Të dëgjosh muzikë nga KOKA është një përvojë shumëdimensionale. Është ndjeshmëria e famshme e milenialëve, e sjellë në muzikën e sotme, me produksionet imtësisht të detajuara të producentëve të skenës bashkëkohore të muzikës së Berlinit.

Ta takosh KOKËN, nga ana tjetër, është një tjetër lloj përvoje. Look-u- me baluke të prera shumë shkurt dhe onde natyrale- i shkon si të jetë bërë për të. Tipikisht, të bën të mendosh se KOKA është një vajzë rebele, dhe jo më kot. Artistja ka qenë një rebele gjatë gjithë jetës. Por, gjithashtu ka qenë shumë e ndjeshme gjatë gjithë jetës. Në të rrallë, këto dy gjëra bëhen bashkë dhe lindin ata njerëz për të cilët ne e kemi zakon të themi: “është artist i vërtetë”. Dhe po, KOKA është një artiste e vërtetë.

Kjo nuk do të thotë se nuk është korrekte: si gjermane, erdhi fiks në orar. Më duhet ta theksoj këtë, për të gjithë artistët që pretendojnë se janë artistë vetëm ngaqë bëjnë jetë kaotike. Arti do disiplinë. Dhe KOKA është tejmase e disiplinuar, ose të paktën, këtë përshtypje më jep mua teksa bisedoj me të tek Ironbrush në Tiranë.

Është duke punuar për albumin e saj të ri, dhe çdo këngë e ka të skeduluar. Së fundmi, publikoi “The Next Step”. Kënga e ardhshme, “Forever Goodbye” publikohet më 30 korrik. Pas “Forever Goodbye”, do të ketë edhe tre singles të tjerë, dhe më tej në shkurt të vitit të ardhshëm do të publikohet albumi i plotë, së bashku me këngën titullare: “Eudaimonia”, që nga latinishtja e lashtë do të përkthehej “lumturi, mirëqënie”.

Një titull aspak rastësor, po të më pyesësh mua. Basti im është, se ka zgjedhur këtë titull sepse këngët janë krijuar, nga vetë KOKA, gjatë kohës kur ndihej më së shumti e përmbushur. Edhe pse, teknikisht nuk do të duhej të ishte kështu. Më parë, KOKA punonte si arkitekte në një studio në Berlin. Vendosi ta lërë, që t’i dedikohet plotësisht muzikës. Kjo nuk ka qenë e vetmja gjë nga e cila ka hequr dorë, vetëm për të qenë e lumtur.

Por, të tilla momente të vështira, iu desh t’i përjetonte përsëri së fundmi.

“Në mars në Berlin, ishte karantinë, çdo gjë e mbyllur. Rashë në depresion.”, tregon KOKA, “E vetmja gjë që më ka shpëtuar, është një fansi im nga Brazili, i cili më gjeti në Instagram. Më tregoi se bënte filma të animuar. Ka një shpirt të mrekullueshëm. Ai ka qenë videograf tek MTV, kurse e dashura e tij është piktore. Kanë qenë shumë mbështetës. U tregova “Forever Goodbye”, dhe vendosëm që ai të bënte klipin, të animuar. Mbështetja e tyre ka qenë, si dy ëngjëj që më ngrinin flatrat dhe më thonin: “Mos bjer, ti duhet të fluturosh”.”

Është rritur në Tiranë, dhe shkollën e mesme e ka bërë tek gjimnazi Sami Frashëri. Më tej, është nisur për të studiuar dhe jetuar në Berlin. Së jashtmi, këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Por vetëm së jashtmi. KOKËS, si shumë prej nesh, i është dashur të rritet në një ambient i cili tregohet i ashpër dhe gjykues ndaj shpirtërave të lirë, ose më saktë, ndaj shpirtit në përgjithësi. KOKA ishte një artiste, së cilës i ishte dashur të zgjidhte një profesion më të sigurt, si arkitektura. Gjithashtu, një marrëdhënie të sigurt. 6 vite më parë, përjetoi një depresion të thellë.

“Ishte një shumatore e shumë gjërave. Atë kohë isha në një marrëdhënie, dhe isha pothuajse duke u martuar. Kisha shumë konflikte në atë marrëdhënie. Më çuan në pikën që, as në punë, as me shoqërinë nuk isha e lumtur. Asgjë nuk kishte kuptim.”

“Rastisi që hapa librin e Osho-s: “Love, Freedom, Aloneness” (Dashuria, Liria dhe Vetmia).  Sipas këtij libri, marrëdhëniet dhe jeta jonë, nuk janë rezultat i asaj me të cilës ne ushqehemi së brendshmi, jo i asaj se çfarë duam të jemi, por janë rezultat i kornizave që na prezantojnë të tjerët. Në marrëdhëniet tona, tentojmë të përmbushim këto korniza. Përshembull: “Kam një burrë me lek, ne jemi shumë mirë, kemi para të udhëtojmë…” Ndërkohë, ne mund të mos ndajmë asgjë me atë person. Ky shkrim më rezonoi jashtëmase”.

Pas ndarjes, për KOKËN nisi ajo që e quan “një periudhë purifikimi”, gjatë së cilës mësoi të jetojë vetëm dhe të shijojë atë çfarë ka, në momentin që i jepet. Mësoi meditimin dhe u kthye tek muzika, një dëshirë e hershme së cilës i qe larguar me kohë, por iu rizgjua në një kohë e cila në perceptimin e përgjithshëm, mund të konsiderohet “e vonë”.

“Kisha 16 vite pa e prekur pianon. Në moshën 30-vjeçare mendova: më duhet një instrument, sepse zgjohesha me melodi dhe më duhej patjetër një instrument që t’i shkruaja.”

KOKA përmend Billie Eilish, e cila duket ta ketë gjetur unin e saj artistik shumë herët, në moshën 17-vjeçare. Për KOKËN, arti ka qenë kurdoherë pjesë e saja, e megjithatë zgjodhi të shpërfaqet vetëm pak vite më parë.

“Secili prej nesh, ka kohën e vet”, pohon KOKA.

Ajo tani po bashkëpunon me disa nga producentët më premtues në Berlin, siç është Lindahl, si edhe producenti tjetër i njohur, Henrik Müller. Përpos albumit të saj, me Lindahl ka realizuar edhe një bashkëpunim për llogari të tij, “Audara”, i cili ka rezultuar një sukses në Spotify. Shumë shpejt, në gusht, do të publikohet edhe një tjetër bashkëpunim me Underher, një tjetër producent që po tërheq vëmendjen e njohësve të artit bashkëkohor.

Megjithatë KOKA thotë se për momentin, nuk ka ndërmend të publikojë më bashkëpunime, pasi do që tani e tutje, të bëhet e identifikueshme me stilin e saj.

“Kam një mesazh, dhe dua të prek njerëzit. Qoftë duke përdorur tonalitetin tim të mesëm, që e kam shumë të butë dhe njëherësh të vendosur, qoftë duke përdorur synthesizer-at, dhe harqet. Ka një element klasik në muzikën time.”

Albumi “Eudaimonia”, i gjithi i shkruajtur nga KOKA, do të publikohet në shkurt të 2022-shit nga Unfug Recordings.

Lexoni më shumë për Kokën në sajtin e saj zyrtar: https://kokamusic.co/