Kur e nisa Përgjumësh në prill të 2017-ës, bëra një shkrim si ky i sotmi. Unë jam shumë dembele për t’iu rikthyer shkrimeve të mia, kështu që më duket se qe diçka në lidhje me atë që Përgjumësh ishte një blog dedikuar brezit tim, pra brezit të fëmijëve të viteve ’90, ndaj edhe nëntitulli i blogut është “fëmijët e kafeinës”, pasi njihet marrëdhënia jonë speciale me kafetë e bllokut.
Brezi i ri duket t’i ketë braktisur ato; me një vëzhgim të thjeshtë në bllok, mund të vëresh se shumica e atyre që rrinë në good ol’ Radio apo good ol’ Tribeka, nuk janë 20- vjeçarët e sotëm. Jemi po ne, të përgjumurit e djeshëm, ata të cilët lindën në një epokë kur të rrije kot nuk ishte luks, por stil jetese. Brezi i ri nuk është siç kemi qenë ne. Duken më të vetëdijshëm për orët që shpenzojnë nga jeta e tyre dhe paratë gjithashtu. Pikërisht për këtë, më duhet ta shkëpus krejtësisht këtë blog prej brezit tonë të vyer, i cili i plotëson fare mirë të gjitha kriteret për të zënë vendin e atij që ne e quajmë “brezi i djegur”.
Përgjumësh nuk është një blog vetëm për milenialët. Së paku, jo në kuptimin e parë të fjalës “përgjumësh”. Përgjumësh është një blog edhe për ata të cilët zgjohen çdo mëngjes plot energji, pinë një gotë lëng panxhari dhe shkojnë në palestër; ata të cilët nuk konsumojnë kafeinë pasi dinë t’i ruajnë parametrat e trupit të vet e megjithatë, qëndrojnë të përgjumur kur vjen fjala për të kërkuar atë çfarë meritojnë. Madje, Përgjumësh nuk është as blog fare, porse një përpjekie e vazhdueshme, një proces i pambarim për t’u zgjuar prej letargjisë.
Kështu pra, para se të filloj të tingëlloj si një udhëheqëse kulti, po ju sqaroj se tek Përgjumësh nuk do të gjeni gjokse dhe prapanica, përveçse nëse këto janë me të vërtetë tejmase speciale.
Personazhet që do të lexoni tek Përgjumësh nuk do të jenë ata që janë të famshëm vetëm prej jetës së tyre personale, por ata jeta personale e të cilëve është bërë interesante pasi ata u bënë të famshëm prej talentit, gjenialitetit apo të famshmit faktor X. Gjithashtu, personazhe të rinj frymëzues, deri edhe shfrymëzues. Do të kemi një cikël intervistash me ata të cilët për ndonjë arsye apo tjetrën, kanë vendosur të heqin dorë nga sfera publike, të cilët do të na rrëfejnë prapaskenat shpesh jo të bukura të politikës, artit dhe fushave të tjera me interes.
Por, le të ndalemi tek personazhe të tjerë interesantë, siç jemi përshembull ne, themeluesit e Përgjumësh (ose CEO and founder siç kam personalisht ndërmend ta shkruaj në Instagram). Hersi Matmuja, Rezi Matmuja, Irda Haruni, Genta Hodo dhe çuni jonë Jacopo Conoci nga Italia jonë fqinje, janë emrat që do t’i lexoni shpesh në shkrimet e Përgjumësh.

Hersi do të ketë blogun e vet brenda Përgjumësh, ku do të na rrëfejë aventurat e një këngëtareje me zërin e shkëlqyer, nga koncerti në koncert shpesh së bashku me bashkëshortin, violinçelistin Jacopo Conoci. Jacopo, nga ana e tij, do të ndajë me ne pasionin e vet të tretë pas Hersit dhe pas muzikës: filozofinë, në rubrikën “Ekshën”.

Tani do të më duhet fillimisht të shpjegoj diçka në lidhje me titujt: ne e flasim dhe e shkruajmë shqipen shumë mirë, dakord?
Tani që e thashë këtë, do të ndalem tek rubrika jonë feministe: “Ç’na çanë dërrasat këta feministët”. Pikërisht këtu hyn në skenë Rezana Matmuja, feministe e flaktë, e diplomuar për psikologji në Universitetin e Tiranës dhe studente e shkencave politike në La Sapienza të Romës. Stili i saj vibrant, natyra e saj sa e sertë aq edhe e ujshme, e bëjnë këtë krijesë një rruzar të vyer të gjerdanit tonë.

Gjithashtu, kemi nderin t’ju prezantojmë me Irda Harunin! Një vajzë aq energjike, saqë kam filluar të besoj rëndshëm në horoskop. Irda, si një shigjetar i denjë, qëllon gjithmonë në shenjë. (Rima!)

Irda ka botuar një libër me poezi, “Pasqyra”; ka sjellë në jetë bebushin me faqet më të mira në botë dhe teksa kujdeset që t’i mbajë ato të fryra dhe të shëndetshme, Irda realizon edhe një podcast në rrjetet sociale, në fokus të së cilit janë gratë e të gjitha moshave, besimeve, krahinave dhe bindjeve politike, nën titullin “Njëra nga ne”.
Kështu pra tek Përgjumësh, Irda do të ketë plot për të ndarë, që nga çështjet e feminizmit ashtu edhe recetat e gatimit dhe prindërimit, tek rubrika “Gocë për shpi” (ironike kjo).
Po unë? Si një Mark Zuckerberg i vërtetë, jam gjeniu pas gjithë kësaj sipërmarrjeje të vogël të cilën jam e sigurtë që do ta shndërrojmë në një sipërmarrje të madhe. Dhe meqënëse jam kaq e mençur sa për të patur një media timen edhe pa diplomë universitare, besoj se duhet të më lexoni duke mbajtur madje edhe shënime. Përpos editorialeve të mia, unë do të jem kudo, edhe pse ju nuk do ta kuptoni. Mes rreshtave të Irdës, Jacopo-s, Rezit, Hersit, aty e fshehur do të jem unë, në ndonjë fjalë, a ndonjë shkronjë.
Dhe meqë arritët deri këtu, s’mund të rri pa përmendur Ervin Gjikën, themeluesin e Creative Point i cili u kujdes për ta bërë këtë një uebsajt të thjeshtë dhe pa teprica.
E megjithatë, protagonistët e vërtetë të Përgjumësh jeni ju. Jo sipas klishesë së përhershme; Përgjumësh ka dhe do të ketë kurdoherë hapësirë për të gjithë ata që duan të shkruajnë dhe të publikohen, me kushtin e vetëm që secili prej tyre, të sjellë mes rreshtave të vet një ninullë të re, origjinale dhe të papërsëritshme zgjimi.
Është koha të mos jemi më Përgjumësh.