Qiell pikturuar në rozë
romanticitetin e perëndimit
mëngjesit i soll’,
e zogjt ishin
n’fluturim tyne vallëzim.

Na, ishim nis për n’veri
t’Shqipnie toke e bekueme,
n’Kelmend, atje ku vlerat
toka trashëgon,
e malet m’thërrasin
me za tyne n’gulçim
për kthim nga mërgim
për me shëru plag
kohën me kthy,
për Shqiptar Shqiptari.

Magji e qiellit rozë n’agim
t’miat ndjesi kaploi,
e imja mendje qiej përqafoi
atje gjehem tash dhe une
me zogjt tuj fluturu
në agim që romanticitetin
e perëndimit mbart
për me paralajmëru
andrrim.

Në fusha t’praruara,
pemët, n’krenari t’shqiptarit,
t’larta, stoike,
prej së largu
timit rrugëtim i bashkoheshin
e prej po aty,
s’largu, dukej
se t’vetme qiell rozë
arrinin.

Dielli kish lind
n’kah t’zemrës sime,
qytet i ngritun n’mal
shkëlqim t’dritës vezullonte,
e na ende n’hije,
mbi krye qiej t’hapun
që në kohë të pa kohë
t’lëvizshme t’prekshme
nuanca t’ngjyrave t’saja
tash në ndryshim
magji në kët’ agim;
n’lindje, perëndim.

Mahnitje shqisa t’miat
ndjesive u dërgojnë
prej puthje që puhi
e er’s e soll,
premtim për përjetësi.

22 Nëntor 2020

Dori Guxo