Anida Collection, faqja me emër butiku e cila tani është e famshme si “faqja e Giveaway-ve” njihet si “fajtori” për përhapjen e manisë së giveaway-ve dy- tri vite më parë.

Por ndërsa kur Anida bënte giveaway, i rezultonin të suksesshme duke qenë ndër të paktat faqe shqiptare që e ushtronte këtë praktikë, sot të shpallurit giveaway tingëllon si gjëja më bajate në internet.

Fillimisht vetëm me influencer që kishin nevojë për ndjekës apo faqe biznesi, më pas giveaway-t i bënë edhe personazhet më të famshme të shoëbiz-it, të cilët pranuan të kompromentojnë sqimën e vet për të kërkuar haptazi ndjekës në Instagram, të joshur nga shumat e majme që u paguanin kompanitë që donin të reklamoheshin në faqet e VIP-ave shqiptarë.

Megjithatë, nuk jeni vetëm ju që ju ka ardhur në majë të hundës nga giveaway-t. Njerëz të cilët dinë si të bëjnë para nga rrjetet sociale- si Anaid Kaloti, drejtues i Shet Influencer Industry- kanë arsye të besojnë se mania e giveaway-ve duhet të marrë fund sa më shpejt.

Nëse keni menduar të bëni giveaway, ja ku po themi: “Mos!”.

 “Kompanitë në fakt përveçse nuk fitojnë, dëmtohen nga ky giveaëay i shpikur së fundmi nga shqiptarë të painformuar”, thotë Kaloti, duke lënë menjanë korrektësinë politike, “Si dëmtohen?! Shumë e qartë! Një klient i yni, i cili para ca kohësh mori pjesë në një giveaway, përveçse nuk sponsorizon dot më asnjë postim të tijin, ka kaluar në gjendje shadowban (gjendje hije e vendosur nga IG). Engagement i faqes së tij bie dita- ditës dhe në fund, përfundojmë me një faqe me 100 mijë ndjekës që merr 5 like për foto.”

“Fama e giveaway-t zgjat pak më pak se fama e Big Brother-it dhe pak më shumë se ajo e Përputhen”, është krahasimi i fituesit të Big Brother.

Por, a ka një mënyrë për të bërë giveaway pa e dëmtuar faqen? Drejtuesi i “Shet Influencer Industry” thotë se ka.

“Brandi, produkti, biznesi apo shërbimi, mund të përdorin Insta Story të influencerave për të lajmëruar giveaway i cili bëhet tek faqja e biznesit. Ky i fundit, i krijuar si tool që ai të zgjerojë targetgrup nëpërmjet atyre që shet apo bashkëpunon… Jo merr ca 500 euroshe, bli ca makina, hiq gjithë ndjekësit dhe në fund hap vrima të zeza në historitë e njerëzve të ndershëm, por të painformuar.”

Por, sa fitojnë influencerat nga giveaway-t? Ndërsa shumat që qarkullojnë nëpër legjenda urbane janë me dhjetëra mijëra euro, mesa duket edhe këtë herë ka plot raste fake it till you make it.

“Variojnë nga shumat më të frikshme deri tek 50 euro, në varësi të peshës që kanë”, thotë Kaloti, “Ka nga ata që marrin 500 euro ka dhe nga ata që marrin 50, diferenca mes tyre është një zero më shumë, një më pak.”