Nuk është e lehtë të humbasësh në vargjet e Maya Angelou-t

Kur je grua që ecën vetëm, me kokën lart

në këtë bulevard me lokale, taksi dhe stacione ekskluzivë për burra.

Të duhet forcë për të vallëzuar veç brenda dhomës me dritë difuze në mendjen tënde

Pa të parë askush, pa të quajtur të trishtë;

Ata nuk e dinë gëzimin e të vallëzuarit vetëm, me ritmin unik të vetes tënde.

Ndonjëherë është e vështirë, tepër e vështirë

Se ritmi i gjullurdisë njerëzore t’i ngatërron hapat

Dhe ndonjëherë, të parit veç nga horizonti s’të ndihmon që të mos rrëzohesh.

Por ti ringrihesh, rimerr buzëqeshjen e dlirë dhe vazhdon rrugën,

Mes këtij bulevardi statujash të ngrira zotash pa fytyrë

Dhe ulesh në karrigen tënde rrotulluese, me sytë nga horizonti i pamatë i peizazhit në Windows 10.

Ndonjëherë ngre sytë lart dhe pyet veten: është tavan, apo qiell?

Të tjerë nuk kanë për ta kuptuar ndryshimin ndonjëherë.

Dhe jo për të sharë të tjerët por thjesht,

Të ndezësh yje në të zezën e shterpë të hidromatit

Nuk është një aftësi e zakonshme.

Për Elonën