E vogël, shtëpia ishte gjithë bota ime
Nga dhoma në dhomë me një avion prej letre
Fluturoja tek ime më, Notre Damme de Paris,
në gjoksin e tim ati si qyteti ndanë Kullës Eiffel.

Mbas shkolle, për të shkuar tek shtëpia e shoqes sime
Pellgje e tatëpjeta i kaluam si udhëtarët
që botën e shëtisin me 20 lek në xhep
Fytyra e qeshur e një mamaje të huaj
dhe pjatat e tyre me lule të ndryshme nga të tonat
më pritën me një ngrohtësi të re
Dhe ishte dita kur zbulova Amerikën.

Pas kësaj bota ishte e madhe e madhe e madhe
E madhe sa Roma
E paarritshme si Berlini
Centrifugale si New York-u nëpër filma
Derisa u bë përsëri e vogël,
E vogël si arushi i sime motre
që rrinte e ruante tek xhami i lavatriçes
Derisa u bë e paqtë, si pamja nga ballkoni i shtëpisë
Kur dilja për të nderë rrobat në mëngjes

Tani që jam e rritur, im atë është përsëri kulla Eiffel
Notre Damme de Paris
pas 1000 zjarreve ime më,
kurse bota, shtëpia ime, nuk është më.