Nëpër kamp po qarkullonte prej ditësh një histori për një vajzë me emrin Shpresa, e cila kishte shfaqur aq shumë kthjelltësi dhe maturi, saqë Te Kthjelltit ishin magjepsur prej saj dhe e kishin marrë me vete në Malet e Bekuara.
-Ditmira më tha se ajo nuk fliste fare për të treguar gjëra të zakonshme, si përshembull unë kur të tregoj ty gjëra të zakonshme sesi kapnim karkaleca me mamin ose brumbuj, – po i tregonte Hartina me një ton mosbesimi të shtirur, teksa ishin ulur për të ngrënë rreth një shtroje në mes të dhomës – Ajo fliste shumë pak dhe fliste vetëm për gjëra të rëndësishme, si përshembull që nuk duhet të tregohemi të nxituar, ose që nuk duhet të qeshim shumë për një kohë të gjatë…
Aspasjanës iu duk më interesante çështja e të qeshurit të papërmbajtur të Hartinës sesa historia e sajuar për vajzën me emrin Shpresa, e cila nëse me të vërtetë do të ishte larguar nga kampi për të jetuar me Të Kthjelltit në Malet e Bekuara, me siguri do të kishin dëgjuar për ndonjë pasardhës të saj.
-Ç’të gjeti që nuk po e mbaje të qeshurën atë natë?, e pyeti.
Hartina shtrembëroi buzët sikur po përpiqej të kujtonte diçka me rëndësi dhe pastaj, ia plasi të qeshurës aq fort sa desh i spërkati të treja vajzat që po hanin së bashku me qullë trangulli. Shqipja dhe Pashkja, binjaket kokëkuqe, filluan ta qortonin njëzëri për veprimin e pasjellshëm duke e ngrënë shumicën e bashkëtingëlloreve, sepse asnjëra prej të dyjave nuk i kishte dhëmbët e përparme. – Moth qeth the po hamë!, u dëgjua të përqeshte binjaket nga shtroja ngjitur Syrja, e cila e kishte njërin sy më të madh se tjetri, dhe ia plasi të qeshurës bashkë me vajzat me të cilat po hante duke tërhequr menjëherë vëmendjen e Orave të Verdha, të cilat iu afruan dy tavolinave zhurmëmëdha gjithë kërcënime. Balina iu hakërrye Hartinës, e cila tani po hiqej sikur s’e kishte patur mendjen fare, por gjatë këtyre 5 muajve në kamp kishte bërë gjithçka që mund të bënte dikush nëse kishte për qëllim që Orat ta merrnin zët. Si u shua zhurma, Aspasjana iu kthye përsëri pyetjes se çfarë e kishte bërë Hartinën të qeshte pa pushim atë natë kur në kamp erdhi vajza e re, duke i paraprirë me një lutje që këtë herë të mos ia plaste përsëri të qeshurës.
-Do ta tregoj më vonë, – iu përgjigj pangeshëm Hartina, teksa gllabëronte një dorë me brumbuj të zinj, – Mhm. Qenkan të mirë, shijojnë tamam si mollë, provojini! Oh, më mbaroi uji… Kush do tre brumbuj në këmbim të një gjysmë kupe ujë?
Aspasjana buzëqeshi si për ta inkurajuar Hartinën, e cila ishte e lindur me fuqinë e mbinatyrshme për të shijuar çfarëdolloj gjëje, në çdo çast, pa patur ndonjë rëndësi të veçantë se ku ishte, me një entuziazëm fëmijënor. Dhe si jo, mendoi Aspasjana, kur ato kishin qenë fëmijë deri 5 muaj më parë. Tani ato quheshin vajza të rritura, vetëm se ndryshe prej vajzave të tjera të Gjalladekut, vajzat e kampit të lulëzimit ishin rritur menjëherë sapo kishin vënë këmbë aty. Vajzat e fiseve merrnin emërtesën “re” kur fillonin të “pikonin shi” dhe si re kishin detyrimin që të shkonin me mamatë e tyre për të mbjellë fara trangujsh dhe patëllxhanësh në javën e parë të muajit të parë të Plasjes, sepse prania e një reje në mbjellje konsiderohej ogur i mirë që toka të ishte pjellore dhe të prodhonte sa më shumë perime. Aspasjana mezi e kishte pritur t’i vinte koha kur do të shkonte për të mbjella me mamanë, ndaj 5 ditë pasi kishte mbushur 12, kur pa se kishte filluar të “pikonte shi”, shkoi me vrap t’i tregonte të ëmës, e cila në vend që të gëzohej u zymtësua akoma më shumë. Të nesërmen, Lindita nuk e la Aspasjanën të dilte as për të ndenjur në pjesën e pasme të kasolles, siç e kishte zakon të rrinte gjithmonë sepse aty babai kishte ndërtuar një gardh me degë rrobulli që Aspasjana të kishte një vend për të qëndruar përjashtë, pa e parë njeri.
