Ky shkrim është përgatitur në kuadër të programit Ponder Albania me fokus mendimin kritik në media, udhëhequr nga UNICEF Albania dhe implementuar nga ICTSlab.

Tea Aliaj / Ponder Albania

Shqipëria, është një vend i botës së dytë ne Ballkanin Perëndimor që pas 47 vitesh “komunizmi” nën regjimin e Enver Hoxhës kaloi ne një fazë tranzicioni, produkt i së cilës ishte ardhja e një sistemi të ri qeverisjeje, Demokracisë. Në vitin 2009, ky shtet zyrtarisht bashkohet me NATO-n, e pesë vite më vonë rekomandohet nga Komisioni Evropian si kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shpeshherë, fokusi kryesor i aktualitetit të pasdites është Rruga e Shqipërisë drejt BE. Por a është kjo rrugë opsioni më i mirë për të ardhmen e vendit tonë?

Duke qenë se Shqipëria është akoma një shtet në zhvillim, anëtarësimi në BE do të sillte përmirësim në fushat ekonomike, sociale e politike të këtij vendi. Sipas faqes zyrtare të Këshillit Evropian, për t’u anëtarësuar në BE, një shteti i duhet të plotësojë tre kritere themelore të cilat janë:

  • Kriteri politik, garantimi i demokracisë nga institucionet
  • Kriteri ekonomik, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe
  • Ai i kapaciteteve administrative e institucionale

Deri më tani, progresi i Shqipërisë konstatohet me Reformën në Drejtësi, Vettingun dhe ndërtimin e SPAK, elementë të cilët vërtetojnë përafrimin me standardet Evropiane e rritjen e cilësisë së pushtetit gjyqësor në vendit tonë dhe rafinimin e demokracisë. Gjithashtu, nëpërmjet programeve të ndryshme rinore i jepet prioritet kriterit social të emancipimit të rinisë vendase duke e afruar atë më tepër me mentalitetin e risitë e rinisë Evropianë. Qytetarët e shteteve anëtare të BE, kanë lehtësi në lëvizje nëpër shtetet e tjera anëtare për mundësi arsimimi dhe punësimi.

Por përveçse anëve të shumta pozitive në zhvillimin dhe rimëkëmbjen e Shqipërisë, anëtarësimi në BE ka dhe anë negative të cilat nuk premtojmë një të ardhme të sigurtë. Rast konkret është shteti Bullgar, i cili pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk pati ndryshime të dukshme të përmirësimit të jetesës së qytetarëve bullgarë e gjithashtu lehtësimi në lëvizje ka sjellë emigrimin masiv të rinisë, çka rrit moshën mesatare dhe ul forcën punëtore, duke e lënë vendin në një “krizë rinie”. I trishtë është edhe fakti se si një nga shtetet më të reja të këtij bashkimi politik është edhe shteti më i varfër në të.

Bashkimi Evropian promovon vlera dhe qëllime që përmirësojnë demokracinë dhe mirëfunksionimin e një shteti, por a është e ardhmja jonë një dritë në fund të tunelit apo na pret një rreth tjetër i ferrit të Dantes?