Ishte hera e parë që Anka dilte vetëm fare në këtë botë. Gjithmonë kishte pyetur veten, në kishte ndonjë gjë që i kishte mbetur peng të bënte, por çuditërisht vetëm sot i ra në të, se nuk i vinte në mendje asnjë kujtim në të cilin do ishte duke ecur vetëm. Kështu, veshi këmishën me lulka dhe mbathi atletet që s’kishte nevojë t’i lidhte.

Kishte vërtet shumë punë për të bërë, por po kërkonte prej kohësh një hutim të shkurtër, nga ata që të flladitin trurin dhe kthehesh me ide më të qarta. Po ndiente procesorët t’i ngadalësoheshin, kështu që s’kishte kuptim ta shtrydhte veten sa t’i fikeshin të gjithë mekanizmat.

Ndoshta, pikërisht sepse i ishte lodhur truri, kishte filluar të humbiste edhe kujtesën sa të mos i kujtohej një, qoftë edhe një moment i shkurtër nga kur ishte ngritur për herë të parë në këmbë, dhe prindërit ta kishin lëshuar të ecte vetë për të krijuar atmosferën e duartrokitjeve. Sido që të ishte, ajo e ecur i duhej.

Kaloi pragun dhe teksa ulte kokën për të gjetur çelësat në çantë, diçka e pazakontë i vrau fokusin e pavetëdijshëm të syrit. Një njollë e kuqe mbi rrugicë, vishnjë si gjaku i mpiksur prej kohësh, e trembi sa të lëshonte çantën nga dora. U ul për ta parë; ishte me të vërtetë gjak.

Anka u turr me vrap drejt dhomës së prindërve, me shpresën se babai do të ishte kapërthej në gjumë, por aty nuk kishte njeri. Menjëherë, i shkoi mendja tek më e keqja, sepse babai nuk kishte qenë mirë këto kohë. Por, pastaj u mundua të qetësonte veten, sepse babain e shoqëronte gjithmonë e ëma, për të mos bërë ndonjë gabim të pafalshëm. Me siguri kishin shkuar për vizitë nga tezja, sepse ashtu i kishin thënë. Po po, pikërisht kështu i kujtohej se i kishin thënë.

Goxha kujtesë, po të mendoje se ç’marrëzira kishte raportuar mbi 30 flete A4 gjithë këto ditë. “Pensionet që jep shteti për invalidët dhe njerëzit me aftësi ndryshe, janë rritur në mënyrë të dukshme këta dy vitet e fundit. Nga 9 mijë në 9 mijë e 9 qind do të thotë 9 përqind rritje, 3% më shumë se rritja me 6% që arriti qeverisja e kaluar në katër vjet.”

E, sidoqoftë, e mbante mend se prindërit e kishin lajmëruar se pasdite do të shkonin të takonin tezen. Po prapë, asgjë nga kur ishte ngritur në këmbë për herë të parë.

Teksa tërhiqte derën, s’mund të mos i thërriste përsëri vëmendjen njolla vishnjë. Ky moment, me gjasë përsëri nga lodhja, po i dukej disi i njohur, i përjetuar. Deja Vu, me një fjalë. Kishte lexuar se u ndodh shpesh epileptikëve, përndryshe atyre që për ndonjë arsye, truri u dërgon sinjale të parakohshme nga zona e kujtesës. Pra, meqë ajo s’ishte epileptike, duhet ta kishte patjetër nga çakordimi i sistemit nervor. Ah, kjo e dalë ishte një vendim kaq i mirë.

Si kaloi gjashtë blloqe mes tymit dhe zhurmës së makinave që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës një trotuar larg shtëpisë, i doli përpara jeshilnaja e parkut artificial, e vetmja mrekulli që ia dinte falë asaj shtëpie sa herë dilte për të larguar mendimet e këqija në dritare. Ndonëse e kishte bërë në plan të mos shkonte më larg se deri tek kryqëzimi që bashkonte lagjen me hyrjen e parkut, iu duk se ajo rrugë e shkurtër mes rrëmujës kërcënuese të parakalimeve dhe marmitave, nuk e kishte ndihmuar sadopak të shtendosej. Vazhdoi pa duruar deri tek vijat e bardha dhe kaloi mespërmes makinave, aq padurueshëm sa një makinë e furishme iu avit tek gjunjët, duke frenuar me zhurmë teksa Anka s’pati kohë as të ulëriste.

