Qiri në vend të festës dhe ëndrra në vend të programeve televizive. Viti i Ri në Shqipërinë që s’është Tirana.
Kur isha studente në Tiranë, gjatë debateve të ndezura me kolegët, thoja shpesh se Shqipëria do të hynte në Europë kur vendet e Unionit të dilnin. Ja ku jemi, në 2021-shin ku Anglia nuk është më pjesë e BE-së dhe Shqipëria është jashtë harte.
Si mund të pretendojë Europën një shtet që nuk u plotëson nevojat bazike qytetarëve?! S’e di sa delirantë mund të jemi që vazhdojmë besojmë këtë ëndërr kur premtimet që jepen gjatë çdo fushate janë “Ujë dhe drita 24 orë”.
E di sa familje ka pa energji elektrike në Shqipëri, ndërkohë që studentët duhet të marrin leksione online në një pseudo platformë?
Minimumi 500. Shifër e saktë nga një fshat i Gjirokastrës. I famshëm prej mustaqeve të një Kapedani( që tani që e mendoj ndoshta nuk rruhej se nuk shihte me dritën e qiririt te 1800-ës)
Është turp të them që në Picarin e vjetër dhe atë të ri, shtëpitë janë me gurë e dykatëshe por rruga që të çon, vetëm 5 km larg nga Gjirokastra, është shtruar rastësisht, për të shfrytëzuar një gurore dhe sot është copë copë.
Ku ka pasur një Shtëpi Kulture (si ajo që ke parë te “Zonja nga Qyteti”) sot ka një deng me plehra që presin një kosh.
Ku ka pasur linjë telefonike, e kam parë vetë në sheshpushimin e parë të shkallëve të shtëpisë së gjyshërve.
Ku në shkollen me 3 kate, ku kanë studiuar shokë të mitë që sot janë mjekë, inxhinierë, pedagoge dhe bankiere, kanë ngelur 3 nxënës, prej kushteve mizerabël.
Ku nuk ka transport publik, herë herë as privat.
Ku dihet që jetojnë njerëz kur shkohet të kërkohet vota.
Ku lista e gjatë e si ishte dhe si është mund të derdhet, por nuk të pyet njeri si ke qenë, të thonë “Si je”.
“Pa drita” !!!
Prej muajsh. Pa shpjegim. Pa arsye. Pa zgjidhje.
Në kohë pandemie banorët s’duhet të dalin jashtë se i ha virusi e brenda s’mund të rrinë se i ha gogoli që vetëquhet shtet.
Të njëjtët banorë vota e të cilëve vlen njësoj me të qytetit, njësoj me intelektualët, me liderat, me biznesmenët, me gjithë fshatrat e Shqipërisë jam e sigurtë dhe ju e dini njësoj si unë. E keni parë. E kemi parë, në tablonë e madhe ku e kuqe ka luksin të jetë vetëm Tirana e mbipopulluar nga arratia prej këtyre arsyeve. Pjesa tjetër është gri.
Sa i lumtur do ishte Samiu për parashikimin e tij profetik në “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe si po zhbëhet”… aq jam dhe unë për profecinë time mbi ëndrrën europiane.
Po ëndrrat falas janë, energjinë e paguajmë edhe kur s’e kemi.