Ec e merre vesh se ç’kërkon njeriu në jetë. Për mua disa gjëra kanë qenë aq të thjeshta, saqë vetëm një budalla/qe do të merrte guximin të ankohej. Megjithatë, e kam gjetur me sukses mënyrën si t’i bëj të ndihen të vështira.

Diçka të tillë ia dola ta bëja edhe rishtaz, kur më në fund, munda të bëja realitet një prej dëshirave më kolosale që kam patur që prej kur isha 5. U vesha nuse.

Teksa parukieria më krihte flokët e bërë tel nga llaku i fortë në mënyrë që të mos ngjanin aq të ngrirë- sepse ritet e nuseve të fisme dallojnë nga ato të geishave e prostitutave vetëm nga dukja përfundimtare- mendoja vetëm gjëra filozofike si përshembull, se nëse Zoti kërkon ta vërë në provë vazhdimisht besimin tonë siç thonë, i bie të jetë njeri. Atë ditë ndieja një frikë të pakuptueshme të më përshkonte shtyllën kurrizore, e cila shkonte e bëhej nyje mbrapa koke. Aty, dy llastikët që tërhiqnin fort tufat e flokëve anë tëmthave për të sajuar ngritjen e vetullave, ishin lidhur fort duke shkaktuar një dhembje që shumë shpejt do të më pushtonte gjithë kokën. Për pak, do të shfaqesha para njerëzve me një bukuri të atillë, saqë edhe dhembja që ndieja në kokë e në shpirt do të ishte fare e papërfillshme për syrin, dhe ata do të përloteshin. Në kushte të tjera, e gjithë lodhja do të kish qenë e pamundur të fshihej, por aty për aty e kuptova se përse prej kaq shekujsh, gratë mund të vinin dorën në zjarr për këto truke bukurie, të njëjtat që nga koha e Kleopatrës.

Im shoq ishte i vendosur dhe i ndjeshëm si Çezari. Kur më propozoi, kishim tetë vite që njiheshim. Fillimisht, unë nuk e kisha parë dot me syrin që kërkon ta shikosh një burrë i urtë dhe i dashur, sidomos sepse isha tepër e zënë duke humbur kohë me burra- fëmijë që zgjoheshin një njeri i ndryshëm çdo mëngjes. Njëri prej tyre jetonte vetëm, por rrobat i lante tek shtëpia e së ëmës. Tjetri merrej me filozofi dhe më kishte bërë për herë të parë të dyshoja ekzistencën e një force të epërme që na shikon mëshirëplotë teksa bëjmë pikërisht ato gabime kundër të cilave predikojnë idhtarët e tij. Rrjedhimisht, i kisha bërë edhe unë ato gabime.

Atë ditë, teksa ime motër shtrëngonte me forcën e një mekaniku lidhëset e korsesë, po kuptoja se me të vërtetë, bukuria paska patur dhembje dhe se me të vërtetë, ia kisha futur krejt kot që nuk e kisha parë Arbrin me syrin e një bashkëshorti që tetë vite më parë.

– Sikur do liruar pak tek gjoksi, – i thashë, duke marrë frymë me zor.
– Do të të lirohet shpejt, më mirë duro tani se të bien fare pastaj,- ia bëri duke vendosur dy duart tek gjoksi im si dy kupa.
– A thua?

Tortura vazhdoi edhe një 10- minutësh dhe e ndjeva vërtet si lidhëset u liruan duke më lënë hapësirë edhe për mushkëritë. Kur më në fund edhe puna e parukieres përfundoi, u lëshova në karrige si e mposhtur duke shkaktuar pasthirrma tmerri se mos prishej koshi i fustanit. Beteja e fundit ishin takat dhe me to veshur mbi gungat e gishtave të mëdhenj, duhej të prisja në këmbë për makinën që do të më çonte tek liqeni ku do të bëheshin betimet dhe dasma e hapur.

Ishte një ditë e bukur qershori, mes dy ditëlindjeve të prindërve të mi të së njëjtës shenjë horoskopi, por me shenja të ndryshme mallëngjimi kur panë të bijën të veshur nuse, pikërisht pasi i kishin larë hesapet me të duke menduar se kjo kurrë s’kishte për të gjetur burrë. Mamaja ishte mpirë fare, kurse babai u përlot lehtas teksa unë zbrisja nga makina. Ai më zgjati dorën për të më ndihmuar të ngrihesha e të dilja, kurse unë me një hutim të paparashikuar nxitova të bëja vetë jashtë, siç e kisha për zakon t’i bëja vetë të gjitha gjërat. Ai stepi për pakëz dhe gati- gati i fanitur nga shpërfillja ime e pakontrolluar, më lejoi ta prija unë drejt altarit.

