from Argjiro’s castle with love

Gjyshërit e mi kanë jetuar në lagjen Dunavat në Gjirokastër e për të arritur, çdo rrugë të merrje do kaloje afër kalasë. Kalasë së qytetit, kalasë së Argjiros. Kalaja i përkiste kësaj gruaje? Kjo grua kalasë? Apo të dyja qytetit?


…Unë isha e vogël, shumë atëherë, sepse dhe vite kam shumë që jam larguar, por ka disa kujtime të çuditshme..si në romanet dhe vargjet e Kadaresë. Shumë prej këtyre të fundit i di ende përmendësh dhe prej tyre marrin fill edhe fragmente të lidhura kaq fort me ndjesitë e mendimet e mia.

Sa herë bënim atë rrugë unë zgjasja kokën tej përroit për të kërkuar shkëmbinjtë në themelet e mureve… i kërkoja sepse Kadareja kish shkruar:

“…e që foshnjën të mëkojë, qumësht zuri të pikojë”


Dhe ëndërroja aq shumë ta gjeja atë shkêmb, le ta shikoja vetëm unë, mjaftonte vetëm që legjenda të ekzistonte. Po si mund të ishte vetëm legjendë, kjo grua, që i jep identitet një qyteti dhe e kthen shkëmbin në gji?
Kërkoja shkëmbin se gruan e shihja kudo (por atëherë nuk e njihja nënvetëdijen).

Princesha me ballin e bukur si hënë , që kish marrë shpatë e parzmore të hekurt, ish sakrifikuar në emër të dinjitetit, krenarisë, nderit… Kjo Princeshë nuk donte shumë mënd që ishte princeshë edhe para princit, edhe para kështjellës, edhe para mbiemrit (që mbase kish ndërruar)
Hapat shkonin tej dhe unë shkëmbin der sot nuk e kam parë( por gjaku është trashëguar kështu që në zemrën time pasardhësi ka mbijetuar)
E shihja Princeshën…imazhin e vetëm real e të besueshëm të përrallave që nuk kanë nevojë për Princ të Kaltër e fund të lumtur, se heroi është një grua.

E unë me këtë nuk i uroj askujt të ketë këtë fund, por në fund secila të dijë të ketë mundësi e t’ja zgjedhë vetë fundin historisë…

Më tregonte mami edhe përralla me Hirushen, Borëbardhën, por në realitet unë kurrë nuk i ndesha (ashtu si në përrallë).

Ndesha në vend të tyre Kukulla porcelani, Kukulla prej letre në romanin e Kadaresë, duke e lexuar, por më shumë do sugjeroja të lexoni ,të tregoni e të jetoni përjetësinë e vetëarrirë të një gruaje.


Nën Dullgë ai shkëmb ndoshta nuk do të shfaqet kurrë se në këtë mijëvjecar sundojnë të tjerë elementë…rëndësi ka që ta kemi zgjedhur rrugën dhe zgjidhjet tona të jenë gjithnje zgjedhje e historia duhet njohur për atë që është.

Historia e ka emrin grua e të gjithë rrugët e saj, shohin nga e ardhmja.