Nuk është moshizëm të thuash se ky është viti i moshave të treta. 2020-a në përgjithësi ka përmbysur rendin e gjërave dhe përpara tij, 2019-a përmbysi fizikisht pallate dhe shtëpira, por edhe bëri të famshme 79- vjeçaren Luljeta Bozo.
Rasti i Luljeta Bozos u trumpetua si emblema e fundme e intelektualit kahera të zhvlerësuar nga media, të cilin populli kahera me një intuitë të përsosur, nuk mund ta linte të kalojë pa u vënë re, duke e nderuar më së fundmi me lavdinë kahera të merituar. Duke qenë se njerëzit mendojnë se fama është vlerësimi më i qartë për zotësinë e dikujt, 2019-a u quajt viti i Luljetës. Por 2020-a na poqi mjaftueshëm sa për të kuptuar se shpërblimi për punën e heshtur, të përulur dhe të nderuar të një 79-vjeçareje nuk është fama, por emri në krye të listës së kandidatëve për deputetë në qarkun Tiranë.
Bashkë me Luljeta Bozon, në krye të listës u vendos edhe Najada Çomo, një tjetër rast lavdie të vonë. U desh të binte një pandemi, që shefja e shërbimit të pavionit të infektivit, të shndërrohej në fytyrën më të famshme të rrjeteve sociale. Shtoji pandemisë edhe flokët flakë të kuq dhe vetullat e zeza dhe ke një kombinim të përsosur për t’u bërë një pop star brenda natës.
Me një mesazh pakëz të çuditshëm në lidhje me këtë zgjedhje, kryetari i PS-së dhe njëherësh kryeministri Edi Rama u shpreh se këtë herë ka vendosur të përfaqësojë në kuvend moshën e tretë, pensionistët. Gjithashtu, shtoi se nuk është mosha ajo e cila sjell të renë. Duke lënë menjanë opinionet në lidhje me këtë argument, ajo çfarë na intereson ne prej gjithë kësaj është se mosha e tretë janë yjet e momentit.
Tani, ose njerëzit na e kanë pirë lëngun ne të rinjve dhe nuk jemi më interesantë ose 2: ne nuk kemi qenë kurrë interesantë, por u desh Përputhen që të gjithë ta kuptonin.
Përputhen +40 filloi këtë javë dhe po të më pyesësh mua, isha më entuziaste për këta konkurrentë sesa ata të brezit që e shikojmë kudo nëpër TV. Nga komentet, duket sikur njerëzit kanë më tepër besim tek çlirëtsia e moshave më të mëdha, edhe pse këta janë më të rrahur me jetën, më të vrarë prej saj dhe e kanë mjeshtëruar artin e komunikimit, së paku kështu supozohet. Mosbesimi karshi brezit të ri, sigurisht plotësisht i justifikuar, shprehet në komente si ky në videon prezantuese të konkurrentes Gilberta:

Gjithashtu, njerëzit vlerësojnë natyrën e thjeshtë dhe të matur të konkurrentëve “në moshë”:

Në majë të hundës me papjekurinë e konkurrentëve të rinj u duk se i erdhi edhe Arjanit:

Por ndërsa si do t’i vejë filli Përputhen +40 dhe zgjedhjeve të prillit mbetet për t’u parë, për momentin mund të themi se të rinjtë nuk sillkëshim ndonjë vlerë të shtuar në shoqëri, meqë as kryeministrit s’i plas as që të na përfaqësojë në parlament.
Faji duhet të jetë i yni pra, i millenialëve, që nuk para e kemi nxjerrë qimen nga qulli (36 përqind të pashkolle dhe ose/ të papunë në 2018-ën). Kështu, derisa ne të kujtohemi ta heqim qimen nga qulli, Luljeta Bozo dhe 60- vjeçaret gojëmbla dhe mendjehapura të Përputhen, mbeten një zgjedhje më e mirë.
Deri atëherë, bëjmë mirë të mendojmë edhe ne se ç’do të bëhemi kur të plakemi.