Teksa po prija tim atë në altar pa e kuptuar aspak se po bëja diçka të tillë dhe dëgjoja të qeshura të përmbajtura në radhët e të ftuarve, fillova të mendoja lloj- lloj skenaresh të çuditshme sesi kjo martesë mund të shkonte për lesh dhe Arbri do të më braktiste si përfundim në altar, për inat të tetë viteve të çuara dëm duke i shkuar nga mbrapa prapanicës sime. Njëri skenar ishte ai që po u shkonte në mendje me siguri, të gjithëve: që unë do ta shoqëroja tim atë deri tek im shoq, do t’i jepja tim shoqi dorën e tim ati, ata do të shikoheshin në sy dhe unë do të bëja mënjanë, duke u vendosur pranë tim kunati dhe kushëririt të tim shoqi, mu përballë tri shoqërueseve të nuses: dy kushërirat e mia dhe ime motër, teksa këto flirtonin me dy djaloshat të cilëve do t’u thuhej: “në kokë tënde!”.

Kështu pra, im atë dhe im shoq do të lëshonin më në fund duart e njëri- tjetrit duke u drejtuar nga kryebashkiaku që ishte gati të celebronte çfarëdoqoftë, dhe ai do të niste fjalimin e tij solemn për bashkimin solemn në një ceremoni solemne dhe ata do ta dëgjonin me sytë e kapsallitur, si dy burra që pyeten nëse janë gati të flijojnë jetët e tyre për jetën e kombit dhe thonë me bindjen e atij që s’e di cilës luftë po i hyjnë: “Po, dua!”.

Vetëm kur u kujtova të hedh sytë nga altari dhe pashë fytyrën e tim shoqi, të zverdhur, e kuptova se kisha rënë prapë në vrimën e lepurit të Lizës. Vetëm se këtë herë, nuk ishte një moment aspak i volitshëm. Këtë herë, të gjithë e kishin kuptuar se unë isha aty vetëm fizikisht dhe ç’ish më e keqja, e kishin marrë vesh se e gjithë kjo nuk ishte aspak nga sikleti i dasmës. Isha thjesht unë. Unë kam një mënyrë të vetvetishme për t’i bërë gjërat tejmase të vështira dhe s’mund të bëja ndryshe as në ditën e martesës sime.

Arbri kishte mbetur pa shprehi. Vetëm në çastin e fundit, kur unë isha vetëm një hap larg tim shoqi, babai u ndje mjaftueshëm i lirshëm sa për ta marrë situatën nën kontroll duke më drejtuar të kapja dorën e Arbrit dhe unë ndjeva ndryshimin mes lëkurës së ashpër të babait, me lëkurën e butë të Arbrit, që i shkonte për shtat vështrimit të tij, edhe pse brishtësisë së përhershme në sytë e tij ia kishte zënë vendin tashmë çoroditja.

Duke shpresuar të mos kishte kohë të ndryshonte mendje, bëra sikur s’e kisha mendjen dhe iu drejtova menjëherë kryebashkiakut, i cili ishte gati të celebronte çfarëdoqoftë, vetëm e vetëm për të dhënë atë fjalimin e vet solemn me një zë shumë solemn. Dhe teksa tashmë isha mjaftueshëm e vetëdijshme sa për të mos e patur aspak mendjen tek fjalimi i tij pasi mendja më shkonte vërdallë duke menduar sesi e kisha shkatërruar momentin më emocionues të jetës duke u përpjekur të mbetesha e pavarur edhe nga im atë, dëgjova Arbrin të më pëshpëriste diçka e cila fillimisht më tingëlloi si: “A mos je e çmendur?”

Pastaj, teksa fjalimit i vinte fundi dhe bëhesha përherë e më e ndërgjegjshme për vendin dhe situatën ku isha, munda pak nga pak ta deshifroja ç’më kishte thënë në të vërtetë.

“Je bërë shumë e bukur”.

Kur u thanë “po”-të dhe u kthyem të dy të martuar e të lehtësuar, të gjithë ishin përlotur.