Në mes të një skene tipike “kujt i rrinë më bukur syzet e shoqes sonë hipermetrope teksa pimë verë të ngrohtë në shesh”, kuptova se nuk shikoja mirë së largu. Me syzet e shoqes, mund të dalloja fare mirë se djemtë 5 a 6 tavolina më tutje kishin porositur qofte dhe tymosnin Marlboro. Pa syze, nuk e dalloja dot. Gjithçka e shikoja dyshe. S’e kisha vënë re kurrë se kisha nevojë për syze. Reagimi i parë qe entuziazmi: syzet janë cool, syzet janë sexy.
Dhe, pikërisht sepse tashmë çdo detaj i përditshmërisë më duket i vlershëm për ta trajtuar gjatë e gjerë në blogun tim, fillova të mendoja se syzet, ky objekt i rëndësishëm për shikimin e shëndetshëm kur qëndron me orë përpara kompjuterit, dashur pa dashur janë shndërruar edhe ato në një standart bukurie më vete. Praktikisht, pa syze je një vajzë normale, që përcjell një imazh të shëndetshëm, atë të dikujt që nuk e stërmundon veten për ndonjë veprim si puna e leximit të librave pra, nuk je peshkope.
Me syze ama, me pak kreativitet në kombinimin e veshjeve dhe shumë vetëbesim, mund të krijosh një imazh atipik, e njëherësh shumë tipik siç është ai i peshkopes sexy. E keni parasysh, gjëra si telat që nevojiten për të rregulluar një strukturë jo-normale të nofullës, tani janë në modë. Instagram-i ka legalizuar madje edhe aknet, sepse njerëzit herë pas here mërziten nga fytyrat e zakonshme dhe pikërisht në këtë moment Kendall Jenner ia beh me puçra në tapet të kuq.
Unë personalisht, nuk kam qenë ndonjëherë fanse e standarteve masive të bukurisë: flokë me ombre, prerje bob, pantallona tre- çerekëshe e me radhë. Por, e vërteta është se syzet nuk qenkërkëshkan edhe aq bujare me vetëbesimin.
Kështu, shkova të bëj vizitën tek okulisti. Ishte një vajzë e re tek të 30-at, brune, shumë simpatike si prej tipareve fine, ashtu edhe sepse dinte si të sillej me dikë që po bëhej gati të vendoste syze për herë të parë në jetë. Nuk më përcolli aspak panik kur mezi po i dalloja gërmat e vogla në ekran, të cilat jo vetëm i shikoja dyshe, por nuk arrija t’i dalloja fare.
“A është B, apo D? Apo mos është O?!”- Alfabeti latin paska qenë tmerrësisht diskriminues. Janë simbole të vendosura konvencionalisht, jo sepse kanë ndonjë marrëdhënie të vërtetë mes imazhit dhe tingullit. Si të thuash, fytyra e qeshur e B-së, nuk ka lidhje me zërin e mbytyr që lëshon kur nyjëton këtë fonemë të shurdhët. Po të ishte alfabeti ynë si ai kinez, ku numri 1 përfaqësohet nga një vijë kurse 2-shi nga dy vija, me siguri gjysma e popullsisë së botës nuk do të kishte nevojë për syze. Mirëpo unë, Genta Hodo, jetoj në Shqipëri dhe këtu, të mos dallosh B-në nga O-ja të bën automatikisht të pazotë në një fushë të cilën shumica e njerëzve e zotërojnë. Nëse nuk dallon B-në nga O-ja je si i thonë “me aftësi të kufizuar”. Ose, më mirë akoma: je pjesë e një grupi të margjinalizuar! Je qorr!
Sigurisht, gjithë këto abstragime, burojnë kryesisht prej nevojës për ta përditësuar blogun me tema të përditshmërisë, ku ndokush mund ta gjejë veten. E vërteta është se të shndërrohesh befas nga një person fizikisht normal në dikë i cili ka nevojë për pajisje ndihmë që të funksionojë normalisht, nuk qenka aq joshëse sa ç’tingëllonte fillimisht brenda kokës sime të kuqerremtë.
Kur zgjodha skeletin, e kisha të qartë idenë e modelit “Cat Eye”- sy maceje, sepse të jep një pamje mistike. Je që je qorre, të paktën të dukesh qorre me stil. Shitësja ishte dakord se më shkonin, mirëpo patëm një lloj përplasjeje kur ia përcaktova se “nuk dua të dukem si zyshë”.
– E çfarë ke kundër zyshave, më fal?
– Asgjë, nuk paragjykoj kënd. Është mënyrë të thëni. Në shqip, asgjë nuk e përcakton më mirë këtë që po përpiqem të shpjegoj. Ose ndoshta, duhet të kisha përdorur shprehjen “nuk dua të dukem si teze”?
– Eh, shqiptarët, – ma bëri teksa luante me flokët e veta. Shitësja dukej tek të 40-at, gati 50 vjeçe, – E kanë tezen si ofendim.
– Ç’tu bëjmë?,- iu përgjigja duke ngritur supet.
– Je gocë e re, nuk duhet të kesh paragjykime, – ma preu shkurt.
Dhe unë mbeta në vend. Si për t’u hakmarrë, i kujtova se para ca kohësh kisha hyrë në dyqanin e saj të syzeve dhe isha betuar se nuk do të hyja më, sepse një shitëse tjetër nuk më linte të provoja modelet e kushtueshme të syzeve të diellit, ngaqë kishte frikë mos i prishja, a mos i vidhja, një zot e di përse.
– Shumë gabim. S’mund ta paragjykosh dikë vetëm pse vishet me tuta, – m’u përgjigj.
Dhe unë, që sot kisha dalë nga shtëpia me tuta sepse dreqi e mori, është 31 dhjetori dhe duhet të falim vetëm dashuri, ia ktheva:
– Këtu ta kisha fjalën, tek paragjykimet.
– Shkon në palestër?, – më pyeti.
– Jo, kurrë.
Dhe ajo, me një buzëqeshje triumfuese sepse nuk po e kuptoja autoironinë e hollë:
– Mendova kështu ngaqë ke çante sportive Nike.
– Jo nga tutat?
E kështu, gjithë kjo bisedë hidh- prit mes njërës që po bëhet gati të vendosë syze për herë të parë dhe shitëses me një rreze goxha të gjerë mbi paragjykimin, ia vlejti vetëm sepse skeleti, me gjithë xhamat blue control për mbrojtje nga rrezet e kompjuterit, kushtuan vetëm 20 mijë lekë.
Megjithatë, nuk mund të them se dola e fituar, sepse në fund të ditës unë kam nevojë për syze dhe syzet janë arsyeja pse shpesh kam përdorur krahasimin “Ajo duket si teze”. Sexy ose jo, pa syze je mbret, me syze je qorre, edhe pse qorre je vetëm atëherë kur nuk shikon të mirat që të ka dhuruar jeta.