Në ndryshim nga Aspasjana, Hartina kishte qenë me mamanë në të mbjella dhe ishte kënaqur shumë; ajo i fliste gjithë nostalgji për ditët e kaluara në Farishtë me të ëmën, Luljeta e fisit të Pishave, një fis endacak, e cila nga përshkrimet e së bijës dukej të ishte një grua po aq e hareshme sa Hartina. Aspasjana besonte se këto kujtime ia bënin më të lehta ditët në kamp Hartinës. Përveç kësaj, defektin që kishte Hartina mund të mos e merrje vesh fare po të mos e dije. Hartina ishte shumë e pashme, me flokë të verdhë me onde, sy jeshilë dhe një hundë të vogël pakëz me kurriz. Në fillim, vajzave të kampit u ishte dashur të hidhnin shumë teori se cili mund të ishte defekti i Hartinës- duke shkuar deri atje sa të thonin se ajo kishte lindur me një gjysmë organi mashkullor- derisa pas 2 muajsh ajo ua kishte treguar vetë, si pa të keq, në mes të të ngrënit, duke shkaktuar jo pak habi pasi mund të ishte defekti më i çuditshëm që kishin dëgjuar.
Aty ku dukej një si gungë në mes të hundës së saj të vogël, ishte në fakt një nyje tamam si kyçet e gishtërinjve. Hartina mund ta përthyente hundën majtas e djathtas pa ndier asgjë, përveç ndonjë kërcitjeje kur ia kishte qejfi. Edhe pse tmerrësisht i pazakontë, ky defekt dukej t’i përshtatej më së miri natyrës së paparashikueshme dhe gazmore të Hartinës.
-Kushedi sa mollë ka ngrënë Shpresa kur ka shkuar tek Malet e Bekuara…, -ia bëri Hartina ëndërrimtare teksa po dilnin rresht për një në shesh, ku Gelina u kishte thënë se do të merrnin udhëzime të rëndësishme për mënyrën sesi duhet të silleshin të nesërmen, kur të vinin Të Kthjelltit për bekimin.
-Ti nuk e beson me të vërtetë, apo jo?, – iu kthye Aspasjana gjithë dhembshuri. Ajo e dinte se duke i thënë Hartinës se diçka kaq e mrekullueshme nuk kishte kurrsesi gjasa të ndodhte, mund të ishte duke vrarë ca nga entuziazmi i saj i pashoq.
-Jo jo…,- u përgjigj Hartina gjithë mëdyshje, – Thjesht isha duke menduar se tek Malet e Bekuara duhet të ketë shumë mollë dhe se mollët duhet të jenë me të vërtetë të shijshme…
Gelina ishte duke i pritur si përherë në mes të sheshit, pranë Lisit të Blerinës. Vajzat u vendosën në dy reshta në formë gjysmë rrethi. Gelina filloi t’ua thërriste emrat një e nga një, për t’u siguruar se mos ndonjëra ishte arratisur pa e vënë re.
-Afrore!
-Këtu!
-Ajuka!
-Këtu!
-Arta…
Arta ngriti vetëm dorën, sepse kishte lindur memece.
-Aspasjana!
Aspasjana ngriti pak dorën duke mërmëritur: “Këtu” dhe pas saj, Bardha ngriti dorën e saj të deformuar, ku mungonin gishti tregues dhe gishti i mesit. Prej deformimit që kishte, Bardhës i kishin ngjitur nofkën “akrepi”, me të cilën Bardha qeshte, por disa herë Aspasjana e kishte gjetur duke qarë e fshehur pas tendës së vet. Kurse ajo e cila nuk e fshihte aspak vuajtjen që i shkaktonte gjendja e saj ishte Bora.
