Në fillimin e shekullit te 20-të, Carl Jung besonte se çdo burrë ka një grua brenda dhe çdo grua ka brenda një burrë. Në fakt, ai besonte se çdo grua mund të ketë brenda më shumë se një burrë, kurse një burrë mund të ketë vetëm një grua.
Këto pjesë të burrit dhe gruas i pagëzoi me emrat Anima (gruaja brenda burrit) dhe Animus (e anasjellta). Këto jetojnë të pavarur në psikènë tonë dhe nuk ndikohen nga arketipat gjinorë. Sipas Jungut, anime dhe animus nuk janë gjini, por shpirtra të gjinisë së kundërt që jetojnë brenda nesh dhe mund të na shfaqen në ëndërr. Animus mund të jetë gogol, por mund edhe të na bëjë të lumtur. Anima na bën të ndjeshëm, na jep krijimtari dhe lirizëm.
Qartësisht, kjo pjesë e Paralajmërimeve të Jungut është akoma më e shkëputur nga shkenca cinike e psikologjisë se gjithë të tjerat. Anima dhe Animus, në thelb, kërkojnë t’i japin udhë dallimeve të asaj se çfarë e bën një burrë të jetë burrë dhe një grua të jetë grua dhe nga ana tjetër, të gjejnë një pikëtakim, të pohojnë se ka diçka të përbashkët, thellësisht të përbashkët.
E njoh Jung-un shumë pak për të folur më me vetëbesim, por nëse e kam kuptuar konceptin siç duhet, besoj se edhe vetë Jung-u kur përpiloi këtë teori pavetedijshëm e bëri duke përdorur arketipat gjinorë. Ndryshe, për ç’arsye shpirtrat brenda nesh duhet të personifikojnë cilësitë e një gjinie?
Pse të mos jenë thjesht kompleksë, si të gjithë shpirtrat, si të gjithë njerëzit?
Unë nuk jam feministe (-tha çdo feministe). Besoj se gjithë çështja e ndasive gjinore qëndron tek nevoja e lindur e njeriut për t’u kategorizuar diku, për të qenë pjesë e diçkaje më të madhe, për të qenë i kuptuar më mirë nga të tjerë më të ngjashëm me veten. Kush nuk e ndjen të domosdoshme të përkasë në një grup, gjini, lum ai, sepse është një prej luftërave të brendshme më sfilitëse.
Kurse problemi, besoj, qëndron tek ndërlikimi i të tërës. Kompleksi i Edipit, i Elektrës, arketipet gjinore, stadi anal, stadi oral, pra shëmbëllesat moderne të teorive të Aristotelit, vargjeve të Homerit… Mezi i kam kuptuar. Besoj se do ta kishim të gjithë më të thjeshtë të mos përpiqeshim të kuptonim gjithçka nga njeriu, ta “lëmë të jetë”.
Sidoqoftë, dëshira për të qenë pjesë e diçkaje nuk është më e fortë se dëshira për t’i bërë të tjerët pjesë e diçkaje që e njeh, që e ke parë kur ishe fëmijë, që ka dy gjinj dhe qafë të hollë. Ajo na duket më e brishtë, thjesht sepse na lejon ta njohim dhe çdo gjë, nëse e njeh, bëhet e brishtë.