Kam shumë pak kujtime nga fëmijëria e hershme. Megjithatë, në ka diçka që e mbaj mend shumë mirë është se jetoja në një lloj ankthi të vazhdueshëm për të bërë gjëra të pazakonta. Kur isha 3, mësova të shkruaj. Kam një kujtim të shkurtër me emrin e “RTSH”, që e kopjoja në letër dhe përpiqesha të kuptoja cila gërmë ishte Sh-ja.

Kur isha 6, dija të shkruaja. Kujtoj se mezi ç’prisja të ktheheshin prindërit nga puna dhe një ditë të bukur mendova se, për të patur vëmendjen e tyre të plotë dhe fjalët e mira, duhej të bëja diçka tjetër të pazakontë.

Duhet të kem qenë e mërzitur për diçka, sepse poezia që shkrova, më ngjan si një vetësugjestionim për t’u ndier më mirë, se gjërat kalojnë, se pas shiut lind dielli, etj etj.

Ose, thjesht një mburrje se e dija çfarë ishte rima.

S’e kam të shkruar kund, por e di përmendësh. Kushedi sa njerëzve duhet t’u kem lodhur nervat duke ua përsëritur atëherë. Erdhi një pikë sa as prindërve s’u bënte më përshtypje dhe sigurisht, nuk ma lavdëronin më poezinë. Kështu, fillova të shkruaj një roman.

Sidoqoftë, kjo është poezia ime e parë fare, e shkruar kur isha 6 dhe kjo është e vetmja e veçantë e saj.

~~~

Një ditë të bukur,
Pashë një trëndafil.
Ai po qante, me lot, me pikëllim.

Unë pastaj i thashë:
“Përse po vajton?
Me pikën e lotit,
Mbi gjethe kullon?”

Kur të lindë dielli,
Nesër në mëngjes,
Nuk do kesh më lot,
Po një pikë vesë.

~~~