Në Përgjumësh sjellim një rubrikë të re, në të cilën çdo dy javë ju sjellim një përzgjedhje shumë sqimatare të këngëve më të reja të artistëve eksperimentalë por edhe pop.

Këto janë hitet që do t’ju shoqërojnë gjatë punës monotone në zyrë:

  • Jessie Ware- “Hot N heavy”

Jessie Ware rikthen diskon e vjetër me single-at e rinj nga edicioni Platinium i albumit “What’s Your Pleasure?” të 2020-ës.

“Hot N Heavy” ka përveç ritmeve shumë fiksuese dance pop edhe një videoklip shumë glamuroz, me vetë Jessie-n që kërcen si nëpër filmat e kërcimit të viteve ’80.

  • Mahmood, Woodkid- “Karma”

Artisti i njohur Italian, fitues i Sanremos, rikthehet në një album ku eksperimenton shumë me elemente të r&b-së, elektronikës dhe sigurisht, motive autentike të Egjiptit, vendi i tij i origjinës. “Ghettolimbo” është një album i përbërë nga kolonat zanore të serialit më të ri në Netflix, “Zero”, i cili trajton pikërisht jetën e njerëzve me ngjyrë në Itali.

Ndër këngët më të veçanta të albumit është padyshim “Karma”, për të cilën Mahmood ka bashkëpunuar me djalin francez extra cool të art pop-it, Woodkid.  

  • Daði Freyr – “Somebody Else Now”

Një prej artistëve më origjinalë të Eurovision-it të këtij viti, Daði Freyr rikthehet me një single të ri. Që nga ritmet psych-pop karakteristike të Daði-t, tek videoklipi shumë autoironik në efektet speciale, “Somebody Else Now” tregon se Daði duhet të jetë një artist i preferuar edhe pas Eurovision-it.

  • Hope Tala- “Mad”

Padyshim një prej artisteve më të nënvlerësuara për momentin, Hope Tala premton shumë. Dëgjoni single-in e saj “Mad” nga EP-ja e saj “Girl Eats Sun” përpara se të bëhet shumë e famshme, që pastaj t’u mburreni shokëve.

  • Koka- Let Them Know

Artistja shqiptare që jeton në Gjermani ka paralajmëruar këngën e saj të re, që publikohet në datën 26. Para se të dëgjoni “The Next Step” nuk mund të humbisni “Let Them Know”! Në fakt, nuk duhet të humbisni asnjërën prej këngëve të artistes shqiptare ish- nxënëse e Sami Frashërit, që me ndjeshmërinë e saj të shprehur po thërret vëmendjen e skenës së muzikës elektronike në Europë.