Më keq sesa të mos e dish diçka, është të argumentosh mbi diçka për të cilën nuk ke informacion.

Kështu ndodhi së fundmi me këngëtaren Enxhi Nasufi, e cila teksa akuzonte tërthorazi konkurrenten e vet tek Festivali i Këngës, Anxhela Peristeri, argumentoi se “ku ka zë, nuk është pa gjë”, në lidhje me lajmin e rrëmë që u hap para disa javësh se Anxhela ishte fituese e Festivalit, kur ky as që nuk kishte filluar përgatitjet. Pra, sipas Enxhit ky lajm ishte i nxitur qëllimisht nga Anxhela.

“Unë kështu e mendoj dhe mendoj që jemi vetë ne si njerëz dhe pak si popull që flasim lart e poshtë vetë. Përhapen fjalët dhe sigurisht që ka media që përfitojnë. Ku ka zë, nuk është pa gjë.”, u shpreh Enxhi tek “Ditë e Re” në Ora News.

Tani, për Enxhin dhe të gjithë të tjerët, ta riqartësojmë: lajmi u përhap për shkak të një statusi (tashmë të fshirë) të kompozitorit Miron Kotani, i cili çdo vit publikon një renditje sesi mendon ai se do të dalin me pikë konkurrentët e festivalit. A mund të jetë publikimi i kësaj liste si e vërtetë e qëllimshme? Sigurisht. Por edhe në këtë rast, duke hipotetizuar se Enxhi ka marrë informacion për këtë gjë, duhet ta qartësonte.

Kur flasim përpara një publiku, duhet të kemi parasysh se fjalët tona mbartin shumë më tepër peshë sesa biseda e shkurtër me shitësen ku blen bukën çdo mëngjes. E nisa nga Enxhi Nasufi për të dalë tek fenomeni, pasi kjo praktikë pra, të folurit pa asnjë lloj përgjegjshmërie, po përhapet më tepër sesa duhet mes shumë figurave publike dhe çfarë është më e rëndë, edhe mes kolegëve të mi gazetarë.

Emisionet nuk janë sa për të mbushur kohën televizive, sidomos kur kjo sot është kaq e vyer pasi blihet me para dhe duhet ta justifikojë tërësisht qëllimin e vet. Prandaj, më bën vërtet përshtypje sesi hera- herës kolegëve të mi u mungon krejtësisht qëllimshmëria për të bërë diçka me atë kohë, pra për të nxjerrë diçka nga ai që ke për të ftuar, për të sjellë në vëmendje një problem, një fenomen, diçka të çfarëdolloj natyre përmes atij programi. Ndonjëherë duket sikur flasim flasim flasim pa thënë kurrfarë gjëje me vlerë dhe nuk besoj se ka diçka më të dobët për një punonjës të medias.

Marrim si shembull intervistat me personazhe të njohur të cilët, edhe nëse mund të kenë sjellë projektin më të bukur artistik të gjithë karrierës së tyre, sidoqoftë do vihen përpara një breshërie pyetjesh pa ndonjë lidhje logjike me qëllimin e vetëm mos ndonjëra ia qëllon në shenjë dhe kap ndonjë lajm.

Për ta kthyer tani vëmendjen nga krahu tjetër, ai i të ftuarit. Dhe këtë e kam përjetuar vetë në transmetime apo kolegët e mi, se ndonjëherë ti mund të kesh përgatitur pyetjet më të veçanta për një artist dhe përfundon duke marrë përgjigje të tipit: “Kam fjetur shumë gjumë këto kohë” ose fraza të stërdëgjuara që nuk tregojnë asgjë thelbësore për artin që i ftuari pretendon t’i sjellë publikut të vet.

E folura në publik është një art i cili duket sikur po vdes, pasi teksa emisionet përsërisin njëra- tjetrën, harrojnë qëllimin kryesor pse janë krijuar në krye të herës: të japin informacion. Nëse nuk thua dicka të re, atëherë prezenca jote në televizionet apo  hapësirat tona publike është krejtësisht e pajustifikuar.