Si nëpër vegime, mes avujve gulçues të horizontit në perëndimin e kuqerremtë, u shfaq silueta e hajthme e një vajze me flokë të gjatë të zinj, e veshur me atë që dukej si një fustan i bardhë, e shoqëruar nga një siluetë tjetër, e madhe dhe e kërrusur, e një gruaje me fustan të verdhë. 

Tutje të zinte syri vetëm gurë të bardhë, shkëmbinj të zhveshur nga gjelbërimi i dikurshëm, të cilin banorët e Gjalladekut tashmë e dinin se kishte ekzistuar vetëm sepse gurët kishin ruajtur vende-vende gjurmën e kaftë të vyshkjes. Një pjesë e vajzave lanë pastrimin e rrënjëve dhe zunë të picërronin sytë me të shquar lehtësisht mes djerrinës së pamasë, siluetën e parë të njomë që i afrohej kampit prej pothuajse 5 muajsh, që nga dita e parë kur vajzat i kishin sjellë aty. Kjo u kushtoi vajzave një fshikullim nga Orat që po i ruanin. 

E ulur në një gur të veçuar në cep të sheshit, Aspasjana iu rikthye punës dhe pas pak, pa rënë në sy i fiksoi përsëri sytë tek silueta në lëvizje. Për ca çaste, nuk po e kuptonte nëse vajza ishte me të vërtetë tepër e shpejtë, apo ishin thjesht duhmat e dendura të vapës ato që e bënin të dukej sikur në një çast ishte larg, kurse në tjetrin ishte afruar menjëherë ndonja 100 hapa, si të ishte një qenie e mbinatyrshme. 

E ëma i kishte kënduar Aspasjanës së vogël këngë të shumta për Orat, krijueset e vërteta të Gjalladekut, qenie të mbinatyrshme me një bukuri magjepsëse që u buronte nga pjelloria. Ato ishin të veshura me të bardha dhe fjalët i radhisnin më bukur se kënduesit, dhe kishin zërin më të ëmbël në botë, dhe sa herë Orat u këndonin fëmijëve ata bënin gjumin më të mrekullueshëm. Nëse diku kishte djerrinë dhe vdekje, sapo të vinin Orat me fustanet e tyre të bardhë, vendi menjëherë do të fillonte të lulëzonte, do të gjallëronin flutura që përplasnin krahët shumëngjyrëshe dhe do të zinte të frynte një fllad i lehtë. “Orë e bardhë si borë mbi bredha…”, i këndonte Lindita të bijës, “…Lule çel aty ku shkel”.

Kurse Orave të kampit ku po rrinte Aspasjana prej 5 muajsh, nuk u qeshte buza kurrë. Asnjë pjesë e qenies së tyre nuk kishte ndonjë gjë të mbinatyrshme. Zërat e tyre të ashpër mund të shërbenin vetëm për të përcjellë urdhra të urryeshëm, apo për të ulëritur ndëshkime mizore nëse vajzat guxonin të mos i zbatonin urdhrat e tyre. Ato mbanin veshur fustane të verdhë, të gjerë deri në fund të këmbëve, me një prerje të drejtë që të mos u tregonte kurrfarë forme të trupit, përveç gishtërinjve të këmbëve ku myku kishte zënë shtresa dhe disave prej tyre, kishte nisur t’u gërryente thonjtë e zverdhur dhe të shtrembëruar. Poshtë fustaneve, në këmbën e tyre të majtë, mbanin lidhur litarët e bërë me kërcell hithre, për t’iu kujtuar vajzave që e humbisnin arsyen se përsa kohë do të qëndronin në atë vend, kishin akoma shumë për të humbur. 

Në krah të vajzës që po i afrohej kampit me një shpejtësi me të vërtetë të pashpjegueshme në përçapje për ta ndjekur ishte Gelina, e cila ishte krahu i djathtë i Dajtinës, Kryeorës së Verdhë. Aspasjana mundi të dallonte se Gelina po mbante në dorë një kupë e cila nxirrte tym. Vajza me fustanin e bardhë që po vinte bashkë me të kishte gjithashtu një kupë që nxirrte tym. Këto kupa ishin të mbushura me alga të cilat digjeshin. Ato shërbenin për të larguar grerëzat që gjendeshin rrotull kampit; edhe Aspasjana pati mbajtur në dorë një të tillë kur e kishin sjellë aty.

