Po e publikoj këtë shkrim sepse, sado që përpiqem të qëndroj e pandikuar ndaj “llafeve të botës”, nuk mund ta mohoj se kur bëhet fjalë për Përgjumësh më shqetësojnë. Thuajse çdo herë që u prezantoj njerëzve këndin tonë të vogël të internetit, has kritika për thuajse çdo gjë. “Përse nuk e mbush me lajme showbiz-i?”. “Përse ky emër i çuditshëm?”. “Ka nevojë për ristrukturim faqja”, etj.
Kështu që e ndiej të nevojshme që ta sqaroj. Përgjumësh nuk është një portal dhe nuk ka për të qenë kurrë një i tillë. Përgjumësh është fryt i dëshirës sonë për të krijuar diçka tonën, me të vërtetë tonën, duke e konsideruar veten një komunitet i vogël por në rritje të rinjsh e të rriturish të cilët po kërkojnë diversifikimin e medias. Mund ta quaj veten njohëse të mirë të medias online duke qenë se kam punuar për dy vite në një të tillë. Por të krijoj një portal me lajme të interesit masiv nuk ka qenë ndonjëherë ambicie e imja, as e Hersit, Jacopo-s dhe Rezanës, me të cilët e kemi krijuar Përgjumësh.
Ambicia jonë është që, nëse një ditë do të ketë një ndërgjegjësim të konsumatorit të përmbajtjes digjitale për ekzistencën e sajteve të pavarura, Përgjumësh të jetë aty, përplot përmbajtje të veçantë për t’u shuar kurreshtjen.