-Këtu…, -tha ajo duke tërhequr hundët kur Gelina thërriti emrin e saj.
Bora ishte vajzë e fisit Kumbulla, një nga fiset e reja që ishin krijuar pas fillimit të lulëzimeve. Ajo e kalonte kohën duke qarë, sepse që kur ishte e vogël fisnorët e kishin pagëzuar me titullin e vajzës më të shëmtuar të Gjalladekut dhe, duke u rritur e përçmuar, kishte fituar një dëshpërim të pashërueshëm. Të ishe e shëmtuar në Gjalladek ishte akoma më e rëndë sesa po të ishe e gjymtuar, e sëmurë apo e përdalë. Për fisnorët, shëmtia barazohej me ligësinë. Plakat e fiseve këndonin këngë për gra të shëmtuara dhe fatkeqe të shndërruara në shtriga, të cilat mallkonin retë e bukura pjellore që të mbeteshin të shterpa dhe qumështi i tyre të bëhej helmues. Kishte një këngë për një grua me emrin Albora, e cila nga dëshpërimi ishte shndërruar në një shtrigë dhe kishte mallkuar gjithë farën e të mbjellave dhe të gjitha pemët dhe që prej mallkimit të saj i gjithë dheu ishte bërë shterpë, pemët ishin vyshkur dhe lumenjtë ishin shterrur. Kështu që sigurisht, fisnorët e kishin mbajtur Borën sa më larg ta kishin të mundur, duke menduar se ajo do të shndërrohej në një shtrigë ashtu si Albora dhe do t’i mallkonte. Në lidhje me këtë teori Hartina u kishte thënë vajzave të kampit se, me kaq shumë lot sa derdhte Bora, jo që nuk kishte gjasa të mbetej gjë shterpë, por do të kishte mjaftueshëm ujë sa për të përmbytur gjithë Gjalladekun dhe për të rikthyer lumenjtë e rrjedhshëm që tregonin plakat në këngë të moçme.
Si mbaroi së numëruari vajzat, Gelina dërgoi të thërrisnin Besjanën, e cila kishte qëndruar për dy ditë e mbyllur në kasollen e dënimit. Berina dhe Lorina u kthyen pas dy minutash me Besjanën e cila mbante veshur të njëjtin fustan si edhe ditën kur erdhi, veçse tani ngjyra e bardhë e fustanit me një copë që derdhej lirshëm deri në tokë ishte ndotur me të kuqen e gjakut të Besjanës dhe të verdhën e dheut të kasolles së dënimit. E pangrënë dhe e papirë, Besjana mezi po qëndronte në këmbë kur e futën në reshtin e parë, mu përpara Aspasjanës. Plaga në faqen e saj të djathtë ishte forcuar dhe gjaku ishte mpiksur e kishte marrë ngjyrën kafe, ndërsa plagët e reja që i kishte shkaktuar Gelina duke i qëlluar me litarin e hithrës në fytyrë, ishin akoma të njoma. Sytë e Besjanës ishin të perënduar nga lodhja, e megjithatë ajo qartazi nuk e linte veten të kërrusej.
Gelina bashkoi parakrahët dhe hapi duart sikur po mbante një kupë; kështu i urdhëroi të 31-ta vajzat që edhe ato ta nderonin me simbolin e Lisit të Valbonës. Aspasjana gropësiti pa zhurmë dhe ndjeu aromën helmuese të trangullit që sapo kishte ngrënë t’i zinte për një çast hundën. Ajo aromë do ta shoqëronte deri të nesërmen, kur dielli të ishte ngjitur përsëri pingul mbi kryet e Lisit të Blerinës dhe koha për të ngrënë të vinte përsëri.
-Nesër është çelja e një jete krejt të re je për ju,- nisi të fliste Gelina duke bërë ecejake nëpër shesh, -një jetë, e cila është shumë më e madhe sesa thjesht një njeri. Më e madhe se jetët e 31 njerëzve!
Aspasjana vuri re Dajtinën, e cila kishte dalë në dritaren e shtëpisë së verdhë dhe po dëgjonte ligjëratën e Gelinës me një qëndrim ngadhënjyes.