Gelina ishte për vajzat e kampit, njëfarë argëtimi në të zezë, sepse ecte me hapa shumë të vegjël, ishte e shkurtër dhe topolake dhe faqet i kishte gjithë damarë të kuq. Të gjitha këto tipare do ta bënin këdo tjetër të dukej babaxhan dhe disi i mefshët, por me Gelinën kishte ndodhur krejt e kundërta, sepse i ishin kthyer në arsye për t’u mbushur me mllef ndaj çdo qenieje të gjallë duke e veshur natyrën e saj servile me një hidhtësi të përhershme. Hartina, mikesha më e afërt e Aspasjanës në kamp, kishte një teori se Gelina kishte zgjedhur të bëhej Orë e Verdhë vetëm sepse donte të ndihej e epërme mes vajzave fatkeqe të kampit të lulëzimit, shumica prej të cilave ishin të lindura deformime fizike. 

Aspasjana picërroi akoma më shumë sytë, për të dalluar ndonjë shenjë deformimi tek vajza që po vinte me Gelinën, e cila tani ishte afruar aq shumë saqë mund t’ia dalloje klavikulat, pakëz të dala për një vajzë të moshës së saj. Ajo dukej të ishte pak më e madhe se vajzat e kampit, ndoshta 16 vjeçe. Flokët e gjatë të errët dhe format e prera të trupit i jepnin një hije gruaje, megjithatë ecja e shpejtë dhe moslodhja tregonin se ishte akoma një fëmijë. Hapat e Gelinës- të cilën vajza tanimë e kishte lënë goxha mbrapa- po bëheshin gjithmonë e më të vogla kurse shikimi i Gelinës, gjithmonë e më përçmues ndaj kampit plot me vajza të magjepsura pas vajzës së re që ajo kishte sjellë me vete.

Kur më në fund dyshja ishte afruar mjaftueshëm, Aspasjana mundi të shquante tiparet simetrike dhe të mprehta të vajzës, e cila kishte sy të zinj, të gjerë si bajame dhe buzë të plota; një mishërim i gjithë përshkrimeve të mamasë për Orat e Bardha. I vetmi detaj njerëzor në paraqitjen e saj, ishte një plagë e gjatë në faqen e djathtë, që fillonte tek hunda dhe përfundonte tek cepi i nofullës. Shenja dukej të ishte bërë rishtaz, sepse ishte akoma e hapur dhe e roztë aty ku dukej të kishte kaluar thellë një teh i mprehtë thike. I mprehtë dhe përcëllues qe edhe fshikullimi që i dha Ora Balina në kurriz, sepse pa e kuptuar Aspasjana kishte harruar të fillonte të copëzonte rrënjët gentiane. 

