Fytyrën e mbështes mbi xham
Siç kam parë të bëjnë në filmat autor
Gjithashtu si në një poezi të Paul Eluard-it
Këtë mëngjes nuk ndihem aspak poetike
Edhe pse e gjithë skenografia është poetike
Avioni që pluskon përmbi qiellin të cilit i lutem është poetik
Pambuku i pamasë i reve është poetik
Mungesa e poezisë brenda kokës sime boshe është tejmase poetike
Mua s’më pëlqen të ndiej as të frymëzoj
Unë dua poezitë t’i shkruaj jo të jem njëra prej tyre
Por ky mëngjes s’paska qenë e shkruar të shkruhet
Së paku jo ashtu si ka hije
Ashtu si e meriton mëngjesi kur ti kthehesh në shtëpi pas ca ditëve jashtë
Jashtë është aq bukur, gjithmonë e më bukur
E megjithatë, unë e gjej veten të më marrë malli për të brendshmen
Të dua të hap kyçin e reve të bie e çastin tjetër të jem brenda vetes
Rrugët e mia njerëzit e mi gjuha ime
Çudi si s’jam akoma patriote
A është dashuri patriotike apo përtaci për të qëndruar jashtë për shumë gjatë
Njerëzit e mi kanë defektet e tyre dhe unë të tyret po ashtu
Askund nuk bëhemi më tepër njësh sesa
Në një avion Boeing drejt Tiranës
Ne jemi të gjithë të heshtur dhe kokulur, të pangrënë dhe pa uri
Fundja është vetëm ora 8 e gjysmë e mëngjesit
Dhe kemi huqin e keq të të kolliturit kollë të thatë nga ajo që buron
Nga thellësia e shpirtit
Ky nuk është grip, është lodhje
Jashtë ishte aq bukur por s’jemi bërë për t’u shplodhur
Mes pangeshmërisë së turmave milionëshe
Që kanë mësuar pa vështirësi artin e humbjes
Së kohës nëpër metro
Tirana fillon të duket mes reve e vogël e vogël
Unë e di përmendësh edhe pse shpesh nuk di ta shpjegoj
Sa shumë e njoh këtë qytet që s’njeh as veten
Një shesh i bardhë një tradicional një me origami plot ngjyra
Dikush i bie mbështetëses time pa vramendje
Dhe unë mund t’i bija pa vramendje mbështetëses së zotërisë para meje
Sikur të mos ishte se na kanë mësuar të sillemi si të jashtmit
Avioni priret të çajë retë për të hyrë brenda
S’ma kishte marrë mendja kurrë se do hiqja dorë nga gjumi për të ruajtur këtë moment
Por e di se gjithçka do kthehet përsëri në vend
Këto janë vetëm përçartje avioni në pikë të mëngjesit
Unë nuk jam James Joyce
Sa do të doja të isha James Joyce
Po aq sa nesër do të dua të largohem përsëri