Pas kësaj tronditjeje, tërë frikë ngriti kokën për të parë shoferin. Duhej të ishte tërë turfullima dhe kishte të drejtë, sepse ajo vetë s’i kishte respektuar rregullat e kalimtarit. Por, ajo çfarë pa ishte një burrë i tmerruar, spec i kuq në fytyrë, dhe Anka me instinktin e vetëmbrojtjes nxitoi të kontrollonte tabelën e shpejtësisë. Ai kishte qenë me shpejtësi më të madhe se ç’lejohej. Me sy të zgurdulluar dhe tullën më të kuqe se fytyra, doli me çakërdi nga makina duke parë si i shushatur nëse e kishte lënduar. Kur iu afrua, Anka e kuptoi përse ngjante aq i shashtisur; zotëria qelbej era alkool. Aty, ndjeu lirinë për t’u hakmarrë.

-Më fal xhaxhi, shiko, nuk të pashë, po dhe ti ç’doje që kaloje në mes të makinave?!
-Ti po ecje më shpejt se ç’duhet. Dhe unë po marr targën e makinës që t’ia raportoj policisë këtë. E di ti sa fëmijë mbeten çdo ditë të paralizuar nga aksidentet? E di? Jo. Pijanec i ndyrë. Vemje.”

Si tha këtë të fundit, Anka s’po u besonte veshëve. Ishte hera e parë që i fliste në mënyrë përçmuese dikujt, aq më tepër nëse nuk kishte ndodhur asgjë e pashlyeshme. Burri kishte mbetur pa fjalë, gjithashtu. Duke fshehur habinë e vet, kaloi trotuarin dhe me të vënë këmbën mbi barin e butë, vendosi ta zhdukte nga mendja atë kujtim.

Parku ishte i paparë. Fijet e barit ishin krasitur ne hyrje, por po të mos përtoje ca kilometra, gjeje vende ku të dukeshe sikur zhyteshe në gjethe. Asnjëherë s’e kishte kuptuar si askush nuk shkonte deri atje, madje edhe kur bënte shëtitje me prindërit gjatë fundjavave, ata nuk donin të shkonin më tutje se rrugët e mbushura me njerëz. Dikur, ashtu kishte qenë i gjithë parku. I lënë në harresë, i shkujdesur dhe i lirë në natyrshmërinë e vet të pagabueshme me format e çrregullta, por me butësinë e një simetrie pa tehe.

Falë zotit, kishte ende zona ku të gjithë përtonin të shkonin, a thua nuk ishin tërë ditën mes njerëzve dhe ndërtesave të pakuptimta, që shtonin më shumë rrugë betoni, parkinge, makina dhe sigurisht edhe më shumë pemë sepse grija shkon me jeshilen.

Shijoi ajrin e ngrohtë që e kishte djersitur, dhe gudulisjen e fijeve që po e humbisnin njomësinë. Siç e mbante mend: ora 6 e pasdites në pranverë të parakohshme, ishte koha më e shkëlqyer për të menduar gjëra të këndshme. Përshembull, ditën pasi do të kishte dorëzuar raportin me lesh e me presh, dhe më në fund, si kur ishte fëmijë dhe s’kishte andrralla të tilla për të zgjidhur në një kohë të limituar, do të hidhej në krevat me karamele, kokoshka dhe ndonjë film ku gjithmonë fiton i miri.

