Një poezi nga Genta Hodo
Që të shkruash poezi, duhet të lexosh poezi
Duhet të ndihesh poetike në mëngjes teksa hyn në ashensor
Të të ngrejë ashensori pezull si të ishte e papeshë
Dhe të hysh ëndërrimtare në derën e bardhë të purgatorit.
Por unë nuk lexoj dot poezi
Dhe më duket sikur ashensorit i peshoj me dhjetëra tonë
Sikur mezi më mban, sikur mezi vërtitet
Nga kati në kat hungëret si ndonjë qenie dikur e plotfuqishme
Të cilën nuk e lodhën kurrë peshat, veç vitet.
Nëpër dyer unë s’kam sesi të hyj e ëndërrt
Sepse dyert tona të bardha nuk të prijnë drejt ndonjë terri
As drejt ndonjë parajse
As përkundrejt ferrit
Dhe mbi të gjitha nuk të prijnë drejt ndonjë purgatori ekstatik
Nga ata që të bëjnë të ndihesh i përvuajtur por lirik.
Kështu që unë nuk shkruaj poezi.