Këtu nuk ka internet. Në bashin e anijes fryn erë e fortë dhe spërkat ujë. Njerëzit bërtasin nga entuizazmi i herës së parë. Nuk është koha e përkryer për të ndenjur vetëm, madje as për t’u menduar. Është diell tepër i fortë, gati sfilitës. Një lloj muzgu i parakohshëm nga ata që bien më s’pari në qenien e paprekshme. Prova e përkryer se ka një dimension tjetër ku gjërat përjetohen përpara këtij të vonuarit këtu dhe ku ngjizet intuita. Atje ekziston paralelisht një vajzë me flokë të kuq, ama e veshur me pardesy të zezë lëkure dhe syze të zeza cat- eye. Ngjan si kopje Warlholesque e ndonjë filmi të famshëm aksion me protagonist Keanu Reeves. Ose ndonjë episod special krishtlindjesh me Stormy Daniels, po t’i shtosh edhe një palë çorape të gjata me togëz dhe veshë maceje mbi kokë. Dhe kamzhik. Por në fakt, janë thjesht ëndrra në diell. Ëndrra mbi Jon.Këto ditë, çdo gjë ka patur një skenografi të shkëlqyer. Mëngjesi me sfondin e detit të kaltër- përnjëmend të kaltër- kafeja e parë me sfondin e detit të kaltër, e dyta po ashtu. Shqetësime të parëndësishme por bezdisëse, prapë me sfondin e detit. Kënaqësia e një pune të kryer me sukses, në një kuadro bojëqielli. Një takim befasisht interesant dhe deti, deti, deti. Kështu gjërat duken padrejtësisht të lehta. E megjithatë, asgjë nuk e tejkalon këtë të sotmen. E gjithë lehtësia e papërballueshme e qenies, mbi det, mbi kaltërsi. Jo më kot anija pluskon, pa kurrfarë friksioni.Tentoj të shkruaj poezi me metodën vetëm për raste emergjence- nise se diçka do të dalë- por as ashtu nuk funksionon. Ankthi i ekranit të bardhë. Tre shënime u fshinë sepse po të isha poete prej vërteti, ato do të ishin letra të mbledhura shuk dhe të hedhura në kosh. Por unë nuk jam poete prej vërteti.Më kujtohet se blogu im ka kohë pa u përditësuar. Kështu, e vë veten prapë në sprovë, këtë herë për të shkruajtur diçka në lidhje me përvojën time të parë mbi një traget. Diçka si: “Provova tragetin për herë të parë: Ku paskam qenë gjithë këto kohë në ajër?!” Por siç mund të merret me mend, nuk funksionoi. Ka diçka ky frymëzimi. Të shumtën e rasteve vjen kot së koti, s’di ç’të bësh me të. Është si ajo fraza e atij filmit të famshëm shqiptar:”Të të them një vjershë? Të të këndoj një këngë?”Por unë jam e tipit: “Jo, jo. Thjesht më lër rehat të mos e vras trurin për asgjë prej gjëje.” As për vjersha, as për këngë, as për blogun tim të papërditësuar. Mendja ime është tamam si një letër e bardhë ende e pabërë shuk. Si kjo pamje e paskaj bojëqielli, doza e gjithë këtyre kohëve pa një ngjyrë të caktuar.Ndonjëherë, kur më pyesin sesi po ia kaloj në jug, më vjen në mendje pikërisht kjo përgjigje: “Shumë blu”. Por, kjo frazë ka një kuptim krejt tjetër madje edhe për shqiptarët, që nuk është se janë rritur me jazz. Unë mendoj se “ndihem blu”, nuk ka pikë lidhjeje me ndjesitë e zakonshme: trishtim, gëzim, mërziti, boreness. Është një gjë e veçantë dhe e pashpjegueshme me fjalë. Vetëm kështu mund ta thuash: blu. E paqtë, e ngadaltë, e patrazuar edhe mes një situate me probabilitet të paparashikueshëm trazirash. Si një anije.A jemi akoma atje? Tani që rrugët e gjata mund t’i bëj vetëm dhe s’kam kë të pyes, s’di pse prirem akoma për atë përgjigjen e mamit: “Edhe pak fare”, kur në fakt s’kishte kaluar as gjysma e rrugës. Ama për të zënë, më zë njësoj. Makina, treni, trageti, dhe kjo kllapia e të qëndruarit vetëm për shumë gjatë. Në horizont nuk duket asgjë prej gjëje. Ka ende shumë rrugë për të bërë. Askush s’ta thotë të vërtetën, veç vetes. Dhe jo se e gjithë kjo pat ndonjë mesazh kuptimplotë, por kështu e mendova dhe kështu e shkruajta. Nëse të humba kohë, nuk ndihem aspak në faj.