Një shkrim me nota lirike, në kërkim të reflektimit

E keni parasysh atë historinë që qëndron pas shpikjes së telefonit?

Atë që thotë se Bell e krijoi telefonin që t’i mundësonte të fliste me të dashurën kur ishte larg. 

Kjo histori tregon se pas iPhone-it të fundit që ti blen me këste për t’u ndier i përfshirë në atë që gabimisht konsiderohet shoqëri e zhvilluar, qëndron një fjalë që merr aq pak respekt. Komunikimi. 

Nëse mendohesh për 30 sekonda, do kuptosh që 90% e problemeve të tua të përditshme, vijnë nga keqpërdorja e kësaj domosdoshmërie. Si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale apo komunitet. Po ku qëndron problemi? Je ti ai që s’di të komunikosh? Apo të tjerët? Apo të gjithë ne? 

Unë për vete kur isha 18 skuqesha nga një fjalë shumë pak vulgare. Sot më janë rrahur aq shumë veshët sa jo vetëm nuk skuqem, por më duhet ta pranoj që i përdor dhe vetë. Ky është problemi më i vogël, për aq kohë sa publikisht dhe me tendencën për të ofenduar personalisht dikë, nuk i kam përdorur kurrë. 

Ajo që vërtet më bën përshtypje (po ende më bën, sepse normaliteti i një shoqërie moderne nuk duhet të përfshijë këto sjellje të gabuara) është mënyra e komunikimit të ne shqiptarëve, që të paktën në thuajse 30 vite jete që kam vetëm përkeqësohet. 

Nëse kur ishim të vegjël dhe mësuesja na ofendonte me fjalë dhe qëndrime nga më kafshëroret (jo të gjitha mësueset dhe po e di që kafshërore është fjalë e madhe) apo më keq akoma seksiste dhe ne nuk mbroheshim dot nga frika, sot kur kemi në dorë një aparat i cili i jep lirinë të shprehet kujtdo, nuk po tregojmë se jemi një brez më i mirë qoftë edhe për inat të atyre që na trajtonin keq dikur. 

Sot kur televizioni luan pa dashur një rol të rëndësishëm edukues, për mungesë të filtrave dhe pritshmërive të gabuara që ne kemi, gjuha  keqpërdoret në debate që NUK PRODHOJNË ZHVILLIM , për ofendime personale dhe nxjerrje inatesh midis personazheve. 

Të qenurit vend i vogël nuk e justifikon këtë, aq më pak e justifikon të qenurit në zemër të Europës. Kjo vjen nga mungesa e argumentave dhe dembelizmi i mosbërjes së detyrave para debatit, sidomos në parlament. 

Ne e ofendojmë tjetrin , nga familja, nga paraqitja, nga gjinia, nga gjithcka që na vjen mbarësh, vetëm për të dalë nga situata. Pa zgjidhur asgjë. Ndërsa në rrjet ofendojmë nga keqdashja.

Kjo vjen nga mospërgatitja, keqedukimi, dëshira për të pasur epërsi, të qenurit cinik egoist dhe aspak largpamës. 

E sigurisht që kjo nuk mund të zgjidhet sa hap e mbyll sytë, siç fiket televizori apo telefoni. Nuk zgjidhet me indiferencë. Kërkon përkushtim, vetpërmbajtje, kthjellësi dhe mbi të gjitha vetëdije se ata që të dëgjojnë janë komuniteti yt, familja jote, shokët e tu. Qoftë edhe kundërshtarët pa të cilët s’do kishe asnje betejë. 

Është pak e koklavitur, dhe e stërzgjatur njësoj me kabllin e telefonave të parë, qe i blejmë sot si objekte dekori vintage, duke harruar që kjo sjellje nuk ka lidhje me të dukurin të kulturuar. Për të mos thënë pastaj sa mund të mërzitej e dashura e Bell për çnderimin që i bëjmë cdo ditë arsyes që solli shpikjen e bërë prej tij.