Ju e dini se ajo çfarë më dallon është sinqeriteti. Përgjumësh mbetet një blog personal, ndaj për mua është e rëndësishme që temat që trajtohen këtu të përcjellin vërtetësi dhe shumëkush ta gjejë veten. Kështu që, për të mos dalë jashtë karakterit, më duhet ta them që në krye të herës se gjatë këtij viti kam qenë në një marrëdhenie të vështirë profesionale, ndaj edhe u nxita të bëja këtë shkrim.
Njësoj si në marrëdhëniet romantike, ndonjëherë edhe në ato profesionalet, pikëpamjet e punonjësit për të tashmen dhe për të ardhmen nuk puqen me ato të punëdhënësin dhe sigurisht, gjithashtu e anasjellta. Njësoj si me marrëdhëniet romantike, ndonjëherë punonjësi i ka të gjitha gjasat për të dhënë më të mirën, por mund t’i qëllojë një vjehrrë pakëz gërrnjare. Të gjithë e dimë se marrëdhëniet dypalëshe nuk janë edhe aq dypalëshe. Kështu që të paturit një vjehrrë të mirë është tepër e rëndësishme, aq më tepër në punë.
Nga ana tjetër, mund të rastisë që punonjësi mund të jetë në fillimet e veta, por vjehrra në këtë rast nuk e ka kuptuar se në fakt i kanë shterruar nervat dhe thellë-thellë do një punonjës me përvojë, le ta quajmë një vjehrrë mendjehapur e cila parapëlqen një nuse që ka patur shumë marrëdhënie dhe që mund ta sjellë të birin pas gishtit, sesa një nuse e cila është e re, gabon, e megjithatë nuk e ka mësuar akoma artin e brishtë të manipulimit dhe është e vërtetë në qëllimshmëritë e saj.
Nuk është për t’u shqetësuar. Nuk jeni duke lexuar një shkrim seksist, i cili i mëshon stereotipit se vjehrra nuk e do nusen. Po përpiqet thjesht të thotë, se ndonjëherë sado të përpiqesh, të keqen nuk e shndërron dot në të mirë. Ndonjëherë, dhe kjo sigurisht nuk ka absolutisht, as qoftë edhe tangent lidhje me raste personale të miat, ti dhe punonjësi yt jeni një histori e pamundur dashurie, si ato telenovelat me intriga dhe personazhe bardh’ e zi- të mirët dhe të këqinjtë, që të bëjnë 1001 e të zezat. E mbani mend Marian, të cilën e hodhën nga kati i gjashtë, e rrëzuan nga shkallët dhe abortoi fëmijën, e shtypën me makinë dhe në fund jetoi e lumtur pas 160 serive? Në jetën e vërtetë, Maria mund të mos ketë aspak fund të lumtur dhe e mira mund të mos fitojë gjithmonë. Kjo sepse personazhet e telenovelave kinse motivohen nga dashuria, kurse personazhet e jetës së vërtetë motivohen nga pazare të padrejta parash, të cilat bien gjithmonë në kurriz të më dobtëve. Falë Zotit që kjo s’më ka ndodhur mua. Po përpiqem thjesht të bëj një korelacion të thjeshtë, për të thënë se ndonjëherë, ne me punëdhënësin nuk puqemi për arsye të shumta.
Por le të dalim në temë, pas kësaj hyrjeje të gjatë dhe tërësisht të trilluar. Teksa bënim bisedën e përditshme- sepse le ta pranojmë se në kompanitë private në Shqipëri s’ka veçse biseda të mërzitshme- mbi mundësitë e punësimit dhe intervistat e punës, erdhi një kostatim sa i thjeshtë aq edhe me shumë shtresa kuptimore, falë të cilit ju keni sot këtë shkrim të magjishëm: Largimi nga puna, mund të jetë më tepër tabu sesa vetë divorci, dikur një arsye për të linçuar publikisht, veçanërisht gratë e divorcuara.
Në 2019-ën, kishim 26.1 divorce për 100 martesa. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i divorceve ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në rreth 6 mijë, me një tkurrje prej 26.45 me vitin e mëparshëm. Kurse në tremujorin e parë të vitit 2020, në vetëm 30 ditë kanë humbur vendin e punës 61 mijë persona duke rritur papunësinë në vend me 37 %. Largimet masive nga puna erdhën për shkak të situatës së pandemisë. Është e qartë se heqja nga puna është më e shpejtë dhe më e lehtë për t’u realizuar sesa ndarja nga partneri. E megjithatë, t’i thuash dikujt se të kanë hequr, apo se je larguar, është një blasfemi.
Duket sikur punonjësit shqiptarë kanë gjetur një status quo të volitshme, përmes së cilës mbajnë një pozitë superiore karshi punëkërkuesit. Kjo sigurisht, diktohet edhe nga fakti se intervistat i bën punëdhënësi, jo punëmarrësi, një praktikë globale e cila vijon prej shekujsh, pasi punonjësi shikohet si nevojtari, ai i cili ka nevojë për para.
Por, le të ndalemi pak në këtë argument dhe të lëvizim në hapësirë. Nëpër botë, gjatë pandemisë ka lindur një trend i ri, i quajtur “intervista e qëndrimit në punë”. Mes gjithë pasigurisë që ka shkaktuar pandemia, punëdhënësit po pyesin punonjësit se çfarë i motivon që të qëndrojnë në punë. Një intervistë qëndrimi fokusohet në atë se çfarë mund të jetë më e mirë në lidhje me përvojën e tyre të punës dhe se si ata parashikojnë fazën tjetër të karrierës së tyre brenda organizatës.