Mori gurin e mprehur, i vuri rrënjët mbi gurin e sheshtë dhe filloi t’i këpuste në copa të vogla, gjë që bëhej mjaft e vështirë për t’u bërë në atë kohë të ditës. Në perëndim, koka fillonte t’i rëndonte dhe sytë t’i mbylleshin nga lodhja për të mos menduar atë që prej 5 muajsh, ishte përpjekur ta zhyste sa më thellë në skutën e kujtimeve të padëshiruara. Të mos e çonte atë mendim nëpër mend ishte shumë e vështirë, sepse gjithçka i mbetej Aspasjanës për të menduar ishin vetëm vogëlsirat e përditshmërisë në kamp, e mbushur vetëm me pastrim rrënjësh ose pastrim kërpi, që pastaj e bënin fije që t’ua çonin Rrobujve dhe ata të bënin me to rroba. Aspasjana e kishte mjaft të vështirë të ndalej e të mendonte vetëm për këto gjëra, kur asgjë që bënte gjatë ditës nuk kishte kurrfarë domethënieje për vazhdimësinë e ditëve të tjera. Asgjë që mund të bënte nuk mund të kishte kurrfarë domethënieje për vazhdimësinë e ditëve që do të vinin. Pikërisht për këtë arsye, vajzat në kamp zakonisht përhumbeshin në kujtimet e së kaluarës, atëherë kur jeta ishte e lehtë si një pupëlule në ajrin e frymës së një fëmije. Për Aspasjanën, kjo qe ca më e vështirë, pasi as nga e kaluara nuk kishte shumëçfarë të këndshme për të kujtuar. Mbante mend mamanë e saj të bukur, tamam si Orat e Bardha për të cilat i tregonte, por dëshpërimisht të zymtë. Për 14 vite me radhë, Lindita e kishte mbajtur Aspasjanën të mbyllur në shtëpi, nga frika se njerëzit do ta vinin re defektin e saj të lindur dhe do t’ia merrnin të bijën për ta çuar në kamp. Aspasjana kishte qenë shumë e vogël kur e kishte kuptuar se çfarë do të thoshte të shkoje në kamp për t’u lulëzuar, kur në një mbrëmje të padurueshme Plasjeje, kishte dëgjuar të atin t’i fliste ashpër mamasë së saj:

-E kupton, që unë e ti nuk e mbrojmë dot?!, – ulërinte i ati, në fytyrë i kuq flakë nga rakia e dëllinjës, – E merr vesh, që kur të vijë Sokol Rrapi me trimat e vet me fletë dhe ta marrin, nuk do të kemi ç’të bëjmë?!

-Në mos shpëtofsha dot time bijë nga ata vrasës të mallkuar fëmijësh, – i ishte kthyer Lindita Ilirit gjithë përçmim, – Nuk dua të jetoj fare! Fare!

Dhe pastaj Lindita kishte rënë duke dënesur në këmbët e të shoqit, teksa i ulëriste të shkonte të fliste me Sokolin që të mos e merrnin vajzën e tyre. Iliri, babai i Aspasjanës, ishte kushëri i parë me Sokol Rrapin, prijësi i trimave të Maleve të Bekuara. Ata ishin rritur të dy në Kroj dhe në fëmijëri kishin qenë fort të afërt. Por kur Sokoli u bë 14 vjeç dhe babai i tij Luani e thirri në Pemës për t’iu bashkuar rioshëve të Maleve të Bekuara, ai e përshëndeti Ilirin për herë të fundit duke i thënë se detyra i kërkonte që tani e tutje të mos kishte më vëllamë, ndaj edhe i lutej të mos mërzitej në rast se do të kalonte pranë shtëpisë së tij dhe nuk do ta takonte dot. Ajo që Ilir Rrapi nuk e kishte menduar kurrë ishte se mund të vinte dita kur Sokol Rrapit do të duhej t’i merrte me forcë të bijën, për t’ia dënuar me syrgjynosje dhe vdekje në moshën më të gjallë të jetës së çdo vajze. 

Aspasjana desh goditi gishtin e saj me gur, kur dëgjoi zërin e Gelinës t’u thërriste për vëmendje vajzave tanimë të përhumbura nëpër kujtime të kohëve më të mira. Gelina kishte ardhur më në fund në kamp bashkë me vajzën, e cila e mbante kokën ulur jo si nga turpi, por me vetulla të ngrysura prej inatit. Gelina po qëndronte në vend duke dihatur, e rraskapitur në rrobën e saj të verdhë të bërë qullë nga djersët ndërsa u hodhi të 30-a vajzave një shikim kërcënues, nëse ishin përqëndruar apo jo të gjitha tek Gelina dhe jo tek vajza e re. 

-Siç e patë, në kamp sot ka ardhur një vajzë e re…, – zëri i Gelinës ishte më i hollë dhe më i ngjirrur se zakonisht prej lodhjes, – Quhet Besjana. 

Kaq ishte prezantimi që i bëri Gelina Besjanës, e cila ndërsa Ora e Verdhë fliste e shikonte veç me bisht të syrit duke refuzuar të ngrinte kokën që të tjerat ta shikonin. Pas kësaj, pllakosi një heshtje e sikletshme, por më tepër për Gelinën, e cila nuk po dinte si ta vazhdonte fjalimin mikpritës pa tërhequr akoma më tepër vëmendje tek vajza bukuroshe. 

