Sipas INSTAT, na del se profesionet më pak të paguara janë ata që kanë të bëjnë me akomodimin dhe shërbimet e ushqimit. Arti, argëtimi dhe zbavitja renditen ndër aktivitetet ekonomike me vlerë relativisht të ulët, mesatarisht 353 lek për orë pra mesatarisht 61,499 lek ne muaj për një punonjës (INSTAT, anketa për koston e punës në 2016-ën).


Personalisht, më rezulton se ky publikim i INSTAT nuk u bën aspak nder gazetarëve, një kategori tmerrësisht e nënpaguar. Ngjan më së shumti me idealin që unë kam patur dikur sesi do të vlerësohej puna ime në sektorin e medias dhe argëtimit. Megjithatë, nuk mund të flas me siguri derisa ta bëj vetë një anketë të tillë, kur tre- katër punët e mia të më lënë kohë për ta bërë gjithashtu edhe këtë.
Ka dy lloje shqiptarësh: ata të papunë, 20,7 përqind të moshave 15- 29 (Instat, Anketa e Forcave të Punës) dhe shqiptarët e dy-a më shumë- punësuar, rreth 35 mijë të deklaruar.


Për këta ka hyrë në fuqi një ligj i ri, sipas të cilit punonjësit që kanë bërë 2 punë gjatë vitit 2020, deri në prill duhet të deklarojnë të ardhurat dhe të paguajnë tatimin shtesë, pavarësisht të ardhurave vjetore. Më parë, deklarimi bëhej vetëm prej të dypunësuarve të ardhurat vjetore të të cilëve i kalonin 2 milionë lek. Arsyetimi për këtë vendim mbetet se deri më dje të dypunësuarit me dy paga minimale paguanin 0 taksë kurse ata me 1 pagë jo- minimale paguanin më shumë se i dypunësuari. Tani ky i fundit duhet të llogarisë tatimin për të dyja rrogat bashkë si një e vetme dhe të paguajë diferencën.


Tani le të dalim në gjëra më pak të lodhshme për trurin tonë të pavrarë me çështje ligjore, pasi edhe vetë këtë ligj mezi e kam marrë vesh. Diçka që mund ta them me siguri, është se njoh pak njerëz të njëpunësuar. Por ndërsa unë i kam që të dyja punët të deklaruara, shumica paguhen nën dorë për “projektet” të cilat me raste shpërblehen shumë herë më mirë se puna e deklaruar me kohë të plotë. Punonjësit i hyjnë në pjesë punës me kohë të plotë, për të kryer punën për të cilën paguhen- dorazi ose jo- me honorare. Drejtuesit e mbyllin njërin sy pasi e dinë se nuk po i paguajnë punonjësit aq sa duhet për punën me kohë të plotë, e cila supozohet të jetë burim kryesor të ardhurash, jo thjesht “një rrogë e sigurt, të jetë”. Unë mendoj se kjo marrëveshje nuk funksionon.


Nuk funksionon sepse zakoni i të bërit sikur punojmë për të mirën e përbashkët, nuk na është çrrënjosur që nga komunizmi. Ne jemi nëpunës kooperative që punojmë në kapitalizëm, kështu koncepti i punës proporcionale me shpërblimin, nuk është fort i qartë për ne. Megjithatë, faji nuk është krejt i punëtorëve.


Ndërsjellazi, edhe punëdhënësit bëjnë sikur paguajnë dhe nuk ofrojnë kushtet e duhura për të punuar, me ndryshimin e vetëm që në komunizëm, barazia gjinore propagandohej aq fuqishëm sa ime gjyshe tani mezi ecën nga peshat e rënda që i është dashur të mbajë për të rritur 7 fëmijë. Siç do të thoshte Hannah Montana: “Kemi marrë më të mirën e të dyja botëve”; mentalitetin shfrytëzues dhe atë të të shfrytëzuarit.


Logjika në këtë rast është e thjeshtë: një i punësuar në sektorin Horeka (hoteleri- restorante- katering) me 41 mijë lek (gjithmonë sipas INSTAT) nuk mund të mbyllë asnjë dreq muaji. Kështu, do të detyrohet të dypunësohet.

Madje, do të paguajë edhe taksa shtesë, vetëm sepse është detyruar, nga halli, të dypunësohet. Asnjë njeri nuk dypunësohet me vullnet të lirë. Të ishte për mua, e kaloja ditën duke lexuar libra, pirë çaj dhe duke bërë thonjtë me skulptura të pop- artit bashkëkohor. Por zërat në faturë nuk po pakësohen aspak.


Prandaj edhe vitin e kaluar ka patur 11 mijë të dypunësuar më shumë se në 2019-ën, kur ishin deklaruar 24 mijë individë. Siç e shikoj unë, dypunësimi është një fenomen i cili në shoqërinë tonë po përhapet me shpejtësi, dhe kjo jo për të mirë.