Bashkia Tirane ka leshuar sot nje deklarate per shtyp ku konfirmon ardhjen e kengetarit te njohur, Maluma, ne Tirane.

Muzika, jeta e natës dhe koncertet pësuan një goditje të fortë gjatë vitit 2020. Shumë koncerte të rëndësishme janë shtyrë në të gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit. Shqipëria sigurisht ndjek trendin e gjithë vendeve të Europës dhe një nga koncertet që pritej me padurim të realizohej vitin që lamë pas, ai i artistit Maluma, u shty për një moment të dytë. Maluma i konfirmoi datat e reja të turneut “11/11” për gjithë Europën, por për shkak të shifrave të bilancit të viktimave dhe të infektuarve nga Covid-19 turi i tij u shty përsëri.


Lajmi i mirë për të gjithë është se ky koncert nuk u anullua dhe tashmë ka një datë për të. Duke qenë se edhe vendet e Europës po shkojnë drejt hapjes dhe nisjes së koncerteve, edhe Shqipëria do të nisë aty ku e la para pandemisë. Ardhja e Maluma në Tiranë u lidh ngushtë me Ditën e Verës dhe data e re e këtij koncerti është vendosur pikërisht në 14 mars 2022.
Bashkia Tiranë dhe kompania RedCloud si organizatore e këtij koncerti bën me dije se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit.


“Biletat mund të përdoren nga personat që i kanë blerë ose persona të tjerë që do të duan t’ua dhurojnë ose rishesin të njohurve të tyre, ose palëve të treta që janë të interesuar për të blerë këto bileta,” informon kompania.


“RedCloud” po zhvillon një platformë unike për të gjithë ata që do të duan të shesin biletat e tyre në individë të tjerë që dëshirojnë t’i blejnë.
Përmes një transaksioni të thjeshtë ata mund të nxjerrin biletat e tyre në shitje. Në këtë mënyrë të interesuarit që duan të jenë pjesë e koncertit të Malumës mund t’i blejnë ato.

Megjithatë, organizatorët këshillojnë që ata që duan të shkojnë në koncert t’i ruajnë biletat e tyre pasi çmimet e biletave për koncertin e 14 marsit 2022 do të jenë më të shtrenjta.


Platforma www.vivere.al për shitjen e biletave do të jetë aktive brenda muajit maj 2021.