Kur burrat shkruajnë gratë

Ata që e kanë lexuar “Madamë Bovari” e dinë ndoshta që një nga teoritë se pse Floberi e shkruajti romanin , është se u nis nga një artikull gazete, që lajmëronte vetëvrasjen e një nëne të re.
Historia u trillua. Duke përzier absolutisht arsyet dhe rastet tipike të vajzave të kohës dhe shumë, shumë më tej. Është aq aktual dhe aq i shkuar. Një vajzë me trupin në këtë univers dhe mendimet diku tjetër. Një vajzë që zgjedh dhe zgjidh “gabim” , duke gjykuar si përfundon.

Një grua që vetëdënohet me vdekje, ndoshta pa kuptuar fajet ndaj vetes, por duke refuzuar të mbajë një peshë që ne vajzat e mijëvjecarit të ri e quajmë “E VËRTETA QË SIGURON LIRINË” apo “LIRIA QË EVITON TË VËRTETËN”

Ema Bovari është vetëm një skenar i fatit të një vajze naive e të brishtë. Në fakt është më tragjiku.

Thuajse 100 vjet më vonë në një tjetër kontinent, botohet Ema Zunz. Rimishërimi i Vajzës rebele. A thua se në aq vite u bë revolucion dhe mirësia shndërroi vajzat larg nga kontinenti i vjetër!
I vjetër në ç’kuptim?

Kjo Ema e dytë, për ju që nuk e keni lexuar, hakmerr vdekjen e të atit duke futur në kurth dy burra. Atë të pushtetshmin dhe atë mekatarin e thjeshtë të mishit duke “sakrifikuar” trupin e saj të paprekur.

Një skenar gjenial po aq sa real. Linja perfekte që çojnë drejt një fundi fare të papritur… Ema 2 i mbijeton kryelartë vdekjes dhe vritet nga njerëzorja.

Dhe ja ku jemi vite e vite më vonë ne të emancipuarit që gjykojmë Emat e Borgesit e Floberit…po njësoj si Emat e pallatit përballë apo bangës ngjitur. Dhe bashkë me Emat edhe Anat. Pa përjashtim të gjitha! Shënjestër dhe pre e sigurtë e historisë së përsëritur aq shumë sa duket fiction…se ne kemi harruar të hapim mendjen dhe të mbyllim gojën.
E prisni pak, 200 vjet më parë këto personazhe i shkruanin burrat.

Ku janë gratë?