Duke u rritur me veprat e klasikëve të letërsisë- si çdo nxënës tjetër i viteve ‘2000- përballja me mësymjen e përmbajtjes dixhitale qe për mua një tronditje kulturore. Një tronditje aq e thellë saqë, ideja se “çdo gjë tani duhet të ndodhë në internet” dhe se “s’lexon njeri më libra” u kthyen për mua në një aksiomë.
Megjithatë rikthimi tek terapia e vjetër e librave më ka bërë ta rimendoj pozicionimin e letërsisë në shekullin e 21-të. Mendimi im në lidhje me këtë është se, sado që zhanre të tjera të artit e kanë zëvendësuar me kohë në rolin e saj të argëtuesit, letërsia ka fituar tanimë një vend shumë më të veçantë, atë të një përvoje të pashoqe intimiteti mes teje dhe vetes, një përhumbje që nuk ka të paguar kur ke nevojë të shkëputesh, me të vërtetë të shkëputesh prej rrezeve të telefonëve, televizorëve dhe ekraneve të PC-ve. Këtu është edhe gjetja më e rëndësishme e Kindle, pajisje elektronike që përpiqet të mundësojë një përvojë sa më të ngjashme me atë të leximit të një libri dhe këtë e bën pikërisht duke përdorur bojën dhe duke mos emetuar dritë. Të paktën kështu kanë qenë versionet e tij të para, pasi më të fundit mund edhe t’i lexosh në errësirë.
Gjithashtu, kam vënë re se stili i shkrimtarëve të rinj Booker Prize është shumë më “drejt e në temë”. Mos të keqkuptohemi; metaforat, eksperimentet me rrëfimin dhe gjithë gjërat e tjera që e bëjnë një libër “vepër” dhe jo “kshu na kta, limonatë”, vazhdojnë të përdoren fuqishëm, megjithatë autorët e rinj që kam hasur nuk t’i çajnë fort kryet me përshkrime të panevojshme që do të vinin në gjumë edhe macen hiperaktive të komshies së katit të tretë. Efikasiteti gjuhësor në veprat e reja më duket sikur ka arritur nivele shumë të larta.
Megjithatë, nëse nuk e kemi fjalën për shkrimtarë si George R. R. Martin (50 milionë kopje të “Game of Thrones” janë shitur deri më sot), të gjitha këto teorira mbeten në nivel spekulativ.
Në realitetin letrar të Shqipërisë, shtëpitë botuese ankohen se mezi nxjerrin ndonjë fitim dhe se u duhet më shpesh të negociojnë sesa jo për kostot e ndryshme të të drejtave të publikimit. Një pjesë e qenësishme e fitimeve të shtëpive botuese i atribuohet Panarit të Librit- një event i cili ndodh vetëm një herë në vit dhe zgjat vetëm 4 ditë. Edhe në këto panaire, shkrimtarët të cilët letërsinë e kanë patur profesion gjatë gjithë jetës lihen në hije nga personazhe publike që botojnë libra gatimi ose atyre që përdorin shkrimtarë fantazëm. Kështu e njoh unë situatën e librit nga jashtë. Do ta njihja disi më mirë nëse do të kisha provuar që të botoja diçka, por deri më sot nuk e kam provuar asnjëherë.
Ndonëse situata duket dëshpëruese, unë kam arsye të besoj se letërsia jo që nuk do të zhduket, por do të vazhdojë ta mbajë pozicionin e saj të ri interesant dhe besoj vërtet se ia vlen të “bëhesh shkrimtar”. Sigurisht, të “bërit shkrimtar” nuk do të thotë që ky të jetë profesion me kohë të plotë- që të mos keqkuptohemi.
Më poshtë, disa arsye se përse besoj se të bëhesh shkrimtar është OK, edhe nëse njerëzit mendojnë se “nuk lexon njeri”- argumentet kundra kësaj i rendita më sipër.