-Ju keni lindur ndryshe, sepse nuk keni ardhur në jetë për t’u mjaftuar me çfarë ju jep kjo tokë derisa të vdisni; jo, jo, jo! Ju keni lindur ndryshe sepse jeni ju ato që i jepni kësaj toke! Vlera juaj është aq e paçmueshme, saqë vetë zotat tanë prej mishi e prej kockash, Të Kthjelltit e Maleve të Bekuara, do të vijnë këtu tek Lisi i Blerinës e do të përulen përpara sakrificës suaj, siç u përulën 500 vite më parë përpara sakrificës së Valbonës në Malet e Bekuara dhe siç iu përulën sakrificës së Blerinës, vajzës së parë që u lulëzua këtu, në të njëjtin kamp ku jeni ju…
Gelinës i pëlqente të përdorte duart për t’u dukur se ligjërata që mbante ishte e fuqishme, duke i hapur dhe duke i ngritur lart kur fliste për Malet e Bekuara dhe duke bërë simbolin e shenjtë kur fliste për Lisin e Blerinës. Por sado që zëri i saj i hollë e kishte marrë veten nga dy ditë më parë, akoma vazhdonte të krijonte idenë se nga momenti në moment do t’i këputej dhe Gelina do të mbetej pa zë në mes të fjalimit. Aspasjana pati frikë se Hartinën do ta zinte përsëri e qeshura prej të folurës së Gelinës, por shoqja e saj kishte marrë një pamje serioze dhe nuk po levizte as sytë.
Gelina pa nga Dajtina si të ishte duke marrë miratimin e saj dhe, si priti një çast për të shquar ndonjë reagim prej Kryeorës së Verdhë dhe nuk e mori, vazhdoi duke hapur duart gjerazi sikur po përpiqej të kapte fort me to gjithë vëmendjen e të 31-ta vajzave.
-Por ju e dini se e gjithë sakrifica juaj mund të shkojë për kot, nëse shpirti juaj nuk është zhveshur prej gjetheve të vyshkura të mendimeve të kota! Ju nuk jeni të zakonshme dhe ju nuk duhet të mendoni si vajza të zakonshme! Qëllimi i jetës suaj është i epërm! Dhe ju me mendjen tuaj duhet ta lartësoni atë!
Gelina mori frymë thellë dhe pastaj vazhdoi:
-Mendja e Të Kthjelltëve, siç dihet tashmë, nuk është e njejtë me mendjen e njerëzve të fiseve… Ata kanë aftësinë që t’i shikojnë gjërat qartë, asgjë nuk mund t’ua turbullojë gjykimin! Dhe nesër ata do të vijnë t’ju japin bekimin më të pashoq, duke ndarë me ju dijen e tyre të epërme! Askush në Gjalladek përveç vajzave të kampit të lulëzimit nuk është kaq me fat sa të mbajë në duart e veta dijen e bekuar të Të Kthjelltëve! Atë, ju do ta mbani në duart tuaja nesër!
Asnjëra nga vajzat nuk po shfaqte kurrfarë kurreshtjeje për se çfarë po thoshte Gelina. Jo se ndonjëra e dinte se çfarë do të ndodhte në të vërtetë të nesërmen; në kamp, ashtu si jashtë tij, kishte një mjegull paqartësie për atë se çfarë kalonin vajzat pasi i sillnin aty. Por vajzat nuk kishin kurrfarë kurreshtjeje për të ditur sesi do të sakrifikoheshin; u mjaftonte të dinin se do të sakrifikoheshin.
Një herë në mot, kur kalonte Zagushia dhe kur sapo kishte hyrë Plasja, trimat e Pemësit të udhëhequr nga Sokol Rrapi kryenin një fushatë gjatë së cilës gjenin vajza 14-vjeçare të lindura me mangësi apo me teprica dhe i çonin ato për t’u lulëzuar në kampin e Lisit të Blerinës. Kjo traditë kishte 500 mote që zbatohej me përpikmëri dhe deri para disa kohësh, fisnorët ishin mëse të gatshëm të bënin pjesën e tyre, edhe pse për ta do të thoshte të flijonin fëmijët e vet. Por, prej ca vitesh mes fisnorëve kishin nisur të përhapeshin pakënaqësi, sepse trimat e Pemësit nuk po i qëndronin siç duhej besës së dhënë nga paraardhësit e tyre 500 vite më parë.