Është e kotë të thuash se kjo bisedë, në shumicën e kompanive shqiptare, nuk ka gjasat më të vogla që të ndodhë. Në këto kushte, mes punonjësve krijohen qejfmbetje, të cilat edhe pse në raste të shumta mund të jenë të ekzagjeruara nga demonizimi që u bëhet gjerësisht “shefave”, në thelb e kanë një të vërtetë të madhe: punonjësit shqiptarë janë të nënpaguar, të mbipunuar dhe të trajtuar si qenie inferiore.
Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2021 është 56.019 lekë, duke u rritur me 5,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Kjo shifër është tejmase nënvlerësuese jo vetëm financiarisht, por edhe moralisht për një nëpunës. Financiarisht sepse, gjatë këtij viti kemi dëshmuar një fryrje të pazakontë të kostove të qirave dhe çmimeve të shtëpive. Paga mesatare nuk lejon hapësirë për të vënë lekë mënjanë, duke llogaritur një qira mesatare prej 30,000 Lekësh të reja, ujin, dritat, internetin dhe ushqimet. Rrjedhimisht, një shtëpi e blerë mbetet një ëndërr e largët për shumicën e punonjësve shqiptarë.
Megjithatë, sado paga mbetet treguesi kryesor, për shumë punonjës ajo që përbën një dëm të madh vetjak nga vendi i punës mbetet mënyra sesi adresohen problemet e tij. Thënë shqip, punëdhënësit s’e marrin parasysh fare asnjë pakënaqësi nga ana e punonjësit. Këtë e dëshmon më së miri mungesa e sindikatave, ose mjetëzimi i tyre nga ana e të pushtetshmëve. Ka një mungesë të thellë besimi tek sistemi i punësimit.
Në prill të vitit të kaluar Ola Mitre raportoi për Reporter.al se përpjekjet 2-vjeçare të Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë detyruan një prej kompanive call center në Tiranë që të paguante më në fund pas tre vjetësh, punën në ditë festash të punonjësve të saj. Ky u konsiderua si një simbol shprese për punonjësit shpresëthyer.
Nga ana tjetër, duke patur një humnerë mes punonjësit mesatar dhe punonjësit të mirëpaguar, krijohen kushtet që edhe punonjësi i mirëpaguar të trajtohet në mënyrë jo etike, duke qenë se punëdhënësi supozon se frika e punonjësit për të kaluar në anën tjetër, në atë të punonjësve “të vobektë” të sistemit, do ta detyrojë atë të shkelë mbi çdo parim etik dhe mbi integritetin e vet.
Në këtë mes, asnjë punonjës nuk ka si të dalë i fituar.
Sidoqoftë, duhen parë të dyja anët e medaljes. Paranojat e drejtuesve të kompanive shqiptare që menaxhojnë me dorë të hekurt janë se punonjësi mund t’i bëjë bisht punës. Në fakt, sipas një raporti të INSTAT-it në 2016-ën, shqiptarët punonin 42.9 orë në jave. Por, në gjithë këto orë pune, mbase nuk bëjmë edhe aq shumë punë sa mund të duket.
Një raport i mëparshëm i Bankës Botërore gjeti se në treguesin e produktivitetit të dukshëm të punës, të matur përmes Vlerës Bruto të Shtuar (VBSH) për punonjës (prodhimit për punonjës), Shqipëria renditet e fundit në rajon. Për vendin tonë, ky tregues është pak më shumë se 10 mijë dollarë në vitin 2015 (e matur me dollar konstantë 2010), nga gati 15 mijë dollarë që është mesatarja e gjithë Ballkanit Perëndimor.
Por, unë do të doja ta shikoja në kahun tjetër. A mos është pikërisht menaxhimi rigorozisht hierarkik ai i cili nuk po di të nxjerrë më të mirën nga punonjësit? Qartazi, kjo metodë punë nuk funksionon. I vetmi përfitim që sjell, është për egon e drejtuesve. Kompleksi i shefllëkut, le ta quajmë. Mirëpo ne në punë nuk shkojmë për të përmbushur standartet personale të ndokujt. Shkojmë për, e gjetët: shkojmë për të bërë punën. Fakti që kemi akoma probleme me këtë dhe që vijojmë të shqetësohemi për konflikte të nivelit personal, duhet të përbëjë një shqetësim tepër të madh për të gjithë.
Shumë prej nesh jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe, sa herë komunikojmë me njëri-tjetrin, këshillohemi që të “rrimë urtë se nuk i dihet”, në raste flagrante shkeljeje të drejtash nga ana e punëdhënësit. Kjo sepse është e vërtetë se stafeta i mbetet punëdhënësit, na pëlqen apo jo ne.
Por, duke qenë të gjithë të vetëdijshëm se situata është tepër disavantazhuese për punonjësin, atëherë përse largimi nga puna është një tabu kaq e madhe? Kur do të fillojmë t’i bëjmë punëdhënësit pyetjet e duhura në intervista pune, pa u druajtur? Nëse punonjësit i takon të mbajë peshën teknike të kompanisë dhe ekonomike të shtëpisë, shtoji kësaj edhe peshën e pamasë të egos së drejtuesve të pazgjedhur, zgjedhja duhet t’i takojë atij. Ndarja pastaj, le te mbetet per mosperputhje karakteresh.