Teksa shkarkova për të lexuar në Kindle një libër në lidhje me PR-in e epokës moderne, një ide si kahera brilante dhe e paprecedentë fshikulloi ëmbël trurin tim sadomazokist. Duhet ta lija në çast atë që isha duke lexuar -edhe pse një libër që më ndihmon shumë për punën time të re si PR-se- dhe të nisja menjëherë të shkruaja një kryevepër nga mendja ime. Kush ka provuar të shkruajë, e di fort mirë se çfarë është kjo që po flas. Kur lexon një libër të shkruajtur mirë, cilido qoftë zhanri, një shkrimtar e ka në përgjithësi të vështirë ta çojë deri në fund pa ndier egon e vet të kërkojë pendën dhe pergamenin për t’i treguar vetes se mund të bëjë shumë më mirë se autori amerikan që jep mend nga shtëpia e tij luksoze, kur në të vërtetë s’i ka rënë kurrë ajo që nuk thuhet në ujë pra, kush është ai që na jep mend ne?
Me pak fjalë, ideja ime gjeniale është të shkruaj një libër për sesi të mos lejojmë të tjerët të na shpëlajnë trurin, sepse genocidi ideologjik është tejmase i rrezikshëm. Gjithashtu sepse është katërcipërisht e trishtë të paguash për të të dhënë mend Ermal Mamaqi. Tani, le të kthehemi në seriozitet. (Frymëzimi aq e ka; këtë herë është aq i vrullshëm sa po derdhet më shpejt sesa do të duhej.)
Është një fakt i njohur se jemi të bombarduar nga informacioni dhe kjo nuk e bën aspak të kollajshme përzgjedhjen e tij. Çdo ditë lajme të PABESUESHME na zgjojnë nga gjumi më shpejt se kafeja kur bëjmë scroll-in e mëngjesit në Instagram apo Facebook, dy kanalet e reja të parapëlqyera të informimit për prinderit tanë dhe ndonjëherë, edhe gjyshërit. Mes gjithë zallamahisë së titujve kryebombastikë, njeriu mesatar shqiptar (jo unë; unë jam e epërme) ndihet tamam si një fëmijë në një dyqan plot lodra të shndrritshme shumëngjyrëshe që lëshojnë tinguj të mrekullueshëm, ose më saktë, ime më kur lexon lajmet në mëngjes në Facebook ndihet tamam si unë kur shkoj tek Zara kur ka ulje. Përse? Sepse edhe duke e ditur se uljet prapë nuk e kapin koston tejmase të ulët të fabrikimit, dërgesës dhe doganimit të atyre veshjeve, fjala ULJE SEZONALE është në vetvete, një shpëlarje e madhe truri.
Por, si mund t’ia bëjmë? Si ta ndalojmë veten përballë stimujve tejmase joshës të realitetit tonë hibrid, në të cilin jemi qenie të nënshtruara ndaj torturës së vazhdueshme të Andon Ledhit? Më besoni: një ditë kur dola me sukses nga qendra tregtare pra, ia dola të mos blej asgjë prej gjëje, sapo shkova në shtëpi veshjet e dyqaneve të saj m’u shfaqën në Instagram si sugjerim, pra dukej sikur i gjithë universi po punonte që unë të bleja se s’bën diçka tek njëri prej atyre dyqaneve dhe unë s’jam aq e fortë sa t’u rezistoj veshjeve me gjysmë çmimi.
E në fakt, puna që unë po bëj tani, ka të bëjë pikërisht me gjetjen e gjuhës dhe kanaleve të duhura që një produkt, apo shërbim, të bëhet i domosdoshëm për blerësit. Është një industri sa e ndërlikuar aq edhe joshëse, e cila lidhet thellësisht me psikenë e njeriut. Për një njeri si unë, që vdes të merrem me aspekte të qenies njerëzore në një kohë kur filozofia nuk pi më ujë, kjo duket fusha e përsosur. Megjithatë, jam mëse e vetëdijshme se puristët mund të kenë broçkulla për të thënë kundër kësaj.
Dhe me siguri, edhe unë kur më ikën publikisht truri prej masterclass-eve të Ermal Mamaqit, mund të tingëlloj tejmase purist. Ose në një nivel tjetër, mund të tingëlloj hipokrite. A nuk është, marketingu, po njësoj ajër me kile si mësimet e Mamaqit?
Jo nëse ka etikë. Kështu që meqënëse unë ende jam në fillim dhe nuk kam sesi t’ju mësoj si bëhet marketing i mirë, por frymëzimi im nuk do t’ia dijë, taksirat t’ju tregoj sesi të mos bini pre e marketingut. Të paktën, jo atij që nuk është i bërë mirë.
