aktore kryesore?” Kushdo të ishte, më e pakta që mund të bënte do të ishte ta linte të fliste.

Mori frymë thellë dhe, teksa kontrollonte mos pa e vënë re i ishte hapur zinxhiri i pantallonave, vuri re një siluetë madhoshe që afrohej, e shkoi e u ul mu përballë tij, tek tavolina e bukuroshes. S’deshi ta kthente kokën, veç mbajti vesh dhe tingulli i thatë i puthjes në buzë iu ngatërrua me zhurmën e shatërvanit të pistë në mes të lokalit. Pas kësaj, dy të dashuruarit nisën të shkëmbenin biseda të thjeshta nga përditshmëria, që Olti s’i honepste dot.

S’iu duk me vlerë të luftonte me veten për t’iu afruar gjithsesi në tavolinë dhe t’ia ofronte rolin në sy të të dashurit. Ai bullafiq brun leshator, krejt e kundërta e saj, me siguri do të ishte nga ata xhelozët e sëmurë që e lidhin me zinxhirë të dashurën më të mirë se vetja.

Kështu, u ngrit të paguante faturën dhe teksa priste kusurin, ia hodhi sytë vajzës, që kishte mbështetur kokën mbi pëllëmbën bufe të madhoshit. E parë nga përballë, ajo s’ishte ndonjë ç’o çfarë, siç e kishte imagjinuar.

Me të dalë nga lokali, mu tek muri përballë iu shfaq afishja ku shkruhej:
“Treni i lojërave për të rritur”. S’kishte pse ngarendte pas bjondeve nëpër lokale. Ai tren i pazakontë me siguri do të ishte vendi i duhur për të takuar vajza të reja, të bukura dhe me të vërtetë interesante, që nuk kishin frikë të niseshin diku pa të dashurit e tyre.

Viola

“Përvoja që do t’ju shndërrojë në mënyrë të pakthyeshme. Krijuar për ata që ndihen më të vegjël se vetja dhe shumë më të rritur se të tjerët.”

E diela ishte dita më e urryer për Violën. Asnjë prej shoqeve të saj nuk e shkelte zakonin e të ndenjurit në shtëpi me familjen, kurse Viola nuk ndjente ndonjë lloj përkatësie në shtëpinë e saj. Jo vetëm sepse nuk e kishin tapinë në emrin e tyre, por mbi të gjitha sepse në atë apartament 2+1 flinin prindërit e saj, dy motrat e mëdha dhe gjyshërit që qelbeshin nga kalbësira e 90 viteve të kaluara ulur, në divanin e kuzhinës pa bërë biseda më të gjata se pyetje- përgjigje mbi gjellën.

Kështu, ajo që fillimisht iu duk si një mashtrim për të zhvatur para nga banorët naivë të atij qyteti të vogël, tani po i bëhej gjithmonë e më interesante. Numrin e kishte shënuar me idenë për të marrë vesh kush qëndronte pas “trenit të lojërave për të rritur”. Dhe, mendoi se nuk do ta gjente gjë sikur të telefononte një herë, fundja nuk do ta rrëmbente njeri në mes të natës për ta hipur me forcë në vagonin e fundit bashkë me pesë kufoma pleqsh. Ha- ha. Kjo po që do ishte një ide brilante për të argëtuar veten: të rezervonte dy bileta për gjyshërit.

Nga emri, “treni i lojërave për të rritur” mund të ishte fare mirë një bordello mbi shina. Me gjasë, ishte pikërisht kështu dhe s’do të quhej krim t’i rikujtonte gjyshit kohërat e kaluara, kur nuk i plaste fare për kurvat e qytetit ngaqë kishte qenë i paparë për t’ua marrë mendjen vajzave të reja, saqë ishte kthyer në tmerrin e mamave. Violës i vinte keq edhe për gjyshen, sepse ajo s’kishte prekur kurrë një burrë që të mos quhej Hysni dhe që nuk i jepte urdhra të sojit: “Lëre groshën gjysmë ore të lëshojë tul”.

Pip- pipi u dëgjua katër herë. Të pestën, u ndërpre dhe u zëvendëdua nga sinjali i linjës së zënë. Mos ia kishin fikur?

E diela vazhdonte të ishte e dielë dhe ëndrra për t’ua shpërblyer majmë gjyshërve që e kishin rritur, u zbeh bashkë me hijen e kangjellave mbi perde. Me gjasë, dikush pas telefonit po tallej me të, sepse kishte rënë në kurth.

Me të rënë perëndimi, u rrotullua nëpër shtrat për të fjetur, ndërsa të motrat ishin palosur sa kishin vënë kokën mbi nënkresë. Por, sa më shumë e mendonte, aq më shumë e mbërthente paniku se mos ndonjë psikopat e kishte vendosur atë numër për të hakuar përmes telefonit, vendndodhjet e naiveve kurreshtare si ajo, për t’i ndëshkuar me ndonjë përdhunim në mes të natës.

Megjithatë nuk vonoi shumë që gjumi më i ëmbël që kishte provuar prej kohësh, t’ia shkartiste frikërat në një seri ëndrrash erotike, në të cilat nuk e dallonte dot kush ishte vajza që po e çonte në qiellin e shtatë, me shpejtësinë e çaf- çufeve të një treni magjik që shkiste mbi re të pambukta. Ishte e hënë.

