Të hënën, ajo që mblodhi njerëzit tek Botanica nuk ishte vetëm ushqimi dhe vera e mirë, por gjithashtu një mbrëmje poetike.
Një organizim i pavarur i juristes me kohë të plotë-poete gjatë gjithë kohës Dori Guxo, mbrëmja shënoi eventin e dytë të këtij lloji tek lokali i njohur, këtë herë me Urim Aliajn si interpretues kryesorë dhe të ftuar poetët e rinj të skenës së nëndheshme të letërsisë shqiptare.
Uendi Morava, Bujar Hoxhaj dhe Genta Hodo interpretuan klasikë dhe modernë të poezisë shqiptare dhe botërore, nën muzikën e DJ Ad Dishës. Sidoqoftë, duhet thënë se “ylli” i mbrëmjes ishin poezitë e vetë poetëve të pranishëm; Dorit, Bujos, Uendit dhe Gentës.
I ftuari special- pa dijeninë e tij- qe Sokol Çunga, historiani me një prekje mjaft bashkëkohore kur vjen fjala tek përkthimet e poezisë greke, disa nga të cilat i ka përmbledhur në antologji me shtëpinë botuese Berk, por edhe kur vjen fjala tek krijimet origjinale, dy prej të cilave i interpretoi gjatë mbrëmjes me poezi dhe verë.
Kur do të ndodhë një mbrëmje tjetër me poezi dhe verë?
Sipas organizatores Dori Guxo, nuk ka akoma datë për një mbrëmje tjetër. Duke qenë një organizim i pavarur, mbetet të bashkohen përsëri dëshirat e të gjithë atyre që shkruajnë, atyre që interpretojnë dhe atyre të cilët e shijojnë poezinë si verën e mirë tek Botanica dhe duhet thënë se këta rezulton të jenë të shumtë.
Në vijim, “Përgjumësh” do të publikojë disa nga krijimet origjinale që u interpretuan gjatë mbrëmjes.