Gjergjët e Maleve të Bekuara këndonin se, përpara lulëzimit të Valbonës, një thatësirë e madhe e kishte shndërruar Gjalladekun në një tokë djerrë ku nuk mbinin më as shkurret. Vetëm 100 fisnorë kishin mbetur gjallë pasi etja dhe uria e madhe i kishin detyruar të hanin njëri-tjetrin. Këtë kob e kishte shkaktuar mallkimi i Alborës, fisnorja e shterpë dhe e shëmtuar, e cila pasi ishte dashuruar marrëzisht me Artionin dhe ai nuk e kishte dashur sepse nuk i jepte dot fëmijë, ishte shndërruar në një shtrigë dhe kishte mallkuar gjithë Gjalladekun që të bëhej më i shterpë se vetë ajo.
Këngët e Gjergjëve nuk tregonin gjë se çfarë bëhej në këtë kohë me Të Kthjelltit e Maleve të Bekuara, si përshembull nëse uria e madhe i kishte pakësuar edhe ata në numër apo nëse edhe ata ishin detyruar të hanin njëri-tjetrin. Sidoqoftë, ajo që tregonin këngët e Gjergjëve ishte se Të Kthjelltit e Maleve të Bekuara kishin kërkuar gjatë sesi mund ta shpëtonin Gjalladekun nga mallkimi i Alborës. Pas shumë e shumë përpjekiesh nga ana e tyre, kryetari emblematik i Të Kthjelltëve, shpëtuesi i Gjalladekut Aleksandër Alti, e kishte gjetur më në fund mënyrën e vetme për të rikthyer jetën në Gjalladek në javën e tretë të muajit të parë të Freskimit. Ai thirri pranë vetes Valbonën shpirtpërndriturën, reja më e re e fisnorëve dhe i shpjegoi detyrën e saj të shenjtë dhe Valbona e kuptoi dhe e falenderoi. Në javën e tretë të muajit të parë të Zagushisë, Valbona pranoi të vetëflijohej për të shpëtuar Gjalladekun nga morti që e kishte kapluar; ajo u lulëzua bashkë me një boçe lisi dhe lisi hodhi shtat të plotë e lëshoi degë dhe prej degëve të tij dolën gjethe dhe çelën boçe të frytshme si shpirti i frytshëm i Valbonës dhe fisi i saj mori mbiemrin Lisi dhe malet pranë Lisit të Valbonës morën emrin Malet e Bekuara sepse aty u mposht mallkimi i Alborës.
Pas Valbonës, me dëshirë u vetëflijuan edhe gra të tjera të fiseve dhe prej vetëflijimit të tyre ngritën krye lisa të tjerë edhe pse, këngët e Gjergjëve nuk e shpjegonin mirë as këtë pjesë sesi nga njeringrënës fisnorët befas u kthyen në heronj që vetëflijoheshin për të mirën e përbashkët. Megjithatë, Gjalladeku kishte nevojë për shumë më shumë pemë që njerëzit të mos vdisnin më urie, kështu që Aleksandër Alti shpëtuesi i Gjalladekut këtë herë mori pranë vetes Liridon Rrapin, fisnorin më të mençur dhe më guximtar që ai të fliste me kryetarët e fiseve për të bërë me ta një pakt. Në këmbim të kësaj të mire, Të Kthjelltit i besuan Liridonit drejtimin e një grupi trimash fisnorë prej 15 vetash dhe një shtëpi në Pemës, e cila u ngrit me dijen e epërme të ndërtimit të Të Kthjelltëve.
