Për mua ishe e pambarimtë, një ëndërr me shumë porta.
Ata cepa të njohur, çdo herë me një shije të re – të papërsëritshme!

Ja që tani më dukesh e mërzitshme dhe e përsëritur
Si puna e kafenesë poshtë shtëpisë – tani ti je e gjitha një kafene poshtë shtëpisë,
Kafenete e tua janë që të gjitha kafene poshtë shtëpisë,
Rrugët e tua janë të gjitha… Epo, e gjete: rrugë që të çojnë tek kafeneja poshtë shtëpisë,
Lëre pastaj njerëzit, të cilët me të vërtetë janë po te njëjtët që i takoj çdo ditë tek kafeneja poshtë shtëpisë.

Ne fakt, kafeja tek kafeneja poshtë shtepise s’është gjithaq e keqe,
Dhe njerëzit janë të sjellshëm, përgjithësisht.
A mund ta fajësosh dikë ngaqë ka të njëjtën fytyrë, ditë për ditë?
Jo, teorikisht.
Nuk e di për ju, por unë jetoj në një kohë kur fytyrat ndërrohen, ditë për ditë, fizikisht.

Nuk është faji yt nëse mua më është mërzitur fytyra ime.