Ulu në karrige
Rehatohu
Karrige aspak e rehatshme
Porosit një kafe
Dëgjo dërdëllitjet e mikes tënde
Ajo është një mike e mirë
Pavarësisht mungesës së ngesë tënde

Gjerbe një gllënjkë kafe
Jo të gjithën; të duhet për më vonë
Çdo gjerbje është një bisedë e çuar dëm
Filani e bëri dhe u tha se filani e bëri
Kalojmë tek filani tjetër
Dhe tek miku i tij
Sa keq që disa mbeten miq të filanit për mua
Por për të tjerë, miku i filanit është vetë filani
Protagonistë historish dytësore njerëzish dytësorë
Të cilët bëhen bashkë për të besuar se janë kryesorë

Shko në tualet
Ngjiti një nga një shkallët drejt vendit të mirë
Ku lindin idetë gjeniale për gjenitë
Kurse për mua, është një dy- minutësh paqeje
Larg tymit
Larg njerëzve
Larg bisedave dhe larg kafesë
Dhe larg tundimit për ta pirë me fund e për të ikur

Mos shiko as majtas, as djathtas
Është plot me filanë të cilëve ti s’ua di as emrat e as historitë
Ata dinë historinë e ecjes tënde të sikletshme
Nga tualeti drejt tavolinës me miken tënde të mirë
Ulu gjithë vetëbesim
Si ai që nuk shikon as majtas as djathtas
Sepse nuk i interesojnë të tjerët

Porosit një shishe ujë
Uji nuk të shijon siç të shijon kafeja sepse
Uji nuk ka shije
E kemi thënë se kafeja është esenca e hidhtësisë së të ardhmes
Por ne e gjerbim me shpejtësi
Sikur duam të zhdukim bashkë me të,
të kaluarën.
Uji zgjat më shumë

Tre biseda dhe një ish- i dashur në Instagram
Shiko orën: është ora për të ikur
Edhe ajo e di se kur ti shikon orën, është pikërisht ora për të ikur

Shiko faturën
Nxirre portofolin
Kontrollo sa të vogla të kanë mbetur
Mjaftueshëm, fatmirësisht
Kur i ke lekët fiks, pritja është më e shkurtër
Nxirri të voglat mbi tavolinë
Prit sa të nxjerrë edhe ajo të sajat
Mbyll portofolin
Fute në çantë
Vare çantën në krah dhe ngrihu
Kalo përmes shpinave dhe përballë fytyrave
Mos shiko as majtas, as djathtas
Hape derën dhe dil
Përshëndetuni dhe premtoni se do të dilni sërish
Kështu ikën jeta