Sepse letërsia nuk ka (aq shumë) seksizëm
Duke qenë zhanr dominues për qindvjeçarë të tërë, shenjat e para të feminizmit janë shfaqur pikërisht tek letërsia: me Emën kokëfortë të Jane Austen-it, Orlandon e Virginia Woolf-it që kthehet nga grua në burrë apo diskursin e saj të shkëlqyer “Një dhomë më vete”, në të cilin mjeshtërisht shpalos rëndësinë që ka hapësira personale për një shkrimtar dhe sa pak u jepet kjo hapësirë grave, një argument i cili sipas mendimit tim mbetet parësor dhe koherent edhe për feminizmin e sotëm.
Sigurisht që do të tregohesha hipokrite nëse do të thoja se rrethet letrare nuk dominohen nga burrat; mjafton të shikosh listat e të nominuarve për Çmimet Kombëtare të Letërsisë: 22 burra dhe vetëm 6 gra në 2020-ën. Edhe e kaluara jonë është e errët në këtë aspekt, pasi kjo letërsi gjithashtu ka ditur si të humbasë Musine Kokalarin. Por nga ana tjetër, do të tregohesha gjithashtu hipokrite nëse do të thoja se letërsia jonë nuk ka gra të vlerësuara, për aq sa mund të konsiderohet vlerësim: Rita Petro; Mimoza Ahmeti; Flutura Açka; Mira Meksi, ndër të tjera. Ndoshta ndonjëra nga gratë e letërsisë mund të ndihet e revoltuar ngaqë unë mbase, duke mos qenë fort në brendi, nuk po arrij t’i shquaj problematikat gjinore. Por për mua personalisht është shenjë mjaftueshëm e mirë që ka shumë gra që drejtojnë shtëpi botuese: Rita Petro, Loreta Berhami, Aida Baro, Irena Toce, Arlinda Dudaj, Vasilika Tafa… Të gjitha këto gra menaxhojnë shtëpitë botuese më të rëndësishme në vend, me gjithë vështirësitë dhe triumfet e pashlyeshme që mbart kjo detyrë.
Do të zgjatesha edhe pak për të sqaruar arsyet që mund të ndikojnë në këtë aspekt. Mendoj se lidhet me atë që një pjesë e shtëpive botuese janë ose sipërmarrje familjare burrë-grua ose të trashëguara nga babai tek bija, gjithashtu edhe me atë që mendoj se si shoqëri jemi të prirur t’i shtyjmë vajzat drejt leximit dhe veprimtarive të tjera vetmitare më tepër sesa djemtë. Kur kam ndjekur studimet tek Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë për Gjuhë Letërsi, kisha në klasë diku tek 120 vajza dhe vetëm 4-5 djem, për shkak të mësuesisë si arsye kryesore sigurisht por, gjithashtu një pjesë e mirë e atyre vajzave janë angazhuar ose së paku janë përpjekur që të angazhohen me shtëpitë botuese për ca kohë.
Kësisoj, duke patur shumë botuese gra vërdallë, mendoj se ambienti i letërsisë është shumë mbështetës për shkrimtaret e reja dhe ia vlen të provosh më shumë sesa kurdoherë.
Sepse letërsia nuk ka moshë
Duke qenë për shumë vite pjesë e televizionit dhe medias, mosha ka qenë për mua një vlerë e rëndësishme. Vazhdon të mbetet e rëndësishme edhe tani kur po punoj në fushën e marketingut dhe mendoj se është e rëndësishme në çdo fushë që kërkon përditësim të vazhdueshëm me risitë e kohës. Sado të përpiqesh t’ia mbushësh mendjen vetes se mendja jote mund të vazhdojë të jetë e re edhe nëse trupi jot varet dhe tkurret, nuk më është dukur kështu. Plakja mendore dhe shpirtërore është po aq e pashmangshme sa plakja fizike. Mund të jetë më e ngadaltë dhe nuk sjell të njëjtat ndryshime tek të gjithë, megjithatë shpirti, ashtu si truri, lodhet. Kështu mendoj unë.
Por jo kur vjen fjala tek letërsia. Kur i dëgjon të mocmit duke folur, të duket sikur po lexon ndonjë libër. Mund të jem duke biseduar me time gjyshe për ekspresin e ri të kafes dhe ajo do të më lërë ndonjë sentencë që më mbetet në mendje gjatë gjithë ditës dhe që të cilën, nëse e shkruaj në Facebook si citim të Arthur Miller njerëzit do të mendojnë se është Arthur Miller. (Megjithëse, për nga stili, do ta citoja time gjyshe më shumë si Doris Lessing.)
