Unë gënjej. Jam gënjeshtar i lindur, ashtu si ndokush tjetër është i bekuar me dhuntinë e kënduarit bukur, apo me vëmendjen e duhur për të mësuar gjuhët e programimit kompjuterik ose për të krijuar gjuhë të reja. Ka njerëz të cilëve s’u shpëton asnjë vibrim i mendjes së një francezi dhe arrijnë ta kuptojnë çfarë thotë ai edhe pse s’kanë jetuar në Francë asnjë ditë të vetme. Këta lloj njerëzish i mësojnë gjuhët shpejt, mësojnë 4-5 gjuhë dhe mund t’i flasin rrjedhshëm. Edhe kur nuk u vjen në mendje një fjalë e caktuar, neuronet e tyre janë aq të shkathëta sa për të nxjerrë nga hiçi një sinonim i cili e zëvendëson atë dhe arrijnë të shprehen lirshëm në çdo situatë. Njësoj si ata, edhe mua natyra më ka pajisur me dhuntinë e rrallë për të gjetur kurdoherë një gënjeshtër e cila më shpëton nga çdo situatë që mund të bëhet e sikletshme.

E zëmë, javën e kaluar shkova tek një prej mbrëmjeve të biznesit ku jam i punësuar prej vitesh, punonjës i qëndrueshëm do të thoja, edhe pse në fakt jam i paaftë. Gënjeshtrat më kanë ndihmuar t’i bëj eprorët e mi të besojnë se jam i dobishëm. Kështu, kur njëri prej drejtuesve nga zyrat qëndrore hapi një debat profesional për të cilin nuk kisha kurrfarë argumenti, pa m’u dridhur fare qerpiku i thashë se sipas studimeve të Harvard-it, problematika në fjalë është kryesisht pasojë e paaftësisë së drejtuesve. Me pak vetëbesim, nëse ua vë fajin atyre që janë në krye, del gjithmonë i fituar. Kam kuptuar se shefat, ashtu si punonjësit, janë përplot me ndjesi faji për mosfunksionimin e gjërave. Ata, ashtu si ne, nuk paguhen për t’i zgjidhur këto kleçka, porse për ta hedhur fajin nga njëri tek tjetri si top, derisa ndonjëri më pak i zotë për ta qëlluar fajin drejt e në kosh, të shkarkohet. Kuptohet, asnjë studim Harvardi nuk ishte kryer mbi atë çështje. Megjithatë, unë e binda se e kisha lexuar atë artikull tek New York Times dhe drejtuesi, si një i burgosur që çdo natë zhytet në përsiatje mbi natyrën njerëzore të krimit të vet makabër derisa ta zërë gjumi, do jetë ndier i lehtësuar pasi nuk e gjeti dot atë studim tek New York Times. Sidoqoftë, dyshimi se ai artikull mund të ketë ekzistuar vërtet, por kish humbur mes morisë së botimeve të kësaj medie prestigjioze, e vetmja që unë e kam fiksuar si emër, nuk ka për ta lënë të qetë.

Mos më paragjykoni. Fakti që jam gënjeshtar, nuk më bën domosdoshmërisht njeri të keq. Unë nuk u bëj keq kolegëve të mi, pasi këtë talent të lindur e kam limituar vetëm për ato raste të shumta kur më duhet të shpëtoj prapanicën time. Jam si të thuash, si ata vampirët e filmave për adoleshentë që kërkojnë të bashkëjetojnë me komunitetin e të vdekshmëve dhe mjaftohen duke gjuajtur vetëm pre shtazore. Vetëm me gjakun e sorkadheve të pafajshme që i ruhen luanit, por përfundojnë të shqyera prej një armiku të cilin ata nuk e njohin. I tillë ishte edhe eprori im gjatë asaj mbrëmjeje pune: një kafshëz që fryhej për t’i ngjallur frikë shefit të madh, por sulmi i erdhi andej nga s’e priste: nga një punonjës i thjeshtë, hallka e fundit e zinxhirit ushqimor të një kompanie. Në këtë kuptim, mund ta quaj veten edhe një lloj Robin Hudi.

Po të doja t’u bëja të njëjtën gjë edhe kolegëve të mi, nuk do të isha këtu ku jam. Me aftësinë e pazakontë për t’i bërë njerëzit të besojnë diçka që nuk është aspak e vërtetë, pa mburrje e them se mund të isha unë në krye të vendit. Unë i dalloj ata të sojit tim dhe askund më shumë se në politikë nuk mund të hasësh gënjeshtarë të kalibrit të lartë. Jo se i kam dëgjuar ta thonë këtë prindërit e mi sa herë mblidheshim për të ngrënë darkë para edicionit qëndror të lajmeve. Talentin e lindur të politikanëve për të gënjyer mjeshtërisht e kam kuptuar vetëm atëherë kur gënjeshtrat e tyre janë bërë realitet i prekshëm i përditshmërisë. Sepse, që ta dini, një gënjeshtar i zoti duhet herë pas here të heqë dorë nga boshësia e fjalëve të tij; ky është çmimi që duhet të paguash për të qenë i besueshëm. E vetmja mënyrë për të dalë i pacënuar nga ky këmbim i dhimbshëm i të paqenës me të qenësishmen, është t’i kthesh në të vërteta vetëm ato gënjeshtra që nuk ta ndryshojnë thelbin.