Imagjinoi sikur atë ditë, babai i saj hynte në dhomë me një copë tortë, karremi për ta hequr nga filmi kurse ajo do të pranonte tortën me mirësjellje pa u çuar as nga krevati. Imagjinoi sikur ai ia kthente: “mashtruese” dhe qeshte si kalë me shakatë e veta të pandreqshme. Tani, shakatë e tij nuk kishin shijen e mëparshme; më shumë se sharje të pabesueshme, kishin marrë formën e mallkimeve të akullta për komshiun, postierin e qumështit në mëngjes apo emisionet televizive.

Ndodhej në mes të depresionit dhe ajo, nuk mund të mos ia vinte fajin për këtë vetes. Gjithçka kishte nisur pasi Anka kishte vendosur të zgjidhte një rrugë që dy avokatëve, s’u kishte pëlqyer fare. Pasi ajo u kish gënjyer se do të aplikonte për juridik dhe u pranua nga Shkencat Sociale, babai i ishte betuar se nuk kishte për t’i folur më, betim që u mbajt për një kohë goxha të gjatë. Pasi zyra e avokatisë filloi të sillte shumë pak të ardhura sepse ata s’kishin ditur të mbanin të njohurit brenda rrjedhës së shtrembër të drejtësisë, situata u bë e papërballueshme për babain. Ndonëse i jepte plotësisht të drejte, as ai nuk kujdesej aspak ta fshihte se fajtore e bënte atë.
– Po të kishe qenë ti me ne, do e kishim kapur tempin. Ne jemi lodhur, u bëmë për pension, profesioni ynë të plak shpejt.
Ai nuk e kuptonte, se prej tij- përkundër aspiratave të veta- kishte këmbëngulur të bëhej pjesë e një rrethi me njohje, që iu shpërblye pas ca vitesh me një post prej menaxhereje projektesh me organizatat.

Dreqin. Ajo nuk kishte ardhur aty për të mbushur kokën me kësi mendimesh. Po ato, bënin ç’bënin, e gjetën një udhë që ta nxirrnin kokën edhe aty. Deshi t’i largonte me një lëvizje dore, si mushkonjat e bezdisshme që sa kishin nisur të dilnin për gjahun veror.

Hyri edhe më thellë, aty ku rrugicat ishin aq të ngushta dhe bari aq i dendur, sa nuk dalloheshin kthesat. Këtu nuk ndihej këmbë njeriu. As bima nuk po lëvizte, dëgjohej vetëm vërshëllima e bulkthave. Një mendje i thoshte të shtrihej mes shkurreve, por jo prej frikës së milongonave; edhe frymën po e lëshonte pa zhurmë, sepse i dukej mëkat të prishte një qetësi aq të patrazuar. Edhe mushkonjat, ndonjëherë nuk i ngacmonte teksa i thithnin gjakun. A nuk lufton çdo qenie e gjallë për të njëjtën gjë? Por sigurisht, kjo ndodhte me të rralla; babai përdorte një aromatik që i vriste mushkonjat me të futur turinjtë e pangopur në shtëpi.

Do të rrinte sa t’ia kishte qejfi. Punë e madhe raporti. Ishte koha, vendi i duhur për të risjelle kujtime të humbura të fëmijërisë, tepër të çmuara për t’i mbajtur me vete gjithandej në ditët e gjata prej të rrituri. E megjithatë, ishte e bindur se këtu, mbi këtë truall të butë, kishte filluar të ecte. Kishte një kujtim të vagullt të mamit duke folur për këtë, por sa herë e kishte pyetur tani të ëmën për vendin ku kishte hedhur hapat e parë, ajo bënte sikur nuk e dëgjonte. Dhe ja, ishte në mes të parkut, por asgjë nga fëmijëria nuk i vinte në mendje. Ajo e dinte se dikur kishte luajtur për orë të tëra me fëmijët nëpër cepat ku i ruanin mëmat, nga droja mos dilnin në rrugë të madhe. Por gjithçka mbetej e turbullt si fytyra e burrit që desh e përplasi. S’kishte shumë që poret e yndyrshme të lëkurës së tij e kishin neveritur, e megjithatë nuk mbante mend asgjë më shume se njëfarë siluete gërmuqe me një hundë të shtypur.

