3000 vjet dejavu
Ti vetë në grupet e kafeneve, që janë zëvendësuar nga grupe Whatsapp-i, je nga ata që kur dëgjon fjalën shtëpiake, je gati të prishësh fytyrën apo fjalorin, duke paragjykuar pa menduar, madje duke mos dashur as të dish detaje nga kjo X HISTORI.
Është kjo ajo që meritojnë vajzat? Të shndërrohen në X, e panjohura e mirëqënë e ekuacionit jetë?
70 vjet më parë ëndrra e çdo vajze në Amerikë ishte Princi, fëmijët dhe një shtëpi ku të vritej koha në kontekstin e forcuar nga shoqëria të fjalës dinjitet. S’di në fund të jetës, Shën Pjetrit këto gra, cfarë i rrëfenin? Ndoshta receta gatimi…shoqëruar me një buzëqeshje Monalize, që vetëm ato dhe Leonardo, e dinë ç’përmban.
Në Shqipëri nuk e di nëse në ato vite gratë kishin ëndrra. Edhe ato që i kishin ua merrte shteti bashkë me shpirtin. Por kjo është një tjetër histori.
Përpara 60 vjetësh Betty Friedan shkruante për këtë dukuri, të fshehjes së ndjesisë të të qenurit e pamjaftueshme, të cilën e quajti, problemi që nuk ka emër.
E ky problemi që nuk ka emër jeton dhe sot. Ndoshta pikërisht për këtë arsye. Emrin.
Si mund ta quajmë pra, pamundësinë për të zgjedhur midis të qenurit shtëpiake dhe karrierës?
Debati sot është i hapur. Flitet nga profesionistë psikologë, mjekë, analistë të dhënash në TedTalks, në shkrime, debate televizive që nga një vesh na hyjnë dhe nga tjetri na dalin. Me vetëdije gjithsesi na duket më interesant dikush që fshihet pas një titulli kur prezantohet. “Ky është Geri. Është astronaut”
I cili përballë Anës, shtëpiake, ka fituar çdo betejë.
Po ti që i jep statusin, e di që arsyet kryesore të ankthit, depresionit, listës së gjatë të problemeve të shëndetit mendor dhe emocional janë të ndjerit të pamjaftueshëm dhe të parealizuar. Këto probleme përballë shëndetit fizik kanë 50% probabilitet të shkaktojnë vdekje. Dhe nuk është shpikur ende eliksiri që të bën të pavdekshëm. Gratë nga natyra kanë nevojë të jenë pjesë e një rrethi social më shumë se burrat. E mendon dot se cfarë u ka shaktuar shtëpiakeve pandemia?
E di që në ndërrimin e pelenës nuk ka asgjë interesante. Por nëse bisedon 2 minuta me atë astronautin, do kuptosh që nuk është perfekt. Do kuptosh që statusi nuk e bën njeriun.
Do kujtosh që edhe ty i njëjti njeri që të ndërroi pelenat të fali vitet më të mira duke mohuar veten. Ty që je brezi i smartphone. Që me një prekje ekrani mund të shkosh në Mars, pa nevojën e astronautit. E sërish nuk je në gjëndje të përmbahesh për të mos paragjykuar e rrjedhimisht mos pranuar të dish më shumë për një shtëpiake. Për të mos i dhënë asaj qoftë moralisht të drejtën të zgjedhë. Vetëm kaq mjafton.
Cfarë çmimi t’i vëmë koleksionit të Monalizave të shekullit që jetojmë?
T’i lëmë në një muze do ishte idealja, nga i cili të dalin në jetën reale vetëm nëse zgjedhin vet, e nëse rrinë aty, t’i vizitojmë vetëm për të mos harruar, që buzëqeshjet t’i shohim të plota e të dimë që ndihmuam t’i shkaktojmë.
(Shkrimi u frymëzua nga “The problem that has no name” nga Betty Friedan dhe “The Mona Lisa smile” film me protagoniste Julia Roberts)