Bluja loton në konturet e ditës
Përcëllojnë dritëza yjesh mes qiejve të kohës
Valëvitet flamuri i paqes prej kobit
Dhe unë i shikoj si të isha e vogël
Dhe ndihem e vogël.
Priten tufa gëluese njerëzish
Prej planesh të reja matriksesh plot ngjyra
Ngjyra të ndezura karuselesh të pambarimta
Rrëshqasin si lotët ndër duart e mia
Dhe ndihem e madhe.
Vargjet kanë mbetur si rrugët pas vetes
Në kthen kokën dielli përskuq telajon e perëndimit
Fabrikën e kish thurur me dritën e vet
Dhe bie e vdes përmbi dritën e vet
Dhe ndihet i gjallë.
Përpara fjalëkryqe kutish pesëkëndore
A hoje mendimesh të ngritura peshë
Që koha ua nguli at’ thumb të helmuar
Dhe ranë e u prenë
Si krahët e një pëllumbi të pafluturuar
Që ndihet i lirë.
N’asfalt të arnuar mbi hapa të gabuar
Hapat tingëllojnë si çekiç në goditje
Dhe zhytet e zhytet me tej hija ime
Në dritën e fundit të të gjitha ditëve
Atë të cilën unë e di q’është veç dita e parë
Dhe ndihem mirë.