Faqja e parë e ditarit të një mami…
Ne gjeometri kam qënë një yll me bisht. Është fatkeqësi që në gjithçka tjetër që kishte të bënte me matematikën studioja pa interes, por përkufizimin mbi vijat paralele e di ende. Ajo që nuk kisha menduar ndonjëherë është se do të ishin pikërisht dy vija paralele që do të ndryshonin jetën time.
Pra testi doli pozitiv. Nuk ka rendesi ku je, me kë je, në c’pikë të jetës ke arritur apo ngelur mbrapa, PO VJEN NJË BEB!!!!
Shumicën e herëve pritet me lotë që zbusin edhe zemrën më të fortë apo mendjen më të organizuar. Nuk ka kthim mbrapa. Një diell i madh pret të ndriçojë rrugën tënde. Kjo jo e bazuar më themethashet e gjysheve, sipas të cilave “Secili ka kismetin e tija”. Por ky Secili do shnderrohet në lumturinë tënde më të madhe dhe mësoje që tani, NUK KA LUMTURI PA KOSTO!
Të marrësh vesh që do të sjellësh në jetë një fëmijë, jo gjithmonë lidhet me karta krediti apo portofole të zbrazura nga shopping-u i shfrenuar. Ka vajza që tremben, (me të drejtë, askush s’të mëson si të jesh prind) , ka vajza që i kap paniku, që mendojnë se s’do ja dalin e 1001 opsione të tjera, por emerues të përbashkët kanë origjinën.
Sado të kemi evoluar, jemi qenie instiktive dhe sidomos në këtë rast, instikti do shfaqet e do zerojë gjithshka tjetër, duke filluar nga momenti që ke bërë testin. Në mos më parë. Pra, nuk ka nevojë për panik. Mjafton dashuria dhe organizimi.
3 gjërat bazike që do ta bëjnë jetën tënde më të lehtë gjatë shtatzanisë janë:
1-Mjeku i duhur
Nuk duhet domosdoshmërisht ndonjë specialist që vjen nga jashtë. Duhet dikush që e do punën e tij, që di të flasë e të komunikojë në mënyrën e duhur me “hormonet e tua të dala jashtë kontrollit”. Gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj faze të jetës është mirëqënia jote fizike dhe mendore. Një mjek i mirë përvecse do të kujdeset që cdo gjë të shkojë mirë nga ana shëndetësore, do të dijë të të japë këshillat e duhura për ushqimin, aktivitetin fizik, nuk do bëjë komente pa vënd mbi dukjen tënde e as do të bëjë punën sa për të kaluar radhën. Pra fillo të pyesësh shoqet, koleget këdo që ka fëmijë për sugjerime nga eksperienca e tyre.
2-Libra/artikuj/aplikacione
Nëse je një mama e re, për të mos u stresuar dhe për të mos mbimenduar mbi vështirësitë që do të kesh, ke nevojë për informacion shtesë. Është e vërtet që mjekët shpjegojnë gjërat më të rëndësishme, por ti nuk je pacienti i tyre i vetëm, kështu që fillo të kërkosh librat e duhur. MOS U NXITO!!! Në fillim ato të shtatzanisë, pastaj ato të muajve të parë të jetës me një të sapolindur. Informacion ka kudo, duke filluar nga libra bestseller që ndjekin shtatzaninë javë pas jave, në blogje ku mámat e reja ndajnë eksperiencën e deri te aplikacionet që kanë informacione të përditësuara dhe disa forma shumë të këndshme për të të treguar madhësinë e bebit apo deri te rrahjet e zemrës. Personalisht do sugjeroja libra të shkruar nga mjekë specialistë, blogjet dhe artikujt e tjerë konsideroi si informacione shtesë.
3-Komoditeti
Këtu nuk e kam fjalën për shtëpi, kuzhinier personal dhe dikush që të pastron shtëpinë. (Nuk ka asgjë të keqe nëse ke mundësinë t’i paguash)
E kam fjalën për orë gjumi(që më beso, nuk do arrish t’i kontrollosh), për ushqim të freskët dhe rroba që të bëjnë. Nuk jam për blerje markash, apo gjërash specifike që sheh në reklama apo vitrina. Gjithcka që të bën, të shkon dhe të jep vetëbesim, është shpenzimi i duhur. Je në atë fazë të jetës ku përgjegjshmëria jote duhet të 10-fishohet dhe shpenzimet për gjëra që do i veshësh vetëm pak po fare pak muaj, nuk janë gjëja e duhur. Ki parasysh që këpucët në muajt e fundit do jenë problemi yt kryesor, pra gjej ato pa lidhëse, pa ngjitëse, super komode dhe super të thjeshta për t’u veshur.
Këshilla tjetër për ta kaluar në qetësi të plotë shtatzaninë është, të evitosh njerëzit që të bëjnë të ndjesh stres dhe nga ana tjetër nëse sheh që për një arsye apo një tjetër nuk po ja del dot me detyrat e ditës, të kërkosh ndihmë. Nuk ka asgjë të keqe të kërkosh ndihmë dhe njerëzit në këtë rast do të jenë shumë të gatshëm të të ndihmojnë.
Shëtitjet, prishja e rutinës, muzika, gjëra të vogla të përditshmërisë që të shtojnë buzëqeshjen( kjo thënë nga një mam’ që muajt e fundit i kaloi në karantinë) janë faktori kryesor ndikues në humorin tënd.
Nuk ke nevojë për luks. Asnjë nuk ka. Bebi madje as nuk e di si është bota jashtë. Atij i mjaftojnë një trup i shëndetshëm nga i cili të marrë jetë e të zhvillohet, zëri yt, mendimet pozitive dhe dashuri pa kushte. Gjithçka që sheh përreth, e kam fjalën për gjëra të shtrenjta e “mama to be” që ecin mbi taka e bëjnë çudira, më beso, nuk po i tregojnë të gjitha e nuk do të jenë mama më të mira se ty.