“Kënga e Çobanit” më thërriti menjëherë, që herën e parë kur e dëgjova të kënduar nga Hersi, e shoqëruar nga Jacopo dhe Andi, në dhomën e shtëpisë së babait të saj, i cili është gjithashtu daja im. Atë ditë dëgjova edhe këngë të tjera të risjella nga Illyria Trio, megjithatë melodia tejet intime, njëherësh e largët si një jehonë mes maleve që veç sa t’i kap syri, më shenjoi gjatë gjithë ditës. Më shenjoi dhe të nesërmen gjatë provave të tyre për koncertin tek Teatri, më shenjoi gjithë ditët që erdhën më pas me një lloj melankolie, nga ato melankoli për gjëra që kurrë s’i ke përjetuar.
Siç thotë Hersi, disa gjëra nuk ke përse t’i përjetosh, që t’i kuptosh. Ndjeshmëria artistike e vendit ku përket është një prej këtyre gjërave. Unë, nga ana ime, dua të besoj se jam pragmatike. Ja që edhe për mua është e vështirë të përmbahem, kur dëgjoj “Këngën e Çobanit”, që ime kushërirë më në fund e publikoi në Youtube me një video të xhiruar në disa nga peizazhet më mrekullisht të nënvlerësuara të Kukësit.
Dhe si mund të përmbahesh, kur Hersi- tani si artiste, jo si ime kushërirë- ka hedhur shpirtin në këtë interpretim aq haptazi, saqë shpirtërorja e “Këngës së Çobanit” të Hersit është gati-gati faktike. Ky është folklori; asgjë më shumë, asgjë më pak.
Për ta risjellë këtë këngë në gjithë madhështinë e vet, Hersi ka vite që hulumton për historinë e vërtetë pas saj: dy vite. Dhe varianti që është publikuar me video në Youtube, është rrjedhojë e shumë varianteve të tjerë përpara tij, që ka përpunuar bashkë me bashkëshortin, violinçelistin Jacopo Conoci.
Sipas gjyshes sonë Lazime, kjo këngë ka qenë për familjen, një trashëgimi po aq e vyer sa traditat e zonës së Lumës, ku jetonin paraardhësit tanë. Përpos varianteve të çlirëta të barinjve, varianti më i njohur është ai i Rexhep Kovaçit, për kuksianët aq ikonik sa “nuk duhej prekur”. E megjithatë, kishte ardhur koha që kënga të dilte jashtë kufijve- dikur të mëdhenj- sot tepër të vegjël të Kukësit. Teksa krijimi është pamohueshmërisht i Lumës, thirrja e malluar e gruas që çobani i vet të kthehet në shtëpi, duke e ditur që ai kurrë s’ka për ta dëgjuar me vesh (veç me zemër) duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve.