(Shqipërim i “Classic Tale From a Far away Neighborhood”, botuar tek “Përgjumësh” në 2017-ën)
Në një lagje shumë shumë larg prej këtej
Ku shikoje veç njerëz të lumtur gjithandej
Jetonte një djalë me fytyrën gjithë trishtim
Dhe sytë e mbushur me boshllëk dhe dëshpërim
Ditët i kalonte në dhomë i vetmuar
Me ëndrra zgjimi për një kopsht të lulëzuar
Ku një vajzë e trishtë sikurse ai
Ëndërronte përbindësha të fshehur nën orendi
Ajo flinte në pemë, ku kish një shtëpi
Ditëve shtrihej në rrënjët e saj plot liri
Nuk vishte kurrë rroba dhe s’kish orendi
Por prapë ishte e trishtë, e trishtë sikurse ai
Tek pyeste veten pse vajza ishte e trishtë
Një trokitje në derë e shqetësoi çmendurisht
Kush i binte derës, kur ai u kish thënë
Të gjithëve se derën s’e hapte për askënd?
Kur derën e hapi pa një vajzë të pafaj
Me sy që lëshonin dritë mbi kaçurelat e saj
Vajza me buzëqeshjen plot dhembje dhe drojë
I foli ca fjalë që ai s’i dëgjoi
Ish krejt si vajza që ai ëndërronte
Ajo që në Kurrkundin e tij jetonte
“S’e di” i tha ai, dhe pse mirë e dinte
Se ku jetonte djali që ajo kërkonte
Me sytë e ëndërrt dhe buzëqeshjen e praruar
Që ai prej kohësh e kishte harruar
Vajza e pa dhe mendoi: “sa i trishtë!”
E falenderoi për të mos u kthyer sërish
Sa mbylli derën e tij të bekuar
Kuptoi se kurrë më s’kish për ta takuar
E ngrysi jetën me ëndrra dhe ëndrra
Dhe pse veç ulëriste e ulëriste përbrenda
Ai s’kishte qenë kurrë në Kurrkund
Por vajza me sytë plot dritë kish ikur përgjithnjë
Dhe buzëqeshja e saj e përndoqi, deri në fund
Frymëzuar nga “Vincent” i Tim Burton
©Genta Hodo