Kur unë apo dikush tjetër bën apo thotë diçka e cila reflekton një edukim të mirë dhe ambicie prej njeriu të pavarur, një qytetar të përgjegjshëm me ndjeshmëri për komunitetin apo intelekt në pergjithësi, një prej mënyrave sesi komplimentohesh për këtë është duke të të thënë: “Nuk je për këtu ti, jo.”
Une nuk jam utopiste, kështu që e di fare mirë nga buron kjo sentencë e ndier, që shpeshherë del si një psherëtimë dëshpërimi dhe dorëheqjeje. Kjo do të thotë, se po të jesh një njeri me parimet fare bazike, po fare fare fare bazike të një qytetari modern: korrektësi, integritet, edukatë pune, nuk je për këtë vend.
Njerëzit këtu ndahen tipikisht në dy grupe: ata të cilet nuk i ndjekin parimet normale të bashkëjetesës në shoqëri, por ia dalin me mënyra të tjera- ata që “ecin këtu”-; dhe ata të cilët nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashket me këta të parët për shkak se kanë kulturë “tjetër”; ata të cilët janë “të destinuar” të jetojnë jashtë, a thua ata jashtë nuk janë njerëz si ne, nuk kanë bërë gabime si këto qe bëjme ne, a thua ata nuk kanë mësuar pikërisht prej këtyre gabimeve.
Edhe unë e kam bërë këtë ndasi, padyshim. “Shqiptarçe” e kam përdorur sa herë i jam referuar një situate me mungesë të theksuar komunikimi, organizimi dhe prakticiteti. Teorikisht, ky është paragjykim. Praktikisht, njeriu mëson nga përvoja dhe me të njomin njomet edhe i thati. Por të pranosh se mendësia e një grupi të caktuar na perfaqëson të gjithëve, është autogol. Është e gabuar të besojmë se njerëzit e mirë nuk janë për këtu. Ky nuk është vendi i te këqinjve.
E them pa kurrfare patriotizmi.
Unë besoj fort se kulmi i patriotizmit është të bëhesh një njeri i cili punon për veten dhe mendon edhe për të tjeret. Ky eshte kuptimi i vetëm universal i fjalës “qytetar”. Ne kemi frazën e famshme “Gur gur, bëhet mur”; secili nga pak, bëjmë shumë. Kam parë djem që hedhin plehrat nga makina me tatuazhin e shqiponjës ne krah. Ky nuk është patriotizëm.
Patriotizëm nuk është as të thuash “s’bëhet ky vend”. Kjo është të jesh i dobët dhe i shtirur. Nëse ka dicka per t’u bere, bëje. A nuk ke për ta bërë njësoj edhe në Gjermani, Londër apo në New York? Le t’i lëmë teorirat, sepse nuk na kanë çuar askund. Kemi 30 vite në tranzit dhe sot prapë vuajmë të njejtat probleme, të cilat i zgjidhim me lëmoshë perpara kamerave dhe shirita të kuq. Ky vend bëhet, po s’jemi ne për këtë vend.