Shenja në faqen e djathtë të Besjanës ngjante akoma më e freskët në rrezet e fundit të kuqe të diellit i cili tani ishte fshehur thuajse i gjithi pas horizontit. Aspasjana mendoi se shenja mund të ishte bërë fare mirë edhe një ditë më parë, aq e përskuqur ishte. Kushdo që ia kishte shkaktuar, me siguri kishte dashur që shenja t’i mbetej, pasi prerja hynte thellë në faqe në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë gjatësinë, duke u kujdesur që të mos e shponte mishin deri në fund. 

-Pra, mirëseerdhe në kamp e u lulëzofsh e përherëgjelbër,- iu drejtua Gelina Besjanës me zërin thuajse të fshirë dhe pastaj iu desh të kruante fytin, – ke ardhur në kohën më të mirë, në Freskim! Kemi kaluar vapën lebetitëse të Plasjes me Ujin e Bekuar që bekojnë për ne Të Kthjelltit Bekues, zotat prej mishi e kockash të Maleve të Bekuara…Kemi kaluar thatësirën e kobshme të Plasjes me ushqimin që mbledhin për ne Të Kthjelltit ushqyes, zotat mëshirëplotë të Maleve të Bekuara… Dhe shumë shpejt, do të kalojmë rrebeshet pemëshkulura të Zagushisë brenda shtëpive të forta që kanë ndërtuar për ne Të Kthjelltit Mbrojtës, zotat mendjendritur të Maleve të Bekuara!

Gelina e kapi Besjanën për krahu dhe e drejtoi në mes të sheshit, aty ku ndodhej Lisi i Shenjtë i Blerinës. Besjana vazhdonte të mos e ngrinte kokën, kështu që Gelina e zgjidhi duke i tërhequr fort fundin e flokëve të gjatë dhe Besjana shtrëngoi sytë nga dhembja, e megjithatë nuk bëri zë. Me buzët e mbledhura dhe vetullat e ngrysura, Besjana gjithsesi ngjante më e hareshme sesa Gelina, e cila edhe pse po buzëqeshte vesh më vesh nuk shfaqte kurrfarë shenje dashamirësie. Ajo e urdhëroi Besjanën që të ulej në gjunjë përballë Lisit të Shenjtë dhe, kur vajza nuk u përgjunj menjëherë, Gelina e shtyu me forcë sa ajo desh ra me fytyrë. Sa më shumë e detyronte Gelina të bënte gjëra jashtë vullnetit të saj, aq më pak i bindej Besjana. Kështu, kur Gelina i kërkoi që të përsëriste pas saj fjalët e shenjta të Blerinës, Besjana u kthye, e pa Gelinën në sy për ca sekonda dhe e pështyu. Vajzat shtangën. Gelina nuk priti gjatë për t’ia kthyer Besjanës me një shuplakë të fortë mu ne faqen e djathtë. Pas ca sekondash, plaga e Besjanës zuri të rrjedhë gjak kurse Besjana zuri të ulëriste me gojën e mbyllur si të ishte memece, çfarë e nxiti Gelinën që më në fund të bënte çfarë Aspasjana kishte vënë re se i dhuronte me të vërtetë kënaqësi: ngriti rrobën e verdhë, çrrotulloi litarin e hithrës nga këmba dhe e fshikulloi Besjanën disa herë me shpejtësi mu në fytyrë, duke u siguruar që t’i kapte pikërisht vendin ku kishte plagën. Në fund, Besjana ra përtokë duke përgjakur rrënjën e Lisit të Blerinës dhe Gelina thërriti Orat e Verdha që ta merrnin për ta cuar në kasollen e dënimit. Orat më të reja, Berina dhe Lorina shpejtuan ta ngrinin Besjanën peshë, ndërsa ajo dukej se kishte rënë pa ndjenja. Aspasjana e ndoqi me sy dhe vuri re se sytë e saj në fakt, leviznin, ndërsa Besjana e kishte lëshuar peshën e trupit aq shumë, saqë Orat e reja të Verdha mezi po e mbanin. 

