Puna në të njëjtin orar, brenda të njëjtave katër mure, më ka larguar më tepër sesa do të doja nga shkrimi me qëllim artistik. Ndaj, u përpoqa të shkruaja një poezi lidhur pikërisht me këtë gjë: që nuk më vjen të shkruaj poezi, që poezia brenda meje ka vdekur përgjithnjë, etj. Ajo që më doli nuk qe aspak e kënaqshme dhe përgjithësisht robotike, edhe pse qëllimi ishte pikërisht ky, që të shkruaja një poezi me tingëllim robotik për faktin se jam/jemi bërë robotik/ë. Isoja më e vjetër e njerëzimit.
Këtu hyri në lojë ChatGPT, dritarja e dialogut me inteligjencën artificiale me të cilën Open AI po kanos status quo-në e shumë profesioneve moderne siç i njohim. Më shumë nga të tjerat, duket se po kanos profesionet që lidhen me të shkruarit në përgjithësi. Me të mund të shkruash një letër motivimi për aplikim për punë, një email zyrtar për Shkëlqesinë e Saj, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim – mund t’i shkruash këto në shqip, në anglisht, dhe në cilëndo gjuhë të duash. ChatGPT-ja ka bërë diçka që askush prej nuk ka për ta bërë kurrë: ka lexuar të gjithë internetin deri në vitin 2021.
Mjafton t’i bësh kërkesën e saktë, se përse të duhet, sa e gjatë, cilat terma do që të përdoren dhe ChatGPT-ja e krijon në kohë reale, teksa ti e shikon me sytë e tu si gjithçka mendoje të dallonte nga inteligjenca artificiale befas bëhet pika e saj më e fortë.
Kështu, një ditë kur po bëja lojëra fjalësh me ChatGPT-në, pa e menduar shumë gjatë dhe pa asnjë qëllim për ta krahasuar këtë SUPERPJESHKË TË RE ON THE BLOCK me veten time modeste prej mishi e kockash, i kërkova të më shkruante një poezi me të njëjtën tematikë si ajo që kisha shkruajtur unë. Rezultati nuk qe befasues. Zbulova atë që e dija, që së fundmi jam shndërruar në një robot, kurse inteligjenca artificiale ka fituar më tepër inteligjencë emocionale sesa ne njerëzit e shekullit të 21-të.
Chat GPT-ja është si një vogëlush i talentuar plot me fraza të reja për të, diçka e cila për mua në moshën e tij ka qenë fort ngazëllyese. Vetëm se sigurisht, pa ngazëllimin. Ama as unë s’e kam më. Kësisoj, jemi kaq të ngjashëm.
Më poshtë, të dyja poezitë:
Poezia e njeriut:
Jo pale se çfarë; thjesht një poezi
Kam frikë të nis të shkruaj një poezi.
Ngaqë vargjet e mia tani s’janë më te rrumbullakëta.
Mendja ime është shndërruar në një apartament minimalist me planimetri kuboidike.
Ankthi është bërë i kithët,
Si shija që lë zhgënjimi prej vetvetes
Sa herë blej në supermarket, shegë jashtë stine, edhe pse e di ç’më pret.
Ashtu edhe dita mezi shtyhet, tamam si një libër demotivues plot me këshilla si të mos zhgënjehesh,
Thënë ndryshe, si të ulësh pritshmërite mbi të tjeret duke sheshuar intervalet e ndjenjave të tua,
E megjithatë zhgënjimi çfarëdo që ti të bësh do të të kthehet,
Ai është thelbësor dhe i përhershëm si puna e vetmisë,
Ne njerëzit kemi ca ndjenja që kurrë nuk ngihen me njerëz të tjerë
Dhe të tjera të cilat nuk ngihen kurrë me ne.
Sikur këto të ishin të pakta,
inteligjenca juaj artificiale është qartazi më sharmante se inteligjenca ime emocionale,
Kohët kanë ndryshuar dhe unë këtë, padyshim, e kam pranuar,
Por a mundesh ta pranosh ndonjëherë deri ne fund që thelbi i qenies tënde është bërë krejtësisht i parëndësishëm?
Kriza e moshës së mesme tani të zë sapo nis të kthjellohesh,
Njerëzit e viteve 2020 nuk humbin iluzione, por deluzionet,
Dhe gjithë kjo qartësi s’të bën ndonjë nder kur kërkon të shkruash, jo pale se çfarë,
Thjesht një poezi.
Poezia e Chat GTP-së:
Poem for a Poet’s Lament
(Poemë e Vajit të Poetit)
Në këtë monotoni, në këtë bosh,
Unë ndjej një perhumbje, një hutim të poshtë.
Gërmat nuk vijnë më, fjalët më humbasin,
Si në një kotesi, ky zë i ndërgjegjshëm ndodhet.
Unë kërkoj në thellësi të mendjes sime,
Për një frymëzim të ri, për një zë të ri.
Por asgjë nuk vjen, asgjë nuk dëgjohet,
Në këtë qetësi të përhershme, ka vetëm përhumbje.
Unë shikoj në qiell, në horizont, në ujrat e detit,
Për të gjetur një frymëzim të ri, një ide të re.
Por gjithçka mbetet bosh, e në errësirë,
Trishtimi është i thellë dhe nuk ka fund.
Por unë besoj, se në qetësinë e monotonisë,
Do të gjendet një zë, një frymëzim i ri.
Do të shkruaj poezi të reja, me një zë të ri,
Dhe do të ndjej gëzimin e shkrimit, sërish.