Për t’i bërë qejfin ish- shefes sime, e gënjeva se i shkonin shumë flokët bjonde, edhe pse e bënin të dukej 20 vite më e madhe dhe i vinin në pah rrathët poshtë syve. E dallova menjëherë mosbesimin në sytë e saj të vegjël kafë plot rudha. Kështu, vendosa ta çoj gënjeshtrën më tutje: i thashë se bjondet dhe vetëm bjondet, janë fiksimi im fetishist. E lëkundur mes asaj që donte të besonte dhe indiferencës që ishte e detyruar të tregonte me vartësin e saj, më kujtoi se kisha bërë një gabim në inventar. Mirëpo, rudhat e saj ishin shenjat që lë zakonisht në lëkurë intuita tepër e mprehtë për t’i njohur njerëzit me një shikim nga koka tek këmbët. Ditët kalonin dhe unë e ndieja se ajo vajzë e qartë në qëllimet e saj po bindej gjithmonë e më tepër se nuhatja që unë jam një gënjeshtar, nuk e kishte gënjyer. Kështu, e dija se çfarë duhej të bëja. Vajzën e parë bjonde që njoha, e bëra të besonte se isha i interesuar. Pas kësaj, se doja ta njihja më tepër. Pas takimit të parë, e gënjeva se kisha dëshirë ta takoja përsëri. Në takimin e tretë, u shtira se nuk po i rezistoja dot dëshirës për ta puthur. Pas kësaj, nuk kisha përse ta bëja të besonte se doja të kaloja më shumë kohë me të. E gjitha, në harkun e dy javëve, e përllogaritur me qetësinë e një njeriu që, ashtu si shefja ime, e di mirë çfarë kërkon të arrijë.

Javën e tretë, i thashë vajzës bjonde të më priste përballë zyrës. Prita të dilja bashkë me bjonden shefe dhe i prezantova asaj bjonden që kisha për të dashur. I buzëqeshën njëra- tjetrës me shkëlqimin e syve të një fëmije që shikon babanë të maskuar pranë pemës dhe beson se Babagjyshi ekziston. Të dyja triumfuese të humbura në dëshirën për të besuar tek mirësia e shpirtit njerëzor. Kësisoj, edhe politikanët na bëjnë t’i besojmë duke na servirur të vërteta vetëm gënjeshtrat më pak të çmuara për ta. Një autostradë, një shesh i ri, një investitor gjigand i huaj që punëson 10 mijë shqiptarë por i çon të ardhurat jashtë vendit. Asnjëri nuk mund të jetë i besueshëm nëse thotë se nuk ka gënjyer, nuk ka vjedhur, nuk ka vrarë. Por nëse një politikan gënjen se do ta shikojmë shumë shpejt sa shumë do ta ndryshojë vendin dhe bën vetëm ndryshime që shikohen, ne do ta besojmë ndryshimin edhe nëse ai do të thotë më pak fruta në shportën e pazarit dhe mish vetëm të dielave.

Kjo është edhe arsyeja përse kirurgët plastikë kanë më tepër kredibilitet se psikologët. Kur bën terapi, psikologu përpiqet të të bëjë të besosh se nuk je i vetmi që vuan pasojat e edukatës së prindërve që na mësojnë të gënjejmë veten, jo të tjerët. Këtu, psikologut i jap plotësisht të drejtë. Ka plot tuhafë që zgjedhin të gënjejnë veten se drejtësia fiton gjithmonë dhe, pasi kjo nuk ndodh pothuajse kurrë, qurraviten nëpër banjot e zyrës. Problemi me psikologët është se gjithashtu përpiqen të të bëjnë të besosh se ndryshimi nis nga vetja, jo nga rrethanat. A thua vërtet do të ishe po kaq i pasigurt në situata sociale sikur të mos i kishe veshët si flatra dhe hundën si patate. Kurse një kirurg plastik, të premton se do të të ndryshojë pamjen e jashtme dhe të gënjen se hunda e vogël do të të ndryshojë jetën. E para rezulton gjithmonë të bëhet e vërtetë, të dytën e beson sepse fjala e kirurgut, ky supernjeri që ia del të rregullojë atë çka natyra e ka djallosur, të duket po aq e besueshme sa fjala e Zotit.

Ne, gënjeshtarët e lindur, jemi një bekim për ata që na rrethojnë. Ne dimë si t’i bëjmë të lumtur kur duhet, ashtu siç dimë t’i bëjmë të përpëliten në dyshime therëse nëse ia vlen apo jo të kapen me thonj pas ekzistencës së tyre të parëndësishme. Po të mos i shtyja herë pas here në humnerën e pakuptimësisë që ka çdokush brenda vetes, nuk do të dinin si ta shijonin ditën kur unë i gënjej se admiroj guximin e tyre për të ecur përpara. Orë pas ore, në të njëjtën tavolinë pune bojëgri të rrethuar nga mure të gjelbëruara me gjethe plastike dhe orkide silikoni, e gjithë qenia e tyre përpëlitet të krijojë ekuacione të ndryshme për një problemë e cila ka vetëm një zgjidhje. Po të mos isha unë, ata nuk do të mund të preknin fundin për t’u ngritur përsëri me forcë lart, tek monotonia e përhershme, e papërballueshme nëse qëndron aty për më shumë se dy- tri javë. I vetmi sensacion në jetën e tyre, është kur herë pas here dikush i kujton se ajo së cilës i kanë dedikuar jetën, 8 orë çdo ditë stresi i të cilave rrëmben edhe orët e gjumit, nuk ka kurrfarë vlere. Kjo, është e vetmja e vërtetë që unë ndihem i përgjegjshëm për t’ua përcjellë të tjerëve, derisa të vijë ora e mbrame e gënjeshtrës hyjnore: “Ti, koleg, je një perlë e fshehur në fund të detit. Një ditë do ta shikosh dritën e diellit dhe ajo do të pasqyrohet aq pastër mbi kalk, sa të gjithë do të mahniten prej bukurisë tënde. Puno fort: zbulesa vonon, por nuk harron.”