Gelina mezi ia doli të mbledhë veten. Sa po fillonte t’u hakërrehej vajzave të tjera, të cilat e kishin lënë punën fare dhe po pëshpërisnin me njëra-tjetrën, kur dëgjoi zërin e Kryeorës së Verdhë, Dajtinës.

-Gelina!,- foli ajo, teksa afrohej me një ngadalësi të patrazuar nga dera e shtëpisë së verdhë drejt mesit të sheshit, ku ndodhej Lisi i Blerinës, – Le t’i lëmë mënjanë problemet e përditshmërisë tani për tani, sepse kemi një lajm të rëndësishëm për t’u dhënë vajzave.

Kryeora e Verdhë iu afrua gjithë përzemërsi Gelinës dhe kjo e fundit bashkoi parakrahët duke i mbajtur duart e hapura si të ishte duke mbajtur një kupë. Ishte simboli i shenjtë i Lisit të Valbonës, gruas së parë që u lulëzua në Gjalladek 500 mote të shkuara. Lisi i Valbonës, i cili vazhdonte të mbahej i pamposhtur në hyrje të Maleve të Bekuara si mes vapës vrastare ashtu edhe mes rrebesheve fshikullues, ishte përmendorja më e rëndësishme e sakrificës që duhet të bënin gratë e Gjalladekut për vazhdimësinë e jetës. 

Dajtina i pëshpëriti diçka në vesh Gelinës dhe pastaj, shkoi e ndaloi shikimin e saj të veshur me një perde të verdhë mu tek Aspasjana dhe filloi të fliste. Dajtina ishte 90 motëshe, megjithatë e mbante veten mjaft mirë. Kjo vihej re sidomos kur i dëgjoje zërin e plotë, të sigurt, ku e ku më kumbues sesa zëri i ngjirrur i Gelinës që kishte vetëm gjysmën e moteve të saj. 

-Dielli shkoi e u fsheh pas maleve, por nesër do dalë një diell i ri, dhe pasnesër një tjetër diell i ri… dhe ditën pas të pasnesërmes një diell i ri tjetër… dhe ky diell do të jetë i ndritshëm dhe mëshirëplotë e do të na sjellë flladet e ëmbla të freskimit… Por ky diell nuk do të jetë më i ndritshëm, as nuk do të jetë më mëshirëplotë, as më i freskët dhe kurrë më i qartë se zotat e Kthjellët të Gjalladekut, që do të vijnë në kampin tonë për të na bekuar lulëzimin…

Vajzat zunë të shikonin njëra-tjetrën pa mundur ta fshihnin frikën. Kur 30 vajzat patën ardhur në kamp 5 muaj më parë, u kishin thënë se do të qëndronin aty deri për Zagushi. Kurse tani, Kryeora e Verdhë Dajtina po u fliste për lulëzimin kur mbeteshin akoma edhe 3 muaj që të mbaronte Freskimi. Aspasjana ndjeu Orën e Verdhë Dielina pas saj të ngrinte rrobën dhe të çrrotullonte litarin e hithrës. Edhe Orat e tjera u bënë gati për në rast se kishte ndonjë reagim të papërmbajtur. Megjithatë, prania e Dajtinës mjaftonte për të shuar pëshpëritjet e vajzave ashtu edhe për të stepur Orat e Verdha që të nxirrnin litarët. 

Aspasjana kishte kuptuar se Dajtina, në 75 vitet që kishte si Orë në kamp- si Berina dhe Lorina, edhe ajo e kishte nisur kur ishte vetëm 15 motëshe- kishte mjeshtëruar artin e rrallë të komunikimit pa qenë e nevojshme të fliste dhe të të kuptuarit pa qenë e nevojshme të dëgjonte. 

Dajtina mezi ç’fshehu një nënqeshje duke parë situatën të shtendosej përpara syve të saj dhe, si pllakosi përsëri qetësia, e vazhdoi ligjëratën me një ton akoma më të sigurt se më parë:

-Lulëzimi, të bekuara vajza… nuk është fundi. Lulëzimi është fillimi i vërtetë i qenies suaj të frytshme.