Pj. 1:
Mos bli asgjë
Duke qenë një fëmijë i rritur mes shumë të mirave materiale (Fatos Nano kid, baby) një prej gjërave që më së shumti më ka kushtuar kohë dhe mundim ka qenë të shpëtoja nga varësia ndaj të blerit gjëra.
Kur isha e vogël dhe prindërit, si shumë shqiptarë edhe sot e kësaj dite, nuk kishin besim tek bankat, kisha akses të paparë tek paratë e shtëpisë dhe kjo jo për të mirë. E mbushja shtëpinë me rrangulla që i bleja shtrenjtë dhe nuk më duheshin; e mbushja stomakun me ushqime të cilat nuk kanë kurrfarë vlerash ushqyese dhe ndonjëherë, as shijuese; marrëdhëniet që ndërtoja me shoqet e klasës kishin kryesisht bazë materiale pasi në njëfarë pike, të gjithë e morën vesh se unë kisha plot, plot e përplot gjëra për të këmbyer. Kam patur një koleksion të çmendur, prej plot 3 mijë kartolinash nga ato që shiteshin në fundvit, ku ishin të printuara portretet e idhujve të kohës: nga Britney Spears, Shakira, tek yjet e telenovelave latine. Përveç kësaj, asokohe shtova peshë jashtëzakonisht shumë, kjo falë të ngrënave të pakontrollueshme të fast food-eve apo ushqimeve të konservuara.
15 vite më vonë, unë nuk është se kam ndryshuar shumë. Ndonjëherë ndihem si një ish- i droguar, që për të mos rinisur avazin e dhimbshëm të mbidozimit, zgjedh që thjesht të mos qëndrojë afër asnjë lloj droge për të shmangur tundimin. Vetëm se, unë herë pas here ribie në varësi. Ka periudha të tëra në të cilat blej, blej dhe blej dhe më pas, ndihem në faj. Të tjera, e shtrëngoj veten aq shumë saqë lë pa blerë edhe gjëra të cilat ndonjëherë më duhen. Jam e sigurt se këto telashe nuk më kanë rënë vetëm mua. Janë problemet e shqiptarëve të pasviteve ’90, të fëmijëve të të kamurve dhe të atyre të cilët nuk dinë me se ta mbushin boshllëkun që kanë brenda shpirtit, sepse të gjithë kemi mangësi të dashurisë atërore. (Yes, I’m talkin ‘bout daddy issues).
Por, një i droguar i cili e ka provuar disa herë ta lërë dhe i është rikthyer vesit sepse një mbrëmje ka qenë me shokët dhe ka thënë: “Hajde, edhe vetëm një herë”, e di se që ta lërë krejtësisht drogën duhet- e gjetët- që ta lërë krejtësisht drogën.
Por ne jemi karshi shpëlarjes së trurit, shumë herë më të pashpresë sesa të droguarit ndaj tripit të tyre të preferuar. Thjesht sepse në përgjithësi lëndët stimuluese të duhet paksa t’i gjesh ndërsa marketing që të shtyn për të blerë diçka, ngrënë diçka apo për të bërë diçka, na rrethon deri në birucën më të imët të dreqit. Që nga mëngjesi sapo hapim telefonin e deri në mbrëmje, kur ndihemi të lodhur dhe një pije freskuese do të na ngrinte pakëz moralin, jemi drerë mes gjuetisë së pashpirt të luanëve të marketingut.
E vetmja gjë që të mbetet të bësh është, të mos bësh asgjë. Të mos blesh asgjë. Të mos shkosh askund. Të mos duash të kënaqesh mbrëmave, sidomos tani kur lokalet më në fund u hapën pas COVID-it. Me pak fjalë, të bësh jetë asketike.
Sigurisht, kjo është krejtësisht e pamundur. Askush nga ne nuk mund të rrijë pa ngrënë, pa pirë, pa i ngritur pak moralin vetes në ditët më të ngarkuara. Keku me çokollatë të rregullon me të vërtetë ditën kur je me ciklin menstrual dhe këtë s’e luan as topi. Një krehje flokësh të bën përfundimisht të ndihesh më mirë kur ndihesh e lënë jashtë vëmendjes dhe e lodhur. Të shpenzuarit para- dhe këtë mund ta dëshmoj vetë si një ish- e varur nga blerjet- është një terapi e cila për fat të keq, funksionon më së miri. Kush përpiqet të thotë të kundërtën (kryesisht mami im, ect.) jam e sigurt se më së shumti gënjen veten, që t’ia mbledhë sa më shumë me shpenzimet (syno hënën, që të kapësh yjet si thotë edhe shprehja).
Por së paku, edhe nëse i lejon vetes të blesh diçka për të cilën në të vërtetë nuk ke nevojë, ki respekt për inteligjencën tënde: bli diçka e cila është e reklamuar shumë bukur.