Tani që një 21-vjeçare bëri gjullurdinë më të madhe në historinë e internetit shqiptar, jam akoma më e qartë se përse politikanët tanë nuk dalin kurrë të kërkojnë falje për krimet e tyre. Në shumë kuptime, Tea është një lloj shtrige e shekullit të 21-të dhe si e tillë, ajo po digjet në turrën e druve. Kurse politikanët janë si papati; të zhytur në llum por të pajisur me virtytin e mashtruesisë dhe si të tillë, ata do t’ia hedhin kurdoherë pa u lagur.

Nuk ma kishte marrë mendja kurrë se universi ku na ka rënë për pjesë të jetojmë është aq absurd saqë, një vajzë pa asnjë kontribut në shoqërinë shqiptare dhe pa kurrfarë borxhi karshi nesh, do të detyrohej të jepte llogari për punët e veta më ashpër se polici që vrau Klodian Rashën, se Saimir Tahiri, se Lulzim Basha për 21 janarin, apo se kushdo kapi armët në 97-ën.

Dy javë më parë, qeveria holandeze dha dorëheqjen pasi akuzoi pa të drejtë mbi 10 mijë familje se kishin abuzuar mbi fondet për fëmijët. Kryeministri Mark Rutte tha se “u bënë gabime të rezultuan në një padrejtësi të madhe për mijëra prindër”.

Ata që merren me veshët dhe jo me gomarin mund të kenë nuhatur deri më tani klishetë e përhershme të referencave prej qeverive të huaja dhe retorikën e zakonshme që lidh politikën me çdo debat të mundshëm social. Ndonjë fans i zjarrtë i televizionit mund të argumentojë se, të gënjesh një publik të tërë është një krim më vete, dhe se personazhet publike duhet të japin “xhevap” se me kë flenë meqë “kanë zgjedhur të jenë personazhe publike”, aq më tepër Tea e cila shkoi me dëshirë në një spektakël njohjesh.

Kurse mua më shqetëson shumë fakti që ju e vrisni mendjen për këtë. Që harxhoni kohë duke bërë fushata për të ulur numrin e ndjekësve të Teas në Instagram dhe jo për gjërat të cilat ju ndikojnë me të vërtetë në jetët tuaja, si përshembull se s’keni ujë dhe drita.

Po sikur, në vend të Teas në videon tanimë të fshirë në Youtube, ku shpjegonte publikisht pse s’ia kishte “lagur” njëri por tjetri, të ishte kryebashkiaku ynë Erion Veliaj? A nuk e gënjeu publikun njësoj edhe ai, duke na bërë të besojmë se do të kishim ujë 24 orë, apo se nuk do të ngriheshin kulla? Përse nuk del edhe ai të bëjë një video? Përse nuk i kërkojmë ne atij të bëjë një video?!

Përse kurrë nuk i kërkuam të bëjë një video Ilir Metës, i cili bashkë me LSI-në i ndërroi “të dashurit” politikë më shpesh se Tea, Ana me shoqe? Përse ato e kemi për kollaj t’i quajmë “k***a”, kurse Ilir Metën dhe gjithë sojin e tij jo?

Për mua si gazetare, është shumë e vështirë të shkruaj hapur sentenca të tilla, pasi kam frikë se nëse e lexon dikush që nuk i pëlqejnë, mund të më rrezikohet vendi i punës. Ama, nuk mund të bie dakord me bashkëkombasit e mi kur këta pranojnë të ngrenë zërin për budallëqe krejtësisht të panevojshme, siç qe rasti i Teas, dhe jo për gjëra të cilat po ia vështirësojnë me të vërtetë jetesën, siç janë politikat e kalbura që ndjekin prej vitesh qeveritarët tanë, ata të cilët kurrë s’u përputhën me popullin e vet, edhe pse ky i fundit është shumë herë më fajtor se politikanët për faktin se vuan përjetësisht prej drojës së autoritetit.

Dhe për ju që do të thoni se ja: u bë protesta e studentëve; ja: u bë protesta kundër policisë; mjafton t’ju kujtoj se asnjëra prej këtyre nuk ka rregulluar asgjë, as tarifat e shkollave, as drejtësinë. Mos sabotoni Tean; sabotoni këtë klasë politike e cila ka hyrë në pushtet me premisën e vetme për të zhvatur dhe nuk po resht së bëri këtë prej tre dekadash.