Disa vajza kishin ulur kokën në gjysmë, si shenjë shfajësimi përpara Kryeorës së Verdhë. Kurse Orat e tjera, tani e kishin ngritur mjekrën gjithë krenari. Vetëm në anën tjetër të gjysmë rrethit të vajzave, Aspasjana vërejti miken e saj Hartinën, e cila kushedi ç’po mendonte sepse mezi po e mbante të qeshurën. Në krah të saj, Ditmira i bënte me shenjë që ta mbante veten përpara se të meritonte ndonjë të fshikulluar. 

-Por, asgjë nuk lulëzon në Freskim… ju e dini këtë. Lulëzimi do të ndodhë siç ju kemi lajmëruar, në javën e tretë të muajit të parë të Zagushisë. Por, jo pa marrë më parë bekimin e zotave të Kthjellët të Maleve të Bekuara. Ata do të na bekojnë me praninë e tyre ditën pas të pasnesërmes, në javën e tretë të muajit të parë të Freskimit. 

Dajtina u nis për të ikur, por në mes të rrugës ndryshoi mendje dhe u kthye nga vajzat, duke shënjestruar me shikimin e saj pikërisht Hartinën, e cila ishte gati të shpërthente në të qeshura: – Lajmëroni dhe shoqen tuaj të re kur të dalë nga kasollja e dënimit. 

Në shesh kishte rënë errësira dhe vajzat u shoqëruan një nga një në shtretërit e tyre. Sapo u shtrinë dhe Orat e Verdha u larguan për të fjetur në dhomat e rojes, Hartina më në fund shpërtheu në të qeshura, duke shkaktuar një revoltë nga ana e vajzave të cilat e lutën që të pushonte para se të vinte dikush. Por, nuk qe punë që bëhej; Hartina thjesht nuk pushonte dot së qeshuri dhe vazhdoi ta bënte edhe për goxha gjatë, edhe pse me zë të ulët.

Megjithatë, e qeshura e pandalshme e Hartinës nuk e ndihmoi dot Aspasjanën që të shuante zërin e mbytur brenda kokës së saj, që i fliste fjalë përgjithësisht të pakuptueshme çdo natë përpara gjumit. Ishte zëri i mbytur i mamasë, tamam siç e kishte dëgjuar për herë të fundit 5 muaj më parë, në një mbrëmje plot vapë drobitëse Plasjeje kur Aspasjanën e kishin marrë me forcë prej duarve të Linditës për ta çuar në kamp. 

Zëri i mbytur i mamasë i këndonte çdo natë përpara gjumit histori nga më të çuditshmet, shumicën e fjalëve të të cilave Aspasjana mezi i shquante. Ishin këngë të lavdishme për Ora të Bardha dhe Kulshedra që mposhteshin vetëm nga trima me fletë, ose këngë për Gjalladekun e mëparshëm, kur ligjin s’e bënin Të Kthjelltit në Malet e Bekuara por fisnorët të ndihmuar nga Orat e Bardha, mbrojtëse të trimave. Ishin këngë të ngjashme me ato që i tregonte mamaja kur Aspasjana ishte e vogël, veçse këto që i tregonte zëri i mbytur përpara gjumit, kishin shumë më tepër ndodhi të çuditshme dhe pa ndonjë lidhje me njëra- tjetrën, si përshembull sesi Kulshedra desh përmbyti Gjalladekun por një trim me fletë e vrau me një gur të rëndë dhe më pas trimi me fletë u mbyll aty në kamp për ta lulëzuar Orat e Verdha…

Por, këtë mbrëmje, zëri i mbytur po i këndonte një këngë ndryshe, që s’kishte të bënte aspak me këngët e çuditshme për Ora të Bardha dhe trima me fletë. Këtë herë, zëri po i thoshte se babai i saj, Iliri, mund të ishte gjallë diku aty rrotull dhe ndoshta një ditë, mund të vinte ta nxirrte të bijën e vetme nga kampi… 

Hartina nuk e ndaloi të qeshurën deri pas mesnate.