Mirësjellja tregon fuqi
Kur vjen puna për komente të pakontrolluara, shtatzania mban kreun.
Secili nga ne ka reagime nga më të çuditshmet kur shikon një grua shtatzënë.
Unë e para kur shihja në rrugë një grua me bebe, mendoja “Po pse e lënë veten pas dore kështu”!! Nuk e kam thënë kurrë me zë të lartë, por e kam menduar, duke paragjykuar. Dhe tani e di shumë mirë përgjigjen për çdo dyshim që kam pasur.
Ardhja në jetë e një fëmije, sigurisht që është kulmi i emocioneve, që e them me bindje, cilido nga ne do të provojë ndonjëherë në jetë. Në rastin e nënave, këto emocione shumëzohen me 100. Ajo çfarë “të jashtmit” nuk llogarisin, është se kjo krijesë nuk është vetëm çfarë shohim për 5 minutat që ndajmë me ta. Pas buzëqeshjeve që shkrijnë akuj, syçkave me shkëlqim, gugatjeve dhe aromës aq të ëmbël, është një qenie e re që po zbulon botën ka nevoja si ne dhe është ende e pamundur për të të kujdeset për veten. Dhe gjejeni pak kush duhet t’i plotësojë këto nevoja????
Máma!!!! (Nuk është rasti të flasim për barazi gjinore. Baballarët e rinj po dëshmojnë përditë e më shumë se përfshihen dhe mbajnë përgjegjësi për bebat po aq sa nënat, por natyra e deshi që shtatzaninë ta provojë vetëm femra dhe po ashtu ushqyerjen me gji apo instiktet që çuditërisht po aq sa natyrshëm ja behin sapo bebushi vjen në këtë botë)
Nga eksperienca personale, them se ofendimet i kam ndjerë më shumë nga femra të tjera. Por më e keqja është që nuk ka rëndësi as mosha, as formimi, as eksperienca e tyre. Në fakt nuk kam ende asnjë shpjegim për arsyen pse e bëjnë, por di që kushdo i përket këtij grupi duhet të reflektojë.
Të gjitha këto gabime rrotullohen rreth të njëjtave koncepte:
-Paraqitja e jashtme
Përpara se të flasësh apo të hedhësh shikime idiote ndaj një vajze shtatzanë apo nëne me karrocë , e cila mund te jetë me shapka edhe pse temperaturat janë të ulëta, ose ka dale me pizhama, mendo si do të ndiheshe ti nëse një fokë ka zgjedhur të pushojë sipër teje nën diellin përvëlues të Drimadhës apo çfarë fytyre ke kur natën më parë e ke gdhirë me muzikë të lartë dhe alkool.
-Të dhënurit mënd
E mban mend ate shprehjen “Në kohën tonë…” dhe kokëçarjen e përjetuar sa herë e ke dëgjuar bashkë me inatin e ndjesisë të të qenurit i paaftë? Epo foka dhe zhurma e opsionit të parë nuk kanë nevojë të përzihen me to. Apo më keq akoma, kur njerëzit marrin guximin të bëjnë komente të tipit “Nuk do kesh më një jetë tani. Do merresh vetëm me fëmijën”! Ose komentet injorante të shkallës sipërore “Jepi të hajë se nuk ngopet vetëm me gji” “ E llaston duke e mbajtur në krahë” etj si këto. Çdo nënë e njeh më mirë fëmijën e saj.
-Indiferenca
Është pak e komplikuar në fakt. Njeriu modern tenton dhe promovon pavarësinë por ka disa momente në jetë kur kushdo ka nevojë për ndihmë. Jo të gjitha e kërkojnë, por më besoni nuk do harrojnë kurrë qoftë edhe një pjatë të ngrohtë të gatuar për to.
-Trajtimi si në një shtrat spitali
Shtatzania nuk është sëmundje edhe pse ka vështirësitë e saj. Kushdo e përjeton në mënyra të ndryshme. Ajo pikë për të cilën besoj biem të gjithë dakort se kthehet herë herë në stres është kur njerëzit përreth e teprojnë duke thënë “MOS”!!! Duke filluar nga bestytnitë e deri te këshillat e ushqyerjes që i përkasin vetëm mjekut.
Dhe diçka që personalisht mendoj se është shumë e rëndësishme kur dikush vjen në jetë dhe ne e anashkalojmë sepse fokusohemi pikërisht te bebushi, është se harrojmë të festojmë vlerat e asaj që e solli në jetë. Mund të ngjajë si feminizëm i tepruar kur në fakt është shumë e drejtë. Mos harroni që kur një vajzë në jetën tuaj bëhet nënë bashkë me dhuratat e bebit dhe urimet të vendosni për të diçka aq të vogël sa një kartolinë me fjalë zemre. Gjërat e vogla bëjnë diferencën, ndërsa màmat janë ato që rrotullojnë botën.