Asokohe çdo familje fisnorësh lindte të paktën një fëmijë të mangët- pa këmbë, pa krahë apo edhe krejtësisht të deformuar, aq sa nuk mundeshin të lëviznin pa ndihmën e të tjerëve. Këngët e Gjergjëve thonin se edhe këto fatkeqësi ishin pasojë e mallkimit të Alborës. Liridon Rrapi këmbënguli fort për t’ua mbushur mendjen fisnorëve se fëmijët e tyre të mangët nuk bënin asgjë më tepër sesa të ishin një barrë për ta, një gojë më shumë për t’u ushqyer. Ai u kujtoi kryetarëve të fiseve se flijimi i vajzave të reja dhe pjellore ishte i domosdoshëm derisa mallkimi i Alborës të çrrënjosej plotësisht. Kur më në fund Liridoni ia doli të bëjë paktin e shenjtë me kryetarët e fiseve, në një fushë afër Pemësit u ndërtua një kamp ku të banonin retë e mangëta të Gjalladekut, për 9 muaj derisa shpirtërat dhe trupat e tyre të shpërthenin e prej shpirtrave dhe trupave të tyre të frytshëm të lulëzonte ndonjë pemë gjetiu në fushat me dhe të butë të Gjalladekut. Për t’u kujdesur për to, Liridoni gjeti 10 gra të virgjëra të cilat u betuan se nuk do të preknin burrë me dorë dhe se do t’ua kushtonin jetën vajzave të kampit të lulëzimit. Ato u quajtën Ora të Verdha prej ngjyrës së rrobës që mbanin, e verdhë si ngjyra e dheut të fushës, që të mos u duhej ta lanin rrobën e tyre shpesh ngaqë Gjalladeku po thahej për ujë.
Por, ajo që për Liridon Rrapin quhej pakt, për fisnorët quhej fjalë e dhënë që nuk duhej shkelur kurrsesi. Pasi e mbajtën me përpikmëri fjalën e tyre për 500 mote, fisnorët prisnin që edhe banorët e Maleve të Bekuara dhe te Pemësit ta mbanin fjalën e tyre, se flijimet do të bëheshin derisa mallkimi i Alborës të zhdukej nga faqja e dheut. Brez pas brezi, kryepleqtë trashëgonin besën e plotë që kishte dhënë Liridon Rrapi në një këngë të Gjonëve, që të vetëquajturit trima të Pemësit të mos e harronin dot kurrë borxhin që u kishin fisnorëve. Pas gjithë sakrificave të dhimbshme nga ana e tyre, më në fund Gjalladeku kishte nisur të lulëzonte përsëri me pemishte, shkurre, lule dhe madje në disa vende, kishin filluar të shtrohej bar e të krijoheshin lëndina; retë dhe mamatë e tyre mbillnin tranguj dhe misra në javën e parë të muajit të parë të Plasjes në Farishte dhe pastaj korrnin frytet e tyre të ëmbla dhe përgatisnin me to ushqime dhe bukë; vajzat e fisnorëve tani po lindnin të bukura e të shëndetshme dhe gjithmonë e më pak vinin në jetë të mangëta a të gjymtuara.
Tani, shumica e vajzave që ishin në kamp kishin defekte të vogla që nuk i pengonin ato të vazhdonin jetën si të gjitha të tjerat, duke mbjellë e duke korrur në Farishtë, duke u martuar e duke bërë fëmijë, duke u kujdesur për fëmijët dhe për shtëpinë, si çdo grua e fiseve të Gjalladekut. Prandaj, pjesa më e madhe e vajzave që ishin në kamp ishin marrë me forcë prej duarve të prindërve të tyre, të cilët prej kohësh shpresonin se fushatave të Rrapëve do t’u vinte fundi një herë e mirë ose së paku, do të tregoheshin mëshirëplotë me fëmijën e tyre pa ndonjë mangësi të rëndësishme.
Gelina i urdhëroi vajzat të vendoseshin në rresht për një dhe i kërkoi secilës që t’i tregonte si e bënte simbolin e Lisit të Valbonës, pastaj u kërkoi që të përuleshin teksa e bënin simbolin me duar dhe u tha se duhet të qëndronin të përulura gjatë gjithë kohës që zotat prej mishi e kockash Të Kthjelltit e Maleve të Bekuara do të ishin në kamp, dhe vajzat nuk duhet të guxonin t’i shikonin në sy përveçse nëse ata ua kërkonin vetë, përndryshe do të ndëshkoheshin keqas. Aspasjana vuri re se vajza e re këtë herë nuk po bënte fare rezistencë për t’iu bindur urdhrave të Gelinës, paçka se nga mënyra si e shikonte Orën e Verdhë mund të ishte fare mirë duke planifikuar një vrasje të ftohtë kur Gelina të ishte duke fjetur gjumë.