Mesa duket, sot e kishte të pamundur të qetësohej. Ajo pothuajse-përplasje ia kishte helmuar atë kohë të shkurtër paqeje, që kishte ëndërruar ta arrinte me këmbët e veta, në një pasdite të ngrohtë, mes duhmave të ajrit të rëndë dhe këmishën që i ngjitej pas djersëve të thara. Po ndiente siklet nga vapa dhe e dinte se kjo, ishte shenjë se pavetëdija e saj, e kishte mposhtur vetëmashtrimin. Si kurdoherë në të tilla raste, rrëmoi çantën dhe gjeti cigaren e fshehur në një pako fasoleta, pastaj çakmakun tek çantëza e grimit. Tërhoqi ngadalë tymin e parë, dhe gati mundi t’i ndiente molekulat e nikotinës t’i përhapeshin nëpër mushkëri.

Ecja e kthimit me fytin e tharë prej katranit, do të ishte akoma më e vështirë. Pastaj do të kthehej tek rrethrrotullimi, dhe aty do të ndiente përsëri shijen e hidhur të mallkimeve që i volli burrit tullac. Sado të bukura të ishin kujtimet që do përpiqej të mashtronte veten, ai moment më i shkurtër se ndezja e cigares, do t’i shkrumbonte pa shkuar deri tek vendi ku ndodhi. Nuk kishte dyshime, se i kishte marrë më të këqijat të atit.

Por, teksa ngjitej, varur në degën e një peme pa një rrjetë të përsosur merimange; e plotë, e punuar me mjeshtërinë e një krijese të vogël, rrjeta më e bukur që kishte parë.

Në vend që ta vështronte, iu duk më interesante të bënte diçka tjetër. I afroi çakmakun, derisa çdo fije e tjerrë me kujdes, u shkri sikur të mos kishte qenë kurrë.

Të gjithë ndërhyjnë në habitatin e të tjerëve: a nuk i kishte shkatërruar ai burrë pijanec pasditen, ndoshta dhe javën? Por, s’pati kohë të helmohej më shumë. Një zukatje e çuditshme që i ngjante fërkimit të dy metaleve, u bë njësh me vërshëllimat e bulkthave. Pa patur kohë as të ulëriste, zhurma iu ngjit në këmbë dhe pas pickimit, të gjitha zukatjet përreth u topitën.

Të nesërmen, një perde që përplasej me murin e solli në vete. Ishte në dhomën e saj të vjetër, të lyer me bojë rozë dhe gjithçka i dukej e madhe, si atëherë. Solli sytë rrotull nëpër dhomë dhe çdo objekt, edhe më i parëndësishmi, ndodhej në të njëjtin vend, siç ajo e kujtonte. Në mendje po i vinin aq shumë detaje, sa dukej thuajse të ishte e vërtetë. Një kujtim i qartë, më i qartë se ç’kishte qenë ndonjëherë fëmijëria për të. I prekshëm dhe i patjetërsueshëm i ditës kur, në krahët e të atit, ishte ngjitur deri në dhomën e saj e përgjumur, dhe ishte zgjuar në një jetë tjetër.

Mendimi për burrin tullac, përzinte çdo mendim tjetër që e motivonte për të jetuar ashtu si ajo pasdite, kishte hedhur në humnerë çdo kujtim nga koha përpara aksidentit. Mes lotëve, teksa babai mezi e mbante veten me Ankën e paralizuar mes krahësh, ajo kishte kafshuar buzën aq fort, sa një çurr gjaku i kishte pikuar mbi rrugicën e pragut. Ishte hera e parë që e kaloi atë prag pa këmbët e saj, që nga dita kur kishte mësuar të ecte. Ky ishte tashmë një kujtim i largët, dhe gjithçka ajo dinte ishte se dikur, e kishte patur. Atë pasdite në rrethrrotullimin që bashkonte rrugën me hyrjen e parkut, hapat e saj të parë dhe të fundit që kishte hedhur për 4 vitet e shkurtra të jetës prej fëmije si gjithë të tjerët u zhbënë, sikur të mos kishin qenë kurrë.