Kjo ngaqë letërsia është ndër të paktat fusha ku përvoja të hyn në punë më shumë sesa përditësimi me lajmet e ditës. Nuk po i përjashtoj shkrimtarët nga e tashmja, ngaqë e tashmja duhet që ç’ke me të nëse përpiqesh të shkruash një histori tërheqëse, megjithatë le ta pranojmë se kush ka nge të lexojë libra ka përfundimisht nge që të marrë prej tyre leksione jete siç vetëm të moçmit dinë të t’i japin, kështu që me ndjeni nëse besoj se kur të jem 60 vjeçe do jem një shkrimtare shumë më e mirë sesa tani. (Edhe pse nëse keni arritur deri këtu duhet të jem një shkrimtare e shkëlqyer.)
Sepse është CV e shkëlqyer
Njerëzit sot ç’nuk bëjnë për të shtuar gjëra për CV-të e tyre. Kështu që është mëkat të mos shkruash një libër, kur ke talent për të shkruajtur.
Përshembull: unë mund të dërdëllis gjithë kohës nëpër intervista pune se jam një shkrimtare e mirë, por nëse do të kem një roman të botuar në CV, kjo është tjetër gjë fare. Qoftë edhe sikur vetëm për këtë, ia vlen ta provosh.
Sepse është qejf
Kur çdo gjë tjetër që bën gjatë ditës është e mërzitshme pikërisht sepse nuk ke kurrfarë kontrolli mbi të, të krijosh diçka tënden, krejtësisht tënden, është qejfi më i madh që mund t’i japësh vetes të premten mbrëma.
Sepse ti shkruan për vete, pastaj për të tjerët
Le t’i lëmë për një çast argumentet se shkrimtari duhet të jetë i kuptueshëm dhe i përtypshëm nga kushdo, përndryshe përse shkruan kur qëllimi i fundëm i mijëra viteve histori letërsie ka qenë që gjithçka shkruhet të lexohet. Jam dakord me të gjitha.
Megjithatë (lexojeni këtë si një version më i mirë i fjalimit të Tyrion-it në fund të GoT), unë besoj se ajo çfarë na shtyn që të shkruajmë, përpara se historia jonë të arrijë tek tjetri, është përpjekia për ta kuptuar më mirë historinë që do të rrëfesh. Dhe unë besoj se kjo bëhet duke e parë atë të shkruajtur.
Përshembull: sa herë që nis të shkruaj një tregim, apo një poezi, e nis me një ide konkrete,- sigurisht që ti duhet ta dish se ku po shkon historia, përndryshe pse dreqin i futesh- megjithatë mënyra sesi shkohet deri aty ku po përpiqesh të shkosh, mendoj se është diçka që ti e kupton vetëm gjatë kohës kur je duke e shkruajtur, së bashku me motivimet e vërteta që e shtyjnë një personazh që të veprojë në një mënyrë të caktuar.
Gjithashtu, vetëm kur je duke e shkruajtur arrin që të bëhesh njësh me personazhin tënd, të përcaktosh më së miri konturet e personalitetit të tij dhe mbi të gjitha, të lësh dashur pa dashur tek ai pjesë nga vetja jote. Ky mendoj se është një avantazh i pashoq i letërsisë, që nuk e gjen kaq të qashtër tek zhanret e tjera si përshembull filmi, ku personazhet marrin tipare nga regjisori por më tepër nga aktori që e luan.
Të shkruajturit, ashtu si të lexuarit, është një proces tejet intim. Në të dyja rastet, zbulon veten përmes një historie të shkruar; ajo që ndryshon është mënyra sesi e bën këtë. Kur lexon, përpiqesh të gjesh copëza të vetes tek personazhet apo qoftë edhe tek zëri i rrëfimtarit. Kur shkruan, e ke thuajse të pamundur që të mos lësh tek personazhet diçka nga vetja, ndaj edhe shumë prej projektimeve të tua janë vepër e pavetëdijes, tamam si një hipnozë, kur pa e kuptuar ke zbuluar tek historia që rrëfen, pjesën më thelbësore të njeriut që je.