-Tani, ajo që është me rëndësi ta dini për nesër…,- filloi të thoshte Gelina pasi vajzat u rreshtuan përsëri në gjysmërreth, – është se çfarëdo të ndodhë, ju nuk duhet në asnjë mënyrë të ndiqni çfarë ju thotë një zë tjetër që nuk është zëri i Orave të Verdha, qartë? Këtë mbajeni në mendje dhe përsëritjani vetes gjatë gjithë natës.
Dhe Gelina u kthye nga Aspasjana.
-Çfarë do t’i përsërisësh vetes sot gjatë gjithë natës?
Aspasjanës iu duk sikur kishte shumë, shumë kohë pa dëgjuar zërin e vet kur tha me gjysmë zëri:
-Se nuk duhet të dëgjoj më asnjë zë që të mos jetë zëri i ndonjërës prej jush.
Gelina nënqeshi dhe tha: “Bukur”. Si përsëriti rëndësinë e kësaj detyre të rëndësishme, vajzat i çuan të pastronin rrënjët gentiane si çdo ditë, ndërsa këtë herë atyre u ishte bashkuar edhe Besjana, e cila u ul në një gur të veçuar në cep të sheshit, siç e kishte për zakon të bënte Aspasjana në ato ditë kur donte të ishte vetëm.
Aspasjana shkoi e u ul pranë Hartinës dhe binjakeve, të cilat jepnin e merrnin të dyja me një rrënjë që nuk dukej se kishte gjasa të këputej. Hartina dukej më e zymtë se zakonisht.
-Ajo historia që më tregove, – filloi t’i thoshte Aspasjana dhe Hartina ngrysi vetullat për të treguar se s’po i kujtohej, – për Shpresën… kush e nxori?
-Mua ma tha Ditmira, por Ditmirës nuk e di se kush ia tha…, – Hartina ngrysi prapë vetullat, -Tani që e mendoj, më duket se ia kishte thënë Dajtina në fillim fare kur u ujitëm, por Ditmira s’ia kishte vënë veshin sepse kishte qenë e mërzitur. Diçka e tillë…
Një histori për një vajzë me emrin Shpresa, të cilën Të Kthjelltit e Maleve të Bekuara e zgjodhën nga kampi i lulëzimit dhe e morën me vete në Malet e Bekuara… Sigurisht që kjo histori kishte dalë nga goja e një Ore të Verdhë. Ishte tepër e volitshme që të përhapej tani, kur Zagushia po afrohej gjithmonë e më shumë dhe vajzat bëheshin përherë e më tepër moskokëçarëse. Aspasjana mendoi se, ashtu siç kishte edhe emrin heroina, historia ishte shpikur qëllimisht nga Dajtina për të ngjallur shpresë të rreme mes vajzave të kampit se ndoshta, fati mund të kishte rezervuar për to diçka më të mirë se një varr në rrënjët e një lisi.
“Mos dëgjoni asnjë zë që të mos jetë zëri i Orave të Verdha”, i kishte thënë Gelina, sikur ta kishte ditur se Aspasjana dëgjonte çdo natë një zë të mbytur gruaje, për të cilin e kishte bindur veten se ishte zëri i së ëmës, por a ishte me të vërtetë zëri i saj? Ajo nuk kishte qejf të besonte tek shpirtërat, e megjithatë ndihej më e qetë nëse mendonte se shpirti i mamasë së saj e ruante netëve të vona, sapo Orat e Verdha mbyllnin dyert dhe në tendë pllakoste një heshtje mërmëritëse, sesa po të mendonte se kishte filluar të çmendej. Aspasjana nuk donte të largohej nga kjo botë pa jetuar më parë një ditë të lumtur, një ditë në të cilën të ishte e lirë të dilte e të nuhaste lule erëmira si ato të Pashtrikut, vendbanimit të Orave të Bardha, lule dhe flutura me krahëzat plot ngjyra të cilat mamaja ia kishte përshkruar aq mrekullisht dhe më pas e kishte mbajtur të mbyllur, pa e lënë asnjëherë të kalonte gardhin me degë Rrobulli që i kishte ndërtuar babai. Prandaj ndonjëherë, i pëlqente ta linte mendjen të lirë që ajo të endej ku të donte, në Pashtrikun imagjinar të këngëve të moçme apo në atë të vërtetin, një djerrë e zbrazët ku Orat e Bardha frytplota nuk mund të kishin jetuar kurrë. Dhe kishte qenë pikërisht gjatë këtyre përfytyrimeve gjithë liri, kur Aspasjana kishte filluar të dëgjonte zërin e mbytur prej gruaje t’i pëshpëriste fjalë të stisura si prej kënduesish, veçse pa pikë lidhjeje me njëra-tjetrën.