Hysniu

“Drita! Çohu moj, se më plase! Ora 5!”

Drita ishte mbledhur kulaç në mes të krevatit, si çdo mëngjes kur ai zgjohej përpara saj i uritur dhe i trembur nga vetmia. Ia tërhoqi çarçafin fort duke zbuluar ijët e holla dhe të veshura me lëkurën e varur të së shoqes, që u mundua t’i fshihte me duar si t’i vinte turp se mos e shikonte ai.

Hysniu e dinte; Drita e kishte patur kahera merak që ai të mos ia shikonte gjymtyrët e plakura në dritë të diellit. Por për të, s’kishte ndonjë ndryshim të madh; edhe e njomë po të ishte Drita, ai i shkreti s’i punonte mirë që tash’ e 20 vite.

– Çohu moj të thashë! Drita… Mirë pra, do dal vetëm.

Gruaja hapi sytë, i dha një shikim gjithë inat dhe tërhoqi përsëri çarçafin.

– Ik! Vetëm!

Hysniu i ra fort me shkelm këmbës së krevatit, vrau këmbën e vet dhe çalë- çalë, shkoi e mori pantallonat duke e përplasur derën e dollapit me sa fuqi i kishte mbetur. U vesh duke bërë sa më shumë zhurmë të mundej, por Drita prapë bënte sikur flinte.

– Do iki vetëm, pse ç’mendon zotrote, se nuk iki dot vetëm?

Drita hiç. Mbërtheu rripin dhe mallkoi me zë të lartë, sepse kuptoi se kishte marrë prapë atë rripin që i rrinte i madh edhe pse kishte sajuar një vrimë të 11-të me thikë.

– Le të flasë Hysni Pordha, Dritës i përton prapanica ta hedhë në plehra rripin. Më doli goja mbrapa.

Viktimizimi e bëri efektin e vet, sepse pas ca çastesh ndjeu të shoqen të lëvizte pas tij, teksa shkoi, mori rripin e ri dhe ia dha duke ia tërhequr atë të vjetrin prej mesi. Si e këqyri një copë herë, Drita mblodhi buzët dhe ia bëri:

– Dukesh si zhelaq. M’i jep të t’i hekuros.

Hysniu u zhvesh dhe, i kënaqur që ia doli ta linte të shoqen pa gjumë edhe këtë mëngjes, zu të krihej tek pasqyra e koridorit gjithë pamje pispilluqi.

Pa bërë zë për të mos zgjuar djalin, nusen, dhe tre mbesat që flinin në kuzhinë, Drita mbaroi punë me hekurin brenda 5 minutave dhe për vete u bë gati në po aq kohë sa iu desh Hysniut për t’u veshur edhe një herë.

Nuk kishte mëngjes që të mos i jepte meritë vetes për nusen që kish’ zgjedhur 60 vite të shkuara, kur përveçse e papërtuar dhe nikoqire e lindur, Drita kishte qenë edhe yll e bukur, me cicat e forta e të ngritura dhe vithet e rrumbullakëta me majë.

E megjithatë, ajo për të cilën ia dinte falë së shoqes, ishte besnikëria e verbër me të cilën e ndiqte nga pas në çmenduritë e tij që s’kishin të sosur as sot, kur fshehurazi njëri- tjetrit, të dy luteshin që ora kur do t’i shplodhnin kockat njëherë e përgjithmonë, të qe e paqtë dhe e përbashkët.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, Drita nuk bëri ndonjë rezistencë kur ai i shprehu dëshirën për të shkuar tek ai vendi me lojëra të rriturish. E priu të shoqen jashtë derës duke e përplasur edhe atë plot zhurmë. Çfarëdo të ndodhte, uroi që ndonjëra nga mbesat ta kish dëgjuar krismën e tij.

Viola

E trembur nga zhurma e derës që u përplas, Viola doli me vrap në dritare kur, ç’te shikonte?! Gjyshi, bashkë me gjyshen që i ish mbështetur në krah, kishin marrë rrugën drejt rrugës kryesore. Hapi dhe një herë gojën dhe, si u ftillua, doli me vrap pas tyre, duke e mbyllur derën ngadalë, për të mos zgjuar të tjerët.

Edhe pse mezi ecnin, iu desh ca sa t’i arrinte pleqtë kokëkrisur që kur e panë duke vrapuar pas tyre, ndaluan duke kapsallitur sytë.

– Ku shkoni??

Hysniu mori atë pamjen hijerëndë që e përdorte si vetëmbrojtje sa herë e kapnin në faj.

– Po thamë, të bëjmë një shëtitje mëngjesi po, të lënë zorrët e zorrëve tona…

Viola e vështroi gjithë mosbesim gjyshin, dhe ai s’e mbajti dot për më gjatë qëndrimin tuhaf.

– Po ja, po vemi diku. Duhet të të marr leje?

Viola tregoi me gisht nga gjyshja.

– Nënè, e ke me qejf? Thuaj të drejtën.

Drita nuk foli.