Binjaket ia dolën më në fund ta këpusnin rrënjen dhe e hodhën në shportë, kurse Hartina u kishte dhënë duarve shumë shpejt sepse që tani kishte filluar me copëzimin. Aspasjana fshiu me gishtërinj cepat e buzëve të thara nga etja dhe në gjuhë i mbeti shija tmerrësisht e hidhur e rrënjëve, të cilat nuk kishte për t’i vënë njeri në gojë po të mos ishte se kishin veti të jashtëzakonshme shëruese- ose të paktën kështu thonin mirëbërësit e Mesgjallit.
-E di përse qesha atë ditë?, – pyeti Hartina, për të cilën ishte hera e parë që kishte qëndruar gojëkyçur dhe e hutuar për një kohë kaq të gjatë, – m’u kujtua ajo dita në Plasje, kur në shtëpinë tonë erdhi Adriani me dy Pemësa të tjerë.
Aspasjana shtangu. Hartina e kishte fjalën për ditën kur e morën nga mamaja për ta sjellë në kamp, për të cilën nuk kishte folur kurrë. Hartina vuri buzën në gaz teksa vazhdoi të tregonte, pa e ndërprerë për asnjë çast punën me rrënjët.
-Mami nuk bëri zë fare për mua, domethënë për defektin tim. Ata më kontrolluan kudo: krahët, këmbët, madje më prekën edhe poshtë, në mes…, – Hartina e tha këtë gjithë siklet,- më prekën edhe gjokset. Adriani më tha se po i peshonte nëse ishin të njëjtë. Pastaj më kapi thithkat, se më tha që duhet t’i kisha të rregullta nëse doja të bëhesha një mama e mirë dhe një mama e mirë e ushqen fëmijën e vet me qumësht gjiri. Mamaja nuk po bënte zë fare, edhe pse ajo nuk më ka ushqyer dot me gji sepse nuk kishte për të ngrënë…Ajo thjesht donte që ata të iknin dhe të mos vinin më kurrë. Unë ia pashë kraharorin asaj: i rrihte zemra fort. Kurse unë isha shumë e qetë, nuk kisha frikë fare…
Hartina ishte tani aq e shkëputur mendërisht nga vendi ku ishin, saqë s’po e vinte re fare se rrënjët nuk po i copëzonte siç duhej dhe njërën e hodhi në shportë thuajse të plotë.
-Si më kontrolluan veshët, dhëmbët, sytë, pastaj iu mbush mendja se unë nuk kisha ndonjë defekt dhe u bënë gati për të ikur. Ta shikoje mamin sa shumë u lehtësua… mori frymë thellë dhe ne e përcollëm Adrianin tek dera dhe mamit i shkëlqenin sytë nga gëzimi. Pastaj Adriani, siç po bëhej gati për të ikur, mamit i dha dorën kurse mua më kapi hundën si me përkëdheli, kur hunda ime kërciti dhe u përthye…
Aspasjana ndjeu gjunjët t’i dobësoheshin. Hartina uli kokën dhe e lëshoi rrënjën mbi gur. S’po guxonte të kthehej ta shikonte nëse ishte apo jo duke qarë. Por, më shpejt sesa i duhej për ta kuptuar këtë, Hartina ia plasi të qeshurës tamam si atë nate, vetëm se këtë herë po qeshte me të madhe, me zë aq të lartë saqë tërhoqi vëmendjen e Orave të Verdha të cilat e kërcënuan, por nuk guxonin t’i qëllonin sepse siç duket, kishin marrë urdhra që të mos linin shenja në trupat e vajzave një ditë përpara ardhjes së Të Kthjelltëve. Hartina qeshi derisa e çuan në kasollen e dënimit. Kur Aspasjana kaloi aty para se të shkonin për të fjetur, e dëgjoi shoqen e